U mbajt takimi i dytë publik i kryetarit të komunës së Rahovecit

Duke u bazuar në nenin 68, paragrafin 1, të ligjit për vetëqeverisje lokale nr. 03/L-40, si ligj organik për funksionalizimin e vetëqeverisjes lokale në Kosovë, si dhe në bazë të neneve 23-24 të statusit të komunës së Rahovecit, nr. 1005, i datës 29.3.2017, nenit 10, pikës 1 dhe 2 të Udhëzimit Administrativ (MPL) nr. 03/2020 për transparencë të punës në komuna dhe nenit 7 të rregullores komunale për transparencë nr. 03/2019, u mbajt takimi i dytë publik për punën njëvjeçare të qeverisë komunale të komunës së Rahovecit, për arritjet dhe angazhimet e komunës gjatë kësaj periudhe. Sot, në praninë e një numri të madh të qytetarëve, të shoqërisë civile, të kryetarëve të këshillave të fshatrave dhe të lagjeve urbane, si dhe të palëve të tjera të interesuara, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi paraqiti:

Raportin e punës për vitin 2023;

Planin e punës për vitin 2024;

Listën e aktiviteteve të evidentuara gjatë këtij viti;

Raportet e aktiviteteve thelbësore të secilës drejtori veç e veç dhe ecurinë e angazhimeve, të investimeve, të sukseseve dhe të ngecjeve;

Sfidat, detyrimet dhe përgjegjësitë gjatë vitit 2023.

Gjatë prezantimit, kryetari theksoi se edhe këtë vit, në Komunën e Rahovecit, nuk do të ketë suficit, sepse komuna e ka shpenzuar buxhetin në mënyrën më të mirë të mundshme, deri më tani në total: 98.26 % të buxhetit dhe 96.28 % në investime kapitale. Në inkasimin e të hyrave kemi tejkaluar planin, ku kemi arritur shifra rekorde deri më tani, në 1.933.026.10€. Sheshin Qëndror dhe Qendrën për Kulturë dhe Arte, në veçanti miratimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZhK) 2023 – 2031, i cilësoi ndër arritjet e përbashkëta të suksesshme. Në fund, qytetarët parashtruan pyetje, shqetësime, kërkesa dhe përgëzime për punën e kryetarit dhe ekzekutivit në përgjithësi, që kanë ndodhur gjatë vitit 2023. Në të gjitha pyetjet dhe komentet e pjesëmarrësve që folën, i pari i komunës iu përgjigj në mënyrë konkrete. Në fund, theksoi se ky takim publik dhe njëkohësisht bashkëbisedim, neve si ekzekutiv na mban më të fokusuar në detyrimet dhe përgjegjësitë tona, për vazhdimin progresiv të punëve të mbetura dhe për suksese në projekte të reja.

Kontrolloni gjithashtu

1 maj 1990 – Kuvendi i Pajtimit te “Verrat e Llukës”

34 vite më parë, me 1 maj 1990 u mbajt Kuvendi Gjithëkombëtar i Pajtimit të …