Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit për mënyrën se si është menaxhuar sektori i energjisë në Kosovë. Në kuadër të serisë së tij “Me letra çelë”, Ismaili ka pretenduar se gjatë kësaj periudhe Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 1 miliard euro, duke e cilësuar këtë si rritje të varësisë së vendit nga importi dhe ndërmjetësit. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e kësaj energjie është blerë përmes kompanive që operojnë në tregun serb. Ismaili ka argumentuar se kjo situatë tregon, sipas tij, dobësim të sovranitetit ekonomik të Kosovës në sektorin energjetik. Ai ka ngritur dyshime edhe rreth rolit të kompanive private që kanë ndërmjetësuar në importin e energjisë. Në veçanti, ka përmendur NOA Energy Trade, duke thënë se kjo kompani, me vetëm një punëtor, kishte realizuar qarkullim prej rreth 195 milionë eurosh gjatë vitit 2024. “Prishtina me gati 500 mijë banorë për një vit nuk ka buxhet sa qarkullon punëtori i vetëm i NOA-s”, ka deklaruar Ismaili. Nënkryetari i PDK-së ka thënë se çështja, sipas tij, nuk lidhet vetëm me shumën e parave të shpenzuara për energji, por me mënyrën se si është organizuar tregu dhe furnizimi energjetik. Ai e ka akuzuar qeverinë se ka krijuar një model që e bën Kosovën të varur nga tregjet e jashtme dhe kompanitë ndërmjetëse, ndërsa kostot përfundimtare rëndojnë mbi konsumatorët. “Qeveria nuk është vetëm vëzhguese e pavëmendshme, por faktor kyç në modelin e varësisë”, ka thënë Ismaili. Në fund, ai ka lidhur kritikat për sektorin e energjisë me zgjedhjet e 7 qershorit, duke kërkuar votën për kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
