U bë inaugurimi i pllakës “EKSODI 99”

Me moton “Të mos e harrojmë të kaluarën”, OJQ “Eksodi 99” në Mitrovicë edhe këtë vit nuk do ta ndërpres aktivitetin e vet në shënimin e 17-vjetorit të përndjekjes së popullatës shqiptare nga vatrat e tyre.

Me rastin e nisjes së aktiviteteve në shënimin e kësaj dite, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka vizituar   varrezat e Dëshmoreve  të Martirëve në Shipol  të cilët ndërruan jetë me 15 prill 98-99 me ç’rast  vuri kurorë  lulesh mbi varrezat e tyre.

Po ashtu kryetari Bahtiri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij vazhduan rrugën  për në Lagjen e Boshnjakëve, ku aty vizituan edhe familjarët e të pagjeturve dhe Martirëve të kombit, në shtëpinë ku u vranë dhe u masakruan, shumë fëmijë, gra e burra  nga makineria fashiste Serbe.

Me moton “Të mos e harrojmë të kaluarën” , OJQ “Eksodi 99”, organizoi edhe sivjet akademinë përkujtimore, e cila konferencë u mbajt në Qendrën e Kulturës, ku morën pjesë shumë përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, si Shqipëria, Maqedonia, si dhe Presheva.

Fjalën e parë e mori kryetari Bahtiri, i cili shprehu ngushëllime të sinqerta edhe një herë të gjithë familjarëve të cilët ishin të prekur nga këto ngjarje makabre, të bëra nga regjimi serb.

“Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emrin e qytetarëve të komunës së Mitrovicës, e sidomos në emër të atyre që përjetuan eksodin, të falënderoj dhe të shpreh konsideratat më të thella për vëllezërit tanë të qyteteve të Kosovës dhe të qyteteve të Shqipërisë, nëpër të cilat ata kaluan, qëndruan pak orë apo u vendosën për ditë e javë të tëra, apo edhe muaj të tërë, për mikpritjen vëllazërore dhe ndihmën e pakursyer që dhanë.

Por, jo vetëm kaq, vëllezërit tanë nga Skenderaj, Istogu, Klina, Peja, Deçani, Xërxa, Rahoveci, Prizreni, Kukësi, Bajram Curri, Shkodra, Lezha Tirana, Durrësi, Kavajë, Vlora, Fieri e qytetet tjera të Shqipërisë, qytetarëve të Mitrovicës dhe jo vetëm këtyre, ju ofruan plotë dashuri e  ngrohtësi,  duke bërë kështu që ata t’i tejkalojnë shumë më lehtë  momentet më të vështira të jetës së tyre.

Në mendjen e qytetarëve tanë, krahas vuajtjeve të shkaktuara nga barbarët serbë,  akoma janë të freskëta ndihmat e mëdha dhe mbështetja që populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë dha në momentet vendimtare për ekzistencën e tyre, prandaj edhe njëherë shumë faleminderit dhe do u jemi mirënjohës për tërë jetë.

Kryetari Bahtiri, po ashtu gjatë këtij  fjalimi përkujtoi se fatkeqësisht mitrovicasit ishin ata që më së shumti e përjetuan këtë ngjarje, gjegjësisht dëbimin nga shtëpitë dhe pronat e tyre.

Ai  po ashtu përgëzoj Këshillin Organizativ për punën që ka bërë, duke ju uruar sukses, i bindur se ata do ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë Mitrovicën në Kukës të Shqipërisë, atje ku do të mbahet manifestimi qendrorë me moton “Faleminderit Kukës-Shqipëri”.

Për nder të ”Eksodit 99”, komuna e Mitrovicës, bëri inaugurimin e pllakës përkujtimore afër Urës së Gjakut.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …