Vëlla Zamir, ky përvjetor është më shumë se një datë simbolike, është një dëshmi e përkushtimit, e vizionit dhe e dashurisë për një mision të madh që e nis me idealizëm e besim të plotë. Uroj nga zemra që Zoti të të japë shëndet, forcë e mundësi që ky medium i dritës dhe i së vërtetës të ecë përpara edhe për dekada e shekuj të tërë. TV Dielli është bërë shtëpia e fjalës së lirë, e kulturës, e shpirtit atdhetar dhe e vlerave që e mbajnë të gjallë ndërgjegjen kombëtare. Nuk është vetëm një ekran, por një mision që ndriçon rrugën e njerëzve të mirë që kërkojnë dritë, shpresë dhe vlera në një kohë plot sfida.
Ky përvjetor, megjithatë, na gjen me një mungesë të madhe.
Përulemi me mall e krenari para kujtimit të babit tonë, profesorit, ideatorit dhe themeluesit shpirtëror të këtij televizioni, prof. Ahmet Qeriqit. Ai ishte zemra që rrihte në çdo projekt, mendja që frymëzonte çdo nismë dhe dora që përkrahte çdo hap të TV Diellit. Me përkushtimin e tij, me penën e ndritur dhe vizionin e qartë, ai ndërtoi një themel të fortë mbi të cilin sot qëndron ky medium me dinjitet e respekt. Edhe pse fizikisht nuk është më me ne, fryma e tij jeton në çdo faqe, në çdo emision, në çdo zë që kumbohet nga ky ekran. Kujtimi i tij mbetet udhërrëfyes për të gjithë ne që besojmë në misionin e tij të ndritshëm.
Vëlla Zamir, ti e ke dëshmuar se je trashëgues i denjë i veprës dhe amanetit të Babit.
Si krah i djathtë i babait, ti e ke mbajtur gjallë frymën e tij, por edhe e ke zgjeruar e pasuruar më tej vizionin e TV Diellit. Në çdo nismë të re, në çdo përmbajtje e projekt, ndjehet qartësisht dora jote e sigurt dhe përkushtimi yt profesional. Realizimi i dokumentarit të fundit, pa praninë fizike të babait, ishte prova më e madhe se mësimet e Tij i ke përvetësuar plotësisht. E ke dëshmuar se dashuria, disiplina dhe ndjenja e përgjegjësisë janë trashëgimia më e madhe që Babi la. Me punën tënde, ke dëshmuar se TV Dielli nuk ka perënduar.
Uroj nga zemra që TV Dielli të vazhdojë të rritet, të forcohet dhe të profesionalizohet në çdo drejtim.
Koha po sjell sfida të reja për median, por edhe mundësi të pafundme. Besoj se me vizionin tënd dhe me ekipin që ke ndërtuar, do ta çoni këtë medium drejt majave të suksesit. Të gjitha nismat që ke ndërmarrë deri më sot tregojnë përkushtim, pasion dhe respekt të thellë për publikun. TV Dielli është bërë një dritare e kulturës, artit, historisë dhe atdhedashurisë. Dëshira ime e sinqertë është që çdo ditë, të bartë më shumë ndriçim, profesionalizëm dhe dashuri për kombin.
Në këto nëntë vite, TV Dielli është dalluar qartësisht nga çdo medium tjetër.
Përmbajtja e programeve është me identitet të fortë kombëtar. Kjo është arsyeja pse shikuesit e Tv Diellit, janë njerëz të besueshëm, të sinqertë, me vlera të larta dhe me shpirt atdhetar. Ata nuk janë thjesht publik, por familja e madhe e TV Diellit, bashkudhëtarë në rrugën e dritës dhe të vërtetës. Lidhja shpirtërore me ta, është një besim që nuk blihet me reklama apo statistika, por fitohet me përkushtim, ndershmëri dhe dashuri për punën.
Në fund, një falënderim i thellë për të gjithë bashkëpunëtorët.
TV Dielli ka dhënë një pjesë të shpirtit të tij për të mbajtur gjallë këtë vatër të dritës. Faleminderit për punën, për besimin, për orët e gjata e sakrificat që shpesh nuk shihen në ekran, por që ndihen në çdo sukses. Ky përvjetor është i juaji, i secilit që me zemër e ndërgjegje ka punuar për ta mbajtur Diellin të ndezur. Le të jetë ky përvjetor një frymë e re për të ecur përpara me besim, përkushtim dhe dashuri – për Atdheun, për publikun dhe për kujtimin e përjetshëm të profesorit Ahmet Qeriqi, njeriut që ndezi këtë dritë të pashuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
