Rexhep Qosja

VELI VELIU: AKADEMIK REXHEP QOSJA SHKRIMTAR I PERMASAVE BOTËRORE

Akademik Rexhep Qosja, është shkrimtari dhe studiuesi më i madh i letërsisë shqiptare në kohën tonë! Jeton në Prishtinë dhe është krijues shumë prodhimtar në gjini të ndryshme letrare! Nga vepra e parë deri te e fundit të gjitha janë me peshë të madhe dhe kanë vlera të larta ideo-artistike dhe estetike! Sa i përket shtrirjes së harkut kohor, nga aspekti i përmbajtjes janë me tematikë nga aktualiteti i kohës sonë, por edhe nga e kaluara e dhimbshme dhe krenare e popullit shqiptar!

Akademik Rexhep Qosja veprimtarinë e bujshme krijuese nuk e ndërpreu as në periudhën më të vështirë në njëzet vitet e shtypjes dhe dhunës më të egër, e njohur si kohë çmendurie e Millosheviqit. Në botë ka plotë raste kur krijuesit e mëdhenj të një letërsie, kur s’ janë pajtuar me dhunën dhe shtypjen e pushtetit të vet, ose kur janë pushtuar nga ndonjë fuqi ushtarake e vendit të tjetër, me vite të tëra kanë pushuar të jenë aktiv në jetën kulturore e letrare në vendit e tyre! Kjo është e njohur si rezistencë pasive, por kështu nuk ka ndodhur me shkrimtarin e madh Rexhep Qosen!

Kompleti i plotë i veprave të tij është voluminoz, pas luftës çlirimtare është botuar nga një ekip i zgjedhur studiuesish të Instituti Albanologjik, ku punoi gjatë tërë jetës. Madje edhe pasi ka dalë në pension ai punon me orar të gjatë në një zyrë të institutit! Kompleti i veprave të tij është jashtëzakonisht i madh dhe të mahnit në pamjen e parë! Lirisht mund të them se është më i madhi nga një shkrimtar i gjallë shqiptar, dhe përfshinë një tematikë të gjerë, ku nga punua kolosale përmblidhet gjerësisht problematika jetësore e shpirtërore e popullit shqiptar. Kurse nga gama e gjerë e interesimeve të tij shtrihet në disa fusha të studimeve dhe kontributin më të madh dhe shterues e ka dhënë në studimin e figurave të ndritura të Rilindjes Kombëtare!

Qosja si shkrimtar e studiues i dalluar i letërsisë u preokupua shumë edhe me gjendjen politike në vendin tonë, pa u kufizuar vetëm në hapësirën e errësuar të Kosovës dhe në viset shqiptare rreth saj! Tërë kohën ishte zëdhënës i guximshëm i aspiratave për liri dhe bashkim kombëtar, qëndroi pararojë në mbrojtje të popullit shqiptar! Ai e akuzoi haptas gjenocidin e pushtuesit jugosllav, në mënyrë të veçantë Serbinë fashiste! Dhe duke rrezikuar veten dhe familjen ju kujtoi se e pati një shpërthim të rrezikshëm para shtëpisë së tij në Kodër të Diellit! Edhe pas këtij rasti të rënë nuk e uli zërin, vit për vit me mendimin e fuqishëm akademik e demaskoi gjithnjë propagandën e rrejshme të Beogradit!

Në njëzet vitet e terrorit të tmerrshëm serbo- sllav nga mesi i viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar e kundërshtoi rreptë rrënimin e asaj gjysmë autonomie në Kosovë dhe ju kundërvu makinerisë propagandistike serbomadhe që mundohej ta fshihte të vërtetën me forcën e pushtit kriminal fashist, duke ua shkelur shqiptarëve të drejtat më elementare për shkollim, punë e jetë! Nga Prishtina botës demokratike ia bëri me dije zullumin e madh dhe shtypjen çnjerëzore të Beogradit dhe kur ju ndalua çdo paraqitje me gojë e me shkrim në mjetet e informimit në gazeta, radio e Televizionin e vetëm publik të Kosovës, ai fliste e shkruante për mjetet e huaja në Zagreb, Lubjanë, në Radio Evropa e lirë, Zërin e Amerikës etj. E në mënyrë të veçantë fliste e shkruante për mjetet e informimit në shtetin amë, në Tiranë! Për trazirat e jetës së përditshme në rrugët e sheshet e Prishtinës, për arrestimet, burgosjet e vrasjet gjatë demonstrimit! Në kthetrat e hienave gjakpirëse ishte një popull që përgjakej në zemër të Evropës! Akuza të fuqishme bënte edhe kundër padrejtësive të fuqive të mëdha që e copëtuan pamëshirshëm Shqipërinë në konferencat ndërkombëtare dhe nga ajo kohë më shumë se gjysma e popullit shqiptar ju shtrua programeve shfarosës të vendeve fqinje, kurse Serbia milloshiviane e bënte edhe një përpjekje të fundit për ta zhbërë popullin duarthatë të Kosovës, që e kishte çarmatosur duke ia marrë me polici në familje edhe armët e gjuetisë që i kishin me leje!

