Brickos

VELI VELIU: JEHONA E REÇAKUT NË BOTË        

VELI VELIU: Shkrimtarët shqiptarë dhe përkatësia e tyre fetare

Krijimtaria letrare e artistike e shkrimtarit të shquar të traditës,  Migjenit, përfshirë poezinë dhe prozën e shkurtër, bashkë me novelat e tij, për herë të parë sjell frymën moderne në letërsinë shqipe! Temat dhe motivet që i trajtoi ky shkrimtar i talentuar janë vjelë drejtpërdrejtë nga jeta e varfër shqiptare në qytet dhe në fshat! Mënyra si krijuesi i qaset ngjarjeve të ndryshme dhe depërtimin në thelbin e tyre bëhet me një ndjeshmëri të lartë, prandaj me të drejtë është thënë nga kritika se te ky artist i rrallë i fjalës së shkruar shqipe ka shpërthime nga thellësia e shpirtit që karakterizohet me vrullin e jashtëzakonshëm rinor, sikur ta dinte se do të jetonte shumë pak!

Migjeni ynë, poeti i mjerimit, i çmuar lart nga kategoritë e ndryshme të lexuesve dhe nga kritika letrare për vlerat artistike e estetike në veprën e tij të njohur Vargjet e lira, si shumë shkrimtarë shqiptarë para dhe pas jetës së tij, nën rrethana të okupimit janë shkolluar, por edhe i kanë krijuar veprat e tyre jashtë hapësirës së Shqipërisë! Edhe në periudhën e pavarësisë, menjëherë pas vitit 1912, shkrimtarët tanë janë shkolluar në gjuhë të huaj, sidomos shkrimtarët që mbetën në viset shqiptare jashtë Shqipërisë me dy qendrat më të mëdha arsimore, kulturore e administrative Prishtinën dhe Shkupin. Pas Luftës së Dytë Botërore në një varfëri të skajshme e shtypje brutale të pushtetit të ashtuquajtur socialist jugosllav, shkrimtarët janë detyruar të shkollohen në gjuhë të huaj, siç është shkolluar në gjuhën serbe Migjeni! Sa i përket familjes së tij, për shkak të gjendjes së rëndë materiale, sidomos pas vdekjes së prindërve shqiptarë, që u shpërngulën nga Reka e Dibrës dhe u vendosën në qytetin verior të Shkodrës, në mes të lagjes së banuar me shqiptarë katolikë dhe lagjes me shqiptarë të myslimanizuar nga pushtimi i hershëm turk, theksohet shkollimi i mesëm në gjuhën serbe në qytetin e Tivarit, gjimnazi i ulët dhe në gjimnazin e lartë në qytetin e njohur të Manastirit! Këto dy qytete me shumicë shqiptare, që nga Konferenca e Londrës, me vendimin e fuqive të mëdha, mbetën jashtë kufirit shtetëror të Shqipërisë! Dhe nuk e di sa kanë të drejtë biografët e tij të theksojnë se Migjeni, si shqiptar i besimit ortodoks u shkollua në vend të huaj, kur dihet se pjesa më e madhe e Maqedonisë së Veriut është tokë e jona dhe sot jetojnë shqiptarët autokton! Prandaj shkrimtari i përndjekur i regjimit komunist dhe refugjati që ishte një vit në Jugosllavinë e atëhershme, Arshi Pipa,  s’ ka pasur të drejtë aspak  në një shkrim të tij Migjenin ta quaj shkrimtar me prejardhje sllave, përkundër pretendimeve të krijuesve serbë që e kanë në gjak përvetësimin e shkrimtarëve të huaj dhe t’ i paraqesin si shkrimtarë të vet! Ai, shkrimtari Pipa, bazohet edhe në një element të dytë se Migjeni ka punuar në fshatin