U mbajt mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve në Malishevë

Drejtuar nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, ku drejtorët e drejtorive komunale kanë raportuar për punët dhe aktivitetet e drejtorive, për javën e kaluar dhe planifikimet për javën në vijim. Në këtë mbledhje, u raportua edhe për përgatitjet për shënimin e manifestimit “Epopeja e UÇK-së” dhe 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Bazuar edhe në agjendën shtetërore, me rastin e shënimit të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, sipas Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, do të mbahen aktivitetet e përcaktuara, duke filluar me mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës së Malishevës, e cila do të mbahet me 5 mars, për të vazhduar me homazhe dhe nderime pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në parkun e qytetit në Malishevë, pastaj në varrezat e dëshmorëve të kombit në Malishevë, Kleçkë dhe Prekaz. Edhe Drejtoria për Arsim dhe Edukim, ka bërë të ditur se janë përgatitur për shënimin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ku krahas aktiviteteve tradicionale në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës, do të organizohet edhe një udhëtim me mësuesit pensionist, në qytetin e shkollës së parë shqipe në Korçë. Përndryshe dhe drejtoritë tjera kanë raportuar për punët e tyre, ku është bërë e ditur se tashmë është alokuar buxheti komunal,  si dhe kanë filluar me zhvillimin e procedurave për realizimin e projekteve dhe planifikimet e Komunës së Malishevës, të përcaktuara për vitin 2019. Po ashtu, inspektorati ka raportuar se është duke i përcjellë në vazhdimësi barnatoret në qytet, sidomos për respektimin orarit të kujdestarisë, si dhe është duke inspektuar në të gjitha fushat tjera. Ndërsa nga Drejtoria e Shëndetësisë, është e ditur se javën e kaluar ka pasur fluks më të madh të pacientëve nëpër qendrat shëndetësore, për shkak të gripit sezonal.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …