Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka deklaruar se është i përgatitur për garën e fortë në kryeqytet, duke u prezantuar me një ekip të ri dhe një program konkret për qytetin. “Unë vij si kandidat me një ekip jashtëzakonisht të mirë, ku 70 përqind garojnë për herë të parë dhe nuk janë për karrierë politike, por për Prishtinën,” tha Ismaili gjatë emisionit “Debat Plus” në Dukagjin. Ai theksoi se ka përvojë teorike dhe praktike në administratë publike, duke udhëhequr më parë Ministrinë e Shëndetësisë, dhe se është i lidhur ngushtë me qytetin që synon ta drejtojë. Ismaili premtoi një program të fokusuar te zgjidhjet konkrete për qytetin dhe qytetarët, me projekte të menjëhershme për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike. “Ne kemi një program të drejtuar kah zgjidhjet e qytetit dhe qytetarëve. Eksperienca ime në institucione publike më mundëson të udhëheq një qytet kompleks si Prishtina,” shtoi ai.
