vipa
driloni com
Fillimi / Fejton / Thanas L. Gjika: Portret biografi kushtuar gazetarit, Frank Shkreli III
Frank Shkreli

Thanas L. Gjika: Portret biografi kushtuar gazetarit, Frank Shkreli III

Të hapen Dosjet!

Disa institucione dhe fondacione gjermane ndihmuan për të hapur gjatë dhjetorit 2014 në Tiranë dhe pastaj gjatë prillit 2015 në Berat një ekspozitë kushtuar historisë së Europës gjatë shekullit të XX-të për të nxjerrë mësime nga jeta që kaluan popujt e këtij kontinenti nën diktaturat dhe si po jetojnë tani në demokraci. Shëmblli i popullit gjerman pas daljes nga diktaturat naziste e komuniste nuk u ndoq prej popullit shqiptar. Në Gjermaninë Perëndimore pas 9 majit 1945 u dënuan krimet e nazizmit dhe kriminelët nazistë, kurse në pushtet erdhën njerëz të ndershëm që nuk kishin lidhje me nazizmin. Pas bashkimit të dy Gjermanive mbas vitit 1990 populli i Gjermanisë Lindore nëpërmjet hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit duke u ballafaquar me të kaluarën e tmerrshme arriti të siguronte paqen shoqërore dhe sejcili të gjente vendin që i përkiste. Kështu Gjermania e bashkuar (Republika Gjermane) ndërtoi shpejt shtetin e përbashkët demokratik, i cili eci shumë përpara si fuqi botërore politike dhe ekonomike.

Në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit nuk u vendos asnjë masë që të mënjanonte ish komunistët dhe ish sigurimsat nga pjesëmarrja në pushtet. Ish Partia Komuniste e quajtur Parti e Punës nuk u shpërbë me shpalljen e pluralizmit, por ndërroi vetëm emrin në Parti Socialiste. Kjo parti me të njëjtët deputetë që trashëgoi prej Partisë së Punës vijoi të ishte parti parlamentare në sistemin pluralist dhe shumë shpejt rimori pushtetin politik e atë ekonomik. Eshtë e kuptueshme se në Shqipëri kuadrot ish komunistë dhe ish sigurimsa që vijojnë të sundojnë politikën e vendit, nuk janë të interesuar të hapet asnjë debat mbi krimet e kohës së diktaturës komuniste. Mirëpo pikërisht mosdënimi i krimeve të kohës së diktaturës përbën ngërçin e politikës shqiptare

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë duke e kuptuar fatkeqësinë tonë, pasi vizitoi ekspozitën në Berat, dha një këshillë: “ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ky proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme” (f.148). Mirëpo autori i shkrimit, i cili e di se për 25 vjet është folur e përfolur për këtë problem, janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, shton se ky proces “nuk ka gjasë të përfundojë askund, ai do të mbetet në hava, as me sukses as pa sukses” (f. 148).

Ballkani Perëndimor, SHBA-të Rusia dhe Turqia

Shqipëria dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në qendër të vëmendjes si të SHBA-ve, të Rusisë dhe të Turqisë. SHBA-të përpiqen që popujt e këtyre vendeve të ndërgjegjësohen dhe të ecin në mënyrë të pavarur drejt demokracisë dhe të vendosin vetë se në cilat organizata do të hyjnë. Kurse Rusia dhe Turqia me rrugë të ndryshme janë përpjekur që të ndalin procesin e demokratizimit të këtyre vendeve dhe të ndalojnë hyrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare si NATO dhe BE. Rusia dhe Turqia përpiqen që të shtrijnë influencën e tyre në këto vende duke ëndërruar rikrijimin e perandorive të vjetra në forma të reja si perandori ekonomike me pushtet autokratik.

Në fund të prillit 2015 u mbajt seanca e Nënkomisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan që merret me Europën dhe Azinë. Midis tjerëve atje ishte ftuar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee (Huajt Ji) përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Gazetari Shkreli pasqyron mendimet kryesore që tha ky diplomat i lartë dhe i mbështet ato. Duke karakterizuar situatën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor ai theksoi se misioni amerikan për krijimin e një Europe të tërë të lirë dhe në paqe, është kërcënuar më shumë se kurrë mbas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe terrorit që po ushtrojnë forcat e ISIS në Siri dhe Irak. Për këtë arsye, vijoi ai, puna jonë për krijimin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë, me tregëti të lirë dhe pa korrupsion, duhet forcuar “për të ndihmuar këto shtete që të marrin vetë vendimin e pavarur për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike… e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur nga brenda këto shoqëri” (f.135). Shqipëria, vijoi ai, ka bërë shumë përparime, prandaj iu dha statusi i vendit kandidat për të hyrë në BE, por ende duhet të përballet me sfida të mëdha në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE. Shqipërisë i duhet të intensifikojë përpjekjet drejt përforcimit të institucioneve demokratike dhe zbutjes së politikës konfliktuale midis partive, të bëjë reformat në drejtësi dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar” (f. 136).

