Vaxhid Sejdiu: Doli Numri Dhjetë i Revistës „Bashkimi“ në Uster të Zvicrës

Vaxhid Sejdiu: Doli Numri Dhjetë i Revistës „Bashkimi“ në Uster të Zvicrës

Festat e  fundvitit sollën edhe numrin dhjetë të revistës “Bashkimi” në Uster të Zvicrës, e cila sjell në faqet e saj rezultatet e një pune dhe përkushtimi të vazhdueshëm në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Tani më Shoqata “Bashkimi” është bërë emër i përveçëm në mesin e shoqatave kulturore jo vetëm në Zvicër por edhe më gjerë. Një vlerësim i tillë vjen edhe nga Agjencia Kombëtare e Diasporës në Tiranë, e cila në letrën e saj drejtuar shoqatës thekson “Kjo shoqatë ka mundësuar vazhdimësinë e vlerave të shqiptarisë në të gjitha familjet e kombësisë shqiptare banuese në zonë e rrethina të Cyrihut, plot aktivitete kulturore kënde letrare, panair libri, ngritjen e grupit folklorik me të rinj të lindur në Zvicër që morën pjesë edhe në Festivalin Folklorik Kombëtar të këtij viti në Gjirokastër dhe zhvillon aktivitete në vazhdimësi.”

Në faqet e para lexuesi do të njihet me anëtarët e shoqatës, me një varg informatash nga aktivitetet e fundit: regjistrimin e anëtarëve të rijë, orarin e grupeve të valleve, riorganizimin e grupeve të valleve, pjesëmarrja e anëtarëve të shoqatës në Birr (në ditën e përkujtimit të gjenocidit në Kosovë), në takimet në Wald, në aktivitetin e organizuar në Uster “Tag der guten Tat”, në festën e shoqatave në Uster, pjesëmarrja në programin e Radio Televizionit Zviceran SFR me një valle popullore, në Festivalin ndërkombëtar folklorik në Cyrih “Internationales Volkstanztreffen Zürich”, si dhe “qershia mbi tortë” pjesëmarrja dinjitoze dhe e merituar në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër 24 qershor – 01 korrik 2023.

Pjesëmarrja e valltarëve të shoqatës në festivalin kombëtar pas një punë shumë vjeçare dhe atë në prag të 30 – vjetorit të themelimit të shoqatës, padyshim është maja e suksesit gjë që prezantohet në faqet 20-25 të revistës, duke sjellë pamje dhe emocione nga ky festival kombëtar në skenën e të cilit u paraqitën me një valle popullore nën koreografinë e Gëzim Alimehmetit.

Nga manifestimet e vitit të kaluar (2023) do të veçojmë takimin me gazetarin dhe veprimtarin e mirënjohur të trojeve shqiptare Marin Memën, manifestimet tradicionale ato kushtuar pavarësisë së Kosovës organizuar nga shoqata më 18 shkurt 2023 në Uster, manifestimi kushtuar 30 vjetorit (ditëlindjes së shoqatës) të zhvilluar me datën 28 tetor 2023, në sallën e qytetit në Uster si dhe manifestimit kombëtar kushtuar 28 Nëntorit – ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Aktivitetet e Shkollës Shqipe në Zvicër janë dëshmi e gjallë e një pune dhe përkushtimi të veçantë. Si zakonisht redaksia e revistës nën drejtimin e veprimtarëve Guximtar Alushi dhe Bekim Bajraktari, i kanë dhënë hapësirë të mjaftueshme sukseseve dhe aktiviteteve të nxënësve në mbarë Zvicrën. Dallojmë manifestimin e përbashkët, që u organizua me 1 tetor 2023 në sallën e  qytetit në Uster me titull simbolik “Një varg, një këngë, një tufë lule për Dritëroin” kushtuar 92 – vjetorit të lindjes së poetit kombëtar Dritëro Agollit, dhe përkushtimit të veçantë në rrugëtimin e hapjes së pikave të reja shkollore, për të cilat është bërë një punë e jashtëzakonshme, me qëllim që pikat shkollore sot të kenë më shumë mësues, më shumë nxënës dhe natyrisht më shumë prindër që mundohen që fëmijëve të tyre t`ua ruajnë gjuhën amtare. Dhe gjithë ky përkushtim është prezantuar në pika të shkurtra në faqet 42-49 të revistës ku lexuesi njihet me hapjen e pikave shkollore në Cham, të kantonit të Zug-ut, në Feurthalen, në Dietlikon, në Effretikon, në Fahrweid, në Dällikon, të Kantonit të Cyrih-ut, Bad -Zürzach, të Kantonit të Argau-t, në Pratteln të Kantonit të Baselland-it, në Niedrgösgen, të Kantonit të Solothurn-it etj.

Në këtë revistë ashtu sikurse edhe në numrat e mëparshëm lexuesi ka mundësi të njihet edhe me trojet shqiptare me historinë dhe gjeografinë e tij. Historiku i Gjirokastrës fytyra heroike e atdhetarëve dhe heronjve të kësaj ane identifikohet me portretin e Çerçiz Topullit, në faqet 53-55. Nuk mungojnë as falënderimet për sponsorët e përhershëm të shoqatës, të cilët padyshim janë shtyllë e fortë e organizimit.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani

Zymer Mehani: Ushtar Shabani dhe thirrja e atdheut

(Tregim për dëshmorin e kombit, Shaban B. Avdiu, në përvjetorin e rënies) Në një natë …