Akademik Rexhep Qosja me paraqitjet e shpeshta me gojë e me shkrim herët u vu në mbrojtje të popullit të Kosovës! Në vlimet më të mëdha të kohës duke forcuar frymën e rezistencës aktive e forcoi ndjenjën atdhedashëse për liri e jetë të pavarur! Ai ua bëri me dije të gjithëve të drejtën e njeriut për të jetuar i lirë në vendin e vet nuk mund ta pengojë asnjë fuqi politike e ushtarake! Qenia njerëzore ka të drejtë ta projektojë të ardhmen e vet në ëndrrat dhe imagjinatën e vet, një ditë pas gjithë atyre furtunave ta sendërtojë idealin për jetë të pavarur duke u lidhur për jetë e vdekje me prijësin e popullit të vet!

Akademik Rexhep Qosja me keqësimin e situatës politike e shoqërore u vu guximshëm në krye të popullit të vet. Me vite të tëra ishte zëri më i fuqishëm i lirisë, jo, nuk mbeti vetëm përkrahës i ngjarjeve të mëdha që i dhanë vulë kohës së re sepse si intelektual i dorës së parë ishte shkrimtar i angazhuar politikisht me mish e shpirt për ta mbrojtur popullin e ndaluar! Një nga veprat e tij e mban këtë titull! Dhe ende i lufton rreptë të gjitha dobësitë që manifestohen negativisht në jetën politike në Kosovë e në Shqipëri!

Vepra voluminoze letrare e filozofike e Qoses përfshin shumë burime frymëzimesh, prandaj është shumë komplekse dhe duhet trajtuar nga këndvështrime të shumta për të zbuluar aspekte të ndryshme përmbajtjesore! Si intelektual e krijues i madh i letërsisë, koha e kërkoi angazhimin e tij edhe pse nuk kaloi drejtpërdrejt në politikë, kur intelektualët kërkuan ta udhëhiqte partinë më të madhe në Kosovë! Qosja, luftën e rreptë me penë për mbrojtën e popullit të Kosovës, e bëri në dy fronte, letërsisë shqiptare i dha vepra me vlera të larta letrare e shkencore dhe asnjëherë nuk zbriti nga skena politike! Ai, si personalitet i shquar i letrave shqipe e kishte dhe ende e ka fuqinë akademike të një partie politike!

Opusi i madh krijues i akademik Qoses është i shumëvëllimësh dhe është e denjë të përkthehet dhe prezantohet te kulturat e letërsitë e mëdha të popujve të Evropës dhe të botës! Rruga e tij jetësore është e gjatë, në këtë vit shënohet 86 vjetëri i lindjes dhe i punës shumë të frytshme letrare e shkencore. Askush si akademiku ynë nuk e ka shfrytëzuar përvojën e begatshme, gati shekullore, për të mirën e popullit shqiptar! Punën e tij kolosale e vështrojmë sot e gjithë ditën në mënyrë të veçantë, sepse edhe në këtë moshë të pleqërisë së shtyrë është këmbëngulës në punën krijuese dhe nuk ka shenja të lodhjes që të dorëzohet! Vepra e tij e madhe është në thelb humaniste me mendime të thella e të fuqishme sepse është mishërim i jetës me synime të larta për ta mbrojtur lirinë dhe për të jetuar në paqe shqiptarët andej e këndej Drinit me synim të përhershëm të bashkimit, si popujt e tjerë në Evropë dhe në botë!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …