Urime Radios-Kosova e Lirë në përvjetorin e 13-të

Dilaver Goxhaj: Zotërinj drejtues të Radio Kosova e Lirë,  më lejoni që në emër të vullnetarëve të radhëve të UÇK, nga trojet shqiptare jashtë Kosovës, të grumbulluar në shoqatën “Vullnetari i Lirisë”, t’u përshëndes me rastin e 13 vjetorit të themelimit të kësaj radioje, në zjarrin e asaj lufte çlirimtare, ku, pa propagandën e saj nuk mund të krijohej situata psikologjike e domosdoshme për çdo veprim luftarak dhe politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa atë propagandë lufta e jonë nuk do të kishte orientimin e duhur në popull, sepse duhej që një institucion si ajo radio të arsyetonte ngritjen e popullit në luftë. Duhej patjetër një propagandë e tillë që ta bënte popullit të mos kishte frikë nga reprezaljet e policisë dhe ushtrisë serbe për shpëtimin e Atdheut. Me respekt!


 


Isuf Ismaili:  Radio Kosova e Lirë është zëri i shpresave shqiptare, është zëri i të gjithë atdhetarëve shqiptarë të shpërndarë në të gjitha trojet etnike, e fatkeqësisht një pjesë jo e vogël e këtyre atdhetarëve janë shpërndarë edhe në vende të ndryshme të botës, të cilët i ngushëllon dhe jua forcon shpresat, dinjitetin, qenësinë e krenarinë shqiptare, pikërisht Radio Kosova e Lirë. Radio Kosova e Lirë është një zë burimor shqiptar, që jehon me dashurinë e shenjtë për atdheun e njerëzimin. Ky zë ka dalë pikërisht nga flakët e luftës për liri e bashkim kombëtar në kohën e heroizmit të luftës së UÇK-ës.


 


Ashtu si gjatë kësaj Lufte madhështore e krenare, por edhe pas saj, Radio Kosova e Lirë është pjesë e kësaj madhështie, krenarie e heroizmi duke  qëndruar fort e ngulitur në tokën stërgjyshore shqiptare, duke u bërë zëdhënëse e  dëshmorëve dhe e heronjve që e derdhën gjakun për liri, për drejtësi e për bashkimin kombëtar. Radio Kosova e Lirë duke pasur qëndrime të drejta e dinjitoze, duke shfaqur përkushtimin ndaj idealeve shqiptare , duke qenë vazhdimësi e denjë e rrugës për lirinë e njëmendtë, duke qenë jehona e veprave madhështore e heroike e dëshmorëve e heronjve, e luftës së shenjtë të UÇK- ës, duke qenë mbështetëse e përkrahëse e invalidëve, të  familjeve të dëshmorëve, e ushtarëve të UÇK- ës, e të gjithë patriotëve e atdhetarëve shqiptarë, e rrugës së njerëzishme, e historisë kombëtare, e veprave të çmuara njerëzore, duke informuar, analizuar e komentuar në kuptimësinë e mirëfilltë intelektuale, parimore ngjarjet në trojet etnike shqiptare, gjendjen në Shqipërinë e tërësishme etnike, duke publikuar tema kulturore, duke publikuar edhe tema letrare e gjuhësore, folklorike, duke qenë zëdhënëse e aspiratave për liri e bashkim kombëtar etj., është bërë pjesë e pandarë e shpirtit dhe frymëzimeve të çdo shqiptari atdhetarë kudo në botë. Me rastin e 13 vjetorit të Radios Kosova e Lirë, uroj nga zemra punë dhe veprimtari të mbarë e të suksesshme të gjithë punonjësve të saj, ju uroj gjithashtu shëndet e mbarësi. Uroj që zëri i saj të buçasë në të gjithë Atdheun, në tërësinë e tij të natyrshme, por edhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Uroj që zëri i saj të mos shuhet kurrë dhe të ketë gjithnjë përvjetorë të suksesshëm.


 


Salaudin Sela: Në emër të familjes sime dhe në emrin tim personal, ju përgëzoj për punën Tuaj të madhe që keni bërë dhe po bëni për çdo ditë.  Radio-Kosova e Lirë ishte një zë që doli nga malet dhe e mori dhenë. Ishte zëri që ua rriti shpresat shqiptarëve për Liri. Ishte zëri i së vërtetës, zëri paralajmërues i lirisë së Kosovës, zëri i ardhmërisë së lirë. Ishte një zë në eter që tmerroi forcat armike, zë që  u vrau virulencën dhe mitin për Serbinë e madhe e të fuqishme. Zëri i Radios-Kosova e lirë, “varrosi” durimin shumëvjeçar të shqiptarëve dhe paralajmëroi çlirimin e vendit përmes grykës së pushkës, përmes jehonës së krismave çlirimtare  të legjendarit Adem Jashari dhe të bijave e bijve më të mirë dhe më të përkushtuar të kombit. Uroj, që edhe në të ardhmen, ky zë të jetë zëri i mbrojtjes së vlerave kombëtare dhe të luftojë kundër tendencave të shpërlarjes së identitetit, të jetë zë kushtrimuar i bashkimit të të gjithë shqiptarëve.


Edhe njëherë urime!


 


 Milazim Kadriu: Urimet më të përzemërta zërit të lirisë, me rastin e përvjetorit të 13-të  të punës së suksesshme. Radio “Kosova e Lirë” u linde në tymin dhe në flakën e barotit të UÇK-së së lavdishme! Përditë e më shumë po rritesh dhe po lëshon shtat në luftë për mbrojtjen e identitetit shqiptar dhe në luftë për realizimin e amanetit të dëshmorëve të rënë brez pas brezi – Bashkimit Kombëtar!  Jeni zëri i lirisë ! Jeni zëri i pastër shqiptar ! Jeni nderi i kombit ! Dëshiroj të keni jetë të gjatë dhe të kremtoni edhe shumë përvjetor të suksesshëm si edhe deri tani me punë dhe veprimtari atdhetare. Me shumë respekt.


 


Veteranët nga Drenica: Urime dhe gëzime Radios Kosova e lirë, zërit më të ndërgjegjësuar të kombit, zërit të lirisë që ende na mban gjallë me emisione për dëshmorët, për invalidët e veteranët.  Kjo Radio e lindur në flakën e luftës çlirimtare vazhdon traditën dhe ruan vlerat e luftës sonë për liri e pavarësi. Radio-Kosova e Lirë është mediumi më i pavarur  dhe më i besueshmi në Kosovë. Për jetë e mot zëri i lirisë, zëri i Radios-Kosova e Lirë!


 


Kadri Rexha: Radio-Kosova e Lirë dje: zë lirie malesh arbërore, kambanë kushtrimi në çdo vatër shqiptare, zë i çlirimtarëve në beteja të përgjakura, mbrojtëse bindëse e luftës çlirimtare, ndërsa sot: mbrojtëse besnike e vlerave të luftës, përçuese e traditave përparimtare kombëtare, zëdhënëse e porosive të dëshmorëve të atdheut, zë i urtë i idealistëve të pathyer në sprova të kohës,  zë i bashkimit të pandalur të kombit dhe trojeve të Atdheut, me programin e saj kombëtar dëshmon një veprimtari sa kolosale aq edhe heroike. Dëgjueshmëria e madhe e saj, në këtë kohë akulturimi , shkombëtarizimi dhe dehumanizimi për shqiptarët, flet zëshëm dhe e arsyeton ekzistencën. Të këtillë e paçim deri në realizimin përfundimtar të aspiratave të Kombit Shqiptar!  Nga zemra: Urime Ditëlindja e Trembëdhjetë!


 


Murat Musliu: Duke uruar qe viti qe sapo kemi hyre, te jete vit tjeter i suksesshem ne punen tuaj, deshirojme gjithashtu t’ju urojme pervejtorin e 13-te te punes se Radio Kosoves se Lire, me deshiren per arritje te medha dhe suksese te reja. Me respekt, Murat Musliu dhe stafi i Radio Drenicës.


 


  Mehmet BISLIMI: Çuditërisht


 


Me dashje do thosha diçka


sikur ta gjejë atë


që të tjerët nuk e kanë thënë


 çuditërisht


nuk kishte mbetur as edhe një pëllëmbë vend


rrugën kishin zënë thashethemexhinjtë


mbi atë që nuk shkruhet


e që nuk thuhet


çuditërisht më kishte shtënë forca


e muzës së parë


që u përmbyll me një zanore


prapë


të njëjtit njerëz


gjëra të njëjta po thonë


për një botë të tërë keq po flasin


vetëm ti


ke diçka që të tjerëve ju mungon


qartësia e gjuhës me të cilën fletë


guximi për t’iu thënë gjërave


në emër të vet.


 


 Qerimane Polisi: Për ju  respekt “Kosova e Lirë”


 


Historinë e bëjnë veprat e njerëzve


Që e shkruajnë me shkronja gjaku


Historinë e shkruajnë vetë ata


Që u punon pushka e çarku.


 


Faqet e historisë edhe ju i mbushët


Me zërin tuaj të lirisë


Që i bëri ballë gjëmimit e stuhisë


E vetes ia bëtë vendin në faqet e historisë.>>>


 


Zëri juaj i fortë mbi eter kumboi


E në tymin e barotit, armikun tmerroi


Si gjylja e topit jehona ushtoi


Zëri juaj liridashës ushtarët frymëzoi.


 


Malit ju u ngjitët me armatimin tuaj


U gjendet aty ku u derdh vaji e loti


Lavditë për ju janë shkruar


E janë pak fjalët për t’ju përgëzuar.


 


Ju me modestinë ashtu të palodhur veten madhëroni


I pritshi me sukses edhe shumë vite


Në faqet e nderit prore të qëndroni


Me zërin tuaj edhe më tutje të na frymëzoni.


 


Labinot Dervishaj: Radio Kosova e Lirë, urime ditëlindja e 13-të! Ju ishit zëri me kushtrimtar pas pushkës se Adem Jasharit në luftën tonë të lavdishme çlirimtare. Ah sa kanë pas dëshiruar ato hordhitë e mallkuara sllave të u’a shuajnë zërin që ju e shpërndanit ju për  KOSOVË E LIRË…..  Por jo as zoti nuk thotë të shuhet zëri i drejt, zëri i arsyes, zëri që aq bindshmen thërriste lirinë e një populli, zeri qe jepte motiv në zemer te çdo shqiptari. Por edhe sot vazhdoni të promovoni e të shpërndani frymën e atdhedashurisë dhe respektit të luftës e vlerave te saj e në theks të veçantë për dëshmoret  e kombit. Si një fëmijë që isha gjatë luftës nga ju jam frymëzuar por edhe sot vazhdoj të frymëzohem vetëm nga kjo frekuencë 94.2  Radio Kosova e Lirë. Edhe gjate studimeve për çdo çast jam frymëzuar pikërisht nga Radio Kosova e Lirë Sa të ekzistoj jeta në ketë planet u dëgjoftë zëri i juaj  i ëmbël!


 


 Abdullah Prapashtica:  Së bashku me urimet e mija për punën e juaj të mbarë ju dëshiroj sukses të reja ne rrugën e krenarisë të  kombit në të cilën ju keni ecur  drejtë deri me tani. E di se pas juve është veprimtaria e gjatë brenda LPK e UÇK famë mëdha ! Tani së shpejti është edhe përvjetori  i 30 jubilar i LPK,  të themeluar me 17 shkurt 1982 si dhe përvjetori i vendimit mbi themelimin e UÇK, me 04 shkurt 1991, nga e cila fole dolët  edhe ju dhe ku keni kontribuar edhe ju si aktivist të dalluar të LPK. Prandaj urime edhe për këto përvjetore të LPK (e të UÇK), si Nënë e të gjithë luftëtarëve të saj. Misioni që del nga Programi i LPK  dhe nga Betimi i UÇK lidhet ngush me misionin që ka  RADIO KOSOVA E LIRË  si agjenci e lajmeve dhe që keni edhe  ju personalisht. Ky mision akoma nuk është realizuar në tërësi, andaj RADIO KOSOVA E LIRË  edhe në të ardhmen e presin sfida të reja gjatë kryerjes së detyrave të veta profesionale në drejtim të përmbushjes së aspiratave finale  kombëtare.  E paçi gjithmonë faqen e bard, në rrugën e bashkimit kombëtar.


 


Ali Uka: Radio Kosova e Lirë lindi nga Lufta e Çlirimtarëve! Lindi nga Tyta e Pushkës!, Lindi nga Zjarri i  Armëve Çlirimtare! Lindi nga djemtë me zemër të madhe, të prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jasharit! Pa luftën psikologjike të djemve të Radio Kosovës së Lirë, përmes zërit të saj,  pa propagandën e djemve të Radio Kosovës së Lirë, përmes zërit të saj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta kishte shtrirjen në të gjitha trojet etnike shqiptare!. Radio Kosova e Lirë ishte zëri i Popullit, zëri i Popullit ishte Zëri i Radio Kosova e Lirë!  Në përvjetorit e 13-të të punës së suksesshme, ju uroj edhe qindra përvjetorë, uroj ta mbroni Zërin e Lirisë, Zërin e Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç e mbrojtët: dje, siç e mbrojtët sot dhe, do ta mbroni edhe nesër!  Urime, urime, urime!


 


Shoqata Atdhetare “GRYKA E LUMËS” me seli ne Hanover, i percjell urimet me te perzemerta me rastin e 13-vjetorit, Radios-Kosova e Lire. Ne, konsiderojm se perpos krismave te pushkeve te Ushtrise Çlirimtare te Kosoves dhe kushtrimit te Komandantit Legjendar Adem Jasharit,Radio-Kosova e Lire ishte faktori me i rendesishem kombetar. Zeri i RKL-es, u jipte shprese luftetareve te Ushtrise Çlirimtare te Kosoves,ne beteje te drejteperdrejt me cetnikoserbianet dhe mercenaret ruse dhe te gjithe bashkeatdhetareve kudo ku merrnin fryme me ankth ne trojet e Arberit… Guximi i gazetareve i Radio-Kosova e Lire, ishte i pashoq dhe konsiderohej me i rrezikshem se mamzerret e krahut. Ishte bere hal ne sy per bandat vrastare serbiane, qe pritnin shqiptare me sakice dhe thernin me hanxhar. Doren ne zemer RKL. ishte shpresa e kombit dhe e lirise. Nuk e pelqenin tradhtaret dhe langojte TITIST. Shoqata Atdhetare “Gryka e Lumes”,falenderon dhe u ka borxh Radio-Kosova e lire, sepse shpwerndohu edhe zerin e komunikatave te shoqates.


Dhe krejt ne fund, Shoqata Atdhetare “GRYKA E LUMËS” me seli ne Hanover, i pergzon gazetaret trima e burra per punen qe kane bere dhe po bejne. Ne u hecim kapelen ne shenje respekti…


URIME,URIME DHE VETEM URIME! Per Shoqaten Atdhetare “Gryka e Lumës” me seli ne Hanover, RESHAT BADALLAJ,kryetar.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …