leoni

U përurua stadiumi “Liman Gegaj” në Malishevë

Në Malishevë ka qenë një festë sportive, pasi për herë të parë qyteti u bë me stadium. Me këtë rast është organizuar edhe një ceremoni, ku krahas sportistëve malishevas, morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, Ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, Ministri i MPMS-së, Skënder Reqica, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, pastaj zëvendësministri i MKRS-së, Rexhep Mazreku, zëvendësministri i MBPZHR-së, Vesel Krasniqi dhe zëvendësministri i MPMS-së, Çerkin Dukolli, zyrtarë të Komunës së Malishevës, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, dhe sportdashës së shumtë. “Kemi bërë një punë të mrekullueshme për të rinjtë dhe sportistët e Malishevës. Këtu po e shoh Fadil Vokrrin, këtu po i shoh sportistë e së ardhmes. Kjo është një vepër e madhe e sportit dhe uroj që ju sportistë të arrini rezultate, ndërsa ne do të vazhdojmë të krijojmë infrastrukturën e nevojshme për ju, dhe nuk do të ndalemi”, tha Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me rastin e hapjes së stadiumit “Liman Gegaj”. “Këtu jemi për ta përuruar këtë stadium, i cili është në mesin e shumë stadiumeve tjera, që jemi duke ndërtuar në tërë vendin. Kjo vepër është rezultat i bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me kryetarin Begaj dhe Komunën e Malishevës, që e kemi bashkë financuar ndërtimin e tij. Ky është përkushtim i yni për rritjen e sportit dhe krijimin e kushteve për sport, andaj jo rastësisht reprezentacioni ynë tregoi rezultat të mirë në ligën e kombeve, sepse ne po investojmë fuqishëm në sport, përfshi edhe futbollin dhe infrastrukturën e nevojshme për futboll”, tha ministri i MKRS-së, Skënder Reqica. Edhe kryetari i shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, i ka uruar për stadiumin dhe për emrin që mbanë stadiumi. “Vlerësimi për dëshmorët, është ecje përpara”, tha Jashari. Sportdashësit malishevas i ka uruar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti. Më pas, është bërë prerja e shiritit si dhe është zhvilluar një ndeshje miqësore, mes KF “UV Malisheva” dhe KF “Dardana”, ku topin e parë, simbolikisht e nisën nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, që njihet edhe si sportistë dhe sportdashës dhe kryetari i KF “UV Malisheva”, Afrim Bytyqi.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …