Është mbajtur diskutimi publik, me kryetarët e këshillave të fshatrave të komunës së Vitisë, lidhur me propozim rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane të komunës së Vitisë. Zyrtari komunal nga zyra ligjore Burim Sadiku, bëri të ditur se kjo rregullore ka për qëllim organizimin dhe bashkëpunimin e komunës së Vitisë me fshatrat, lagjet e vendbanimet, themelimin e këshillave lokale, kompetencat dhe përgjegjësit e tyre. Përfaqësuesit e fshatrave, prezent në këtë takim, paraqitën vërejtje dhe i dhanë sugjerimet e tyre rreth harmonizimit të kësaj propozim rregulloreje, ndër të cilat edhe ajo që parashihet të bëhet kompensimi për 6 mbledhje brenda vitit, e që shuma e përcaktuar u kritikua nga ata. Gjithashtu u kërkua që të fuqizohet roli i këshillave të fshatrave, respektivisht kryetarit të këshillit, për marrje të masave për ata anëtar të cilët nuk vijnë në takime për disa mbledhje me radhë, në mënyrë që të zëvendësohen.