U hap edhe çerdhja e tretë publike në Malishevë dhe e para në një fshat

Sot në fshatin Kijevë të Komunës së Malishevës, është hapur çerdhja e tretë publike, përkatësisht çerdhja e parë në një fshat të Malishevës. “Jam shumë i gëzuar dhe i kënaqur qe sot po dëgjoj zërin e ëmbël të fëmijëve në këtë çerdhe dhe premtoj se investimet në edukimin e hershëm do të vazhdojnë”, ka thënë kryetari Kastrati, me rastin e hapjes së çerdhes “Zërat e ëmbël” në Kijevë, ndërtimi i së cilës është mundësuar nga buxheti i Komunës së Malishevës. Në ceremoninë e hapjes së çerdhes së tretë publike në Komunën e Malishevës, bashkë me kryetarin Kastrati, morën pjesë edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Argjend Thaçi, drejtoresha për arsim dhe edukim, Arbëreshë Krasniqi dhe drejtor e zyrtarë tjerë. “Ky investim, ky projekt, ka qenë një premtim që tani e finalizuam me hapjen e kësaj çerdhe, që ka qenë nevojë dhe kërkesë e kohës dhe ju them, se përkushtimi ynë nuk ka munguar dhe do të vazhdohet me investime në edukimin e hershëm. Jam shumë i gëzuar që sot, këtu po i dëgjojmë zërat e ëmbël të fëmijëve në këtë çerdhe e cila është moderne dhe sipas standardeve të kërkuara”, ka thënë kryetari Kastrati, në fjalën e tij me rastin e hapjes së çerdhes në Kijevë. “Edukimi i hershëm dhe përkrahja e punësimi i femrave, është prioritet i ynë. Jemi ndër komunat e pakta që hapë çerdhe në fshatra, pasi jo vetëm kjo në Kijevë, por ju siguroj se shumë shpejtë do të hapen e dy çerdhe tjera në dy fshatra tjerë, dhe jo vetëm çerdhet, por ne nuk do të ndalemi me investime në edukimin e hershëm dhe në arsimin në përgjithësi”, ka thënë drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi. Drejtoresha e çerdhes “Zërat e ëmbël”, Behare Shala, ka thënë se edhe kjo çerdhe është e ndërtuar sipas standardeve dhe ka kapacitet për 80 fëmijë, si dhe ka një staf profesional, të cilët do të punojnë me fëmijët që janë pranuar. Ajo gjithashtu e ka falënderuar komunën dhe kryetarin Kastrati, për investimet, sidomos në edukimin e hershëm.

May be an image of 11 people, people studying and office

Kontrolloni gjithashtu

1 maj 1990 – Kuvendi i Pajtimit te “Verrat e Llukës”

34 vite më parë, me 1 maj 1990 u mbajt Kuvendi Gjithëkombëtar i Pajtimit të …