Po ashtu ky diplomat i lartë theksoi se Kosova duhet të krijojë Gjykatën Speciale. Më tej ai u ndal te problemet e Malit të Zi, ku qeveria duhet të luftojë korrupsionin, i cili ka lidhje me pushtetarët dhe të sigurojë të drejtat e gazetarëve. Kurse për Maqedoninë theksoi nevojën për përmirësimin e marëdhënieve pozitë – opozitë dhe marëdhëniet midis shumicës maqedone dhe pakicës shqiptare.

Në një kohë të tillë, pikërisht në prill 2015, kur bota po përkujtonte me keqardhje 100-vjetorin e genocidit turk ndaj popullsisë armene, agjentura turke në Maqedoni arriti të nxiste shumë shqiptarë myslimanë dhe pakicën turke e atë bosnjake që të delnin në një demonstratë në Shkup para xhamisë së Murat Pashës për ta kundërshtuar të vërtetën historike, vrasjen e njëmilion armenëve që kërkuan bashkimin me shtetin amë. Shkreli revoltohet nga ky fakt dhe pasi e kritikon, sjell dhe fakte të tjera si kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e historisë së popullit shqiptar që kërkojnë qeveritarët turq, grekë dhe sërbë, me synim që të ndryshohet dhe së fundi të zhduket identiteti shqiptar në trojet ku populli shqiptar ka qenë gjithnjë autokton. E këtu autori i shkrimit ngul këmbë se fajtorë kryesorë në këtë problem janë qeveritarët shqiptarë që nuk kundërshtojnë hapur, por iu nënshtrohen këtyre kërkesave absurde antikombëtare. Kjo heshtje e shtyn Shkrelin të sjellë një citat të Faik Konicës: “armiku më i madh i shqipërve kanë qenë dhe janë vetë shqipëtarët” (f.146).

Politika e jashtme e shtetit grek kritikohet rëndë te shkrimi “Papulias dhe shqiptarët”, ku vihet theksi tek kontrasti midis politikës së jashtme të shtetit shqiptar dhe atij grek. Shqipëria bën çmos që të ndërtojë marrëdhënie moderne dypalëshe dhe rajonale, të denja për shekullin e XXI-të, kurse shtetet fqinjë nuk druhen të shprehin ndjenjat e tyre antishqiptare. Kështu ai sjell rastin e Presidentit të Greqisë, z. Karolios Papulias, i cili pas takimit ndërkombëtar në Zvicrën asnjanëse, gjatë intervistës për shtyp, kur u pyet për Kosovën, tha: “Athina nuk e njeh Kosovën, sepse vepron duke u bazuar në interesat e saj kombëtare… pa u ndikuar nga askush” (f. 462). Analisti Shkreli ironizon me këtë gjoja pavarësi të politikës së jashtme të shtetit grek: “në qoftë se qëndrimi i zotit Papulias ndaj Kosovës nuk është i njëjtë me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, duket se është në përputhje të plotë me qëndrimin e Sërbisë dhe të Rusisë, dy vende historikisht aleatë të Greqisë, kundër të drejtave të shqiptarëve në rajon në përgjithësi dhe ndaj Republikës së Kosovës në veçanti” (f. 463). Dhe kur presidenti grek për ta paraqitur Greqinë si shtet që ndihmon rajonin për paqe, tha: “Greqia strehon mbi një milion punëtorë shqiptarë”, Shkreli sqaron se shifra është shumë e zmadhuar dhe se marrëdhëniet midis emigrantëve shqiptarë dhe Greqisë janë marrëdhënie pune: “ata kanë nevojë për punë dhe Greqia ka nevojë për ta, ashtu si ndodh në shumë vende të Europës” (f. 465).

Vlerësim veprash shkencore

Frank Shkreli e njeh mirë historinë e popullit shqiptar, prandaj ai di të vlerësojë si duhet vepra shkencore me temë historike. Kështu ai ndalet dhe analizon veprën e Kol Bib Mirakajt “Vetëvrasja e një kombi”, ku jep fakte të jetuara për jetën politike të Shqipërisë në vitet 1939 – 1950. Parathënien e librit e ka shkruar Fritz Radovani i cili, pasi tregon se familja Mirakaj ka kaluar 950 vjet burg gjatë diktaturës komuniste, e vlerëson librin si material dokumentar të dorës së parë për historianët tanë.

Kol Bib Mirakaj nuk mohon që ka qenë në funksione shtetërore gjatë pushtimit fashist, por përmes faktesh ai tregon se forcat e Ballit Kombëtar dhe ato të Legalitetit, si dhe intelektualët e pavarur me formim Perëndimor, kanë përgjegjësinë kryesore për kalimin e pushtetit në duart e Partisë Komuniste në nëntor 1944. Sipas tij forcat e djathta në Shqipëri bënë gabim që bashkëpunuan me forcat komuniste gjatë viteve 1942 – 1943 (Konferenca e Pezës dhe Mbledhja e Mukjes, f. 158). Sipas tij edhe vetë Aleatët Perëndimorë nuk e vlerësuan lëvizjen komuniste ashtu si ishte ajo në të vërtetë, “lëvizje e imperializmit pansllav (f.157) dhe kështu ajo u rrit e fitoi terren në Europën Qendrore dhe Jug-Lindore.

Vepër tjetër që vlerësohet në këtë libër është “Luigj Gurakuqi në një optikë të re” i Kolec Çefës, botuar me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Gurakuqit, atdhetarit që e mbrojti popullin dhe Shqipërinë me mençuri, energji dhe dinjitet, i cili, thekson studiuesi Çefa “ishte kundër politikës orientale nga brenda dhe kundër politikës kolonizuese nga jashtë” (f. 59). ai e ngre zërin për një vlerësim më dinjitoz të kësaj figure kombëtare, që duket sikur po harrohej me rastin e 90-vjetorit të vrasjes. Edhe autori i recensionit z. Shkreli ngul këmbë në domosdoshmërinë e përkujtimit të jetës dhe veprës së Luigj Gurakuqit, sepse mospërmendja e tyre shpie në varfërimin e vlerave tona kombëtare, intelektuale dhe shpirtërore, kurse përkujtimi është në dobi të interesave tona të brendshme dhe të jashtme (f. 60).

“Krijimi i Kosovës”, vepër e studiuesit të ri Prof. Elton Skendaj pedagog i Shkencave Politike në “Miami University” Shkreli ia përmend kualifikimin dhe faktin se ky autor ka botuar shumë artikuj prestigjozë politikë në shtypin amerikan, se ai e përgatiti këtë libër pas 10 muajsh pune në Kosovë dhe se kjo vepër është vlerësuar prej disa studiuesve amerikanë.

Me rëndësi të veçantë për historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare është dhe vepra e re e Ndiçim Kullës “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807 – 1957 vol. 1-3”. Kjo vepër e rëndësishme përfshin pjesë nga shkrime të 75 intelektualëve shqiptaë të atyre viteve. Mendimet e tyre i përkasin botëkuptimit të djathtë. Duke qenë të spikatura, Shkreli i vlerëson duke bërë një pyetje retorike: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre properëndimore?” (f. 409). Si studiues dhe sociolog optimist që është, Frank Shkreli sqaron se idetë demokratike të intelektualëve të shquar, të cilët u mundën prej Partisë Komuniste, humbën një betejë por jo vlerat e ideve dhe të ideologjisë së tyre.

Ai sjell mendimin e Ernest Koliqit të cilin e takoi në Romë më 1968 në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Mendimtari Koliqi i pati thënë djaloshit Frank se Shqipëria pas vdekjes së Heroit Kombëtar u pushtua prej osmanëve, por drita e veprës së tij e ringjalli kombin tonë dhe e drejtoi drejt lirisë. Duke qenë se Frank Shkreli beson në forcën e ideve përparimtare, është i një mendjeje me z. Ndriçim Kulla, autorin e kësaj enciklopedie, se edhe mendimet e ndritura të intelektualëve shqiptarë properëndimorë të shekullit të XX-të, të cilët e humbën luftën, do ta ndihmojnë popullin tonë të gjejë rrugën e vet të rigjenerimit dhe “do të ecë drejt krijimit të një Shqipërie tjetër… të dijes e të përparimit” (f. 410).

Me interes është dhe recensioni i librit anglisht të Albert Lulushit “Operacion Valuable Fiend” (“Operacioni, kundërshtar i dobishëm”, ku sqarohen nën një interpretim të ri sakrificat dhe dështimi i aksioneve të diversantëve shqiptarë të cilët nën drejtimin e CIA-s amerikane u hodhën në Shqipëri gjatë viteve 1948 –1953 me synimin qëllimmirë për të përmbysur regjimin brutal komunist të Enver Hoxhës. Deri sot është thënë se shkaktar në dështimin e këtij operacioni, ka qenë agjenti i dyfishtë Kim Filbi.  Albert Lulushi e pranon këtë fakt, por ai bën shkaktar të dështimit edhe grupet politike shqiptare që vepronin në emigracion. Këto grupe i bashkonte urrejtja ndaj regjimit komunist, por i përçante politika e tyre e ndryshme dhe lakmia për të qenë sejcili forca kryesore me qëllim që nesër të qeveriste Shqipërinë. Kjo pëçarje e grupeve politike reflektohej edhe te vetë diversantët, të cilët shpesh herë grindeshin midis tyre, gjë që ndikoi negativisht në zbatimin e operacionit edhe mbas largimit të Kim Filbit nga detyra në vitet 1951 – 1953…

Shumë të dashur janë për Frank Shkrelin edhe veprimtarë të tjerë të shquar të kulturës dhe historisë shqiptare, si At’ Shtjefën Gjeçovi mbledhës dhe studiues i Kanunit të Lek Duakgjinit; Dedë GjoLuli një nga kryetrimat e luftrave për liri nga zgjedha osmane; Luigj Gurakuqi krahu i djathtë i Ismail Qemalit; Isa Boletini luftëtari i pashok i Kosovës; trimëresha Tringa Ismajli dhe të dijshmit Fan Noli, Mit’hat Frashëri; Baba Rexhebi, Dom Simon Filipaj përkthyes i “Biblës” shqip, etj. Për sejcilin prej tyre ai jep ngjarje pak të njohura dhe vlerësime origjinale.

Si njohës i mirë i veprimtarisë atdhetare të diasporës shqiptare në Amerikë, ky autor vlerëson me artikuj përkujtimorë, ose me recensione veprash figura të shquara si Xhevat Kallajxhiun, të cilin e quan dekan i gazetarisë shqiptare demokratike, Profesorët Arshi Pipa shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe pedagog i Letërsisë Italiane në Universitetin e Minesotës; Sami Repishti një nga krerët e intelektualëve shqiptarë të diasporës sonë në SHBA si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; Dr. Elez Biberaj shef i departamentit të Euro – Azisë në Radio Zëri i Amerikës dhe autor i librave “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” dhe “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes”  përmbledhje me artikuj të rëndësishëm; Idriz Lamaj gazetar në Zëri i Amerikës dhe autor i shumë studimeve dhe i veprës “Vatra dhe vatranët”, etj.

Guximi dhe qartësia e shprehjes së mendimeve si tipar dallues i këtij gazetari bie në sy në të gjitha shkrimet e tij edhe në ato që po shkruan sot. Ai ka kritikuar veprimet jo demokratike të shtetarëve të Ballkanit, por edhe të SHBA-ve. I tillë është rasti i këtyre ditëve, kur ai u bashkua me ata senatorë e kongresmenë që kritikuan presidentin Donald Trump për urimin që i bëri me telefon Vladimir Putinit për zgjedhjen e tij shef i Kremlinit. Edhe Frank Shkreli e kritikoi këtë veprim si një urim i panevojshëm për zgjedhje jo demokratike.

* * *

Si përfundim mund të themi se Ministria e Kulturës dhe ajo e Arësimit e Republikës së Shqipërisë dhe ministirtë korresponduese të Kosovës duhet të përgatisin të paktën një vëllim me shkrime të zgjedhura të këtij gazetari dhe ta botojnë në shumë kopje, sepse leximi i të tillë shkrimeve ndihmon në formimin e masave të gjera me një botëkuptim demokratik të vërtetë. Kurse studentët e degës gazetari pranë universiteteve shqiptare do të ndihmoheshin dhe në plan praktik për të përvetësuar modele shkrimesh me ide të guximshme, me gjuhë të matur e të argumentuar, larg sharjeve e fyerjeve, që hasen në gazetarinë shqiptare që prodhohet në Shqipëri e Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Bajrami: Çamëria dhe historia e saj tragjike V

Isuf Bajrami: Çamëria dhe historia e saj tragjike V

MEMORANDUM I KOMITETIT ANTIFASHIST TË EMIGRANTËVE ÇAMË NË SHQIPËRI – KOMISIONIT HETIMOR TË KËSHILLIT TË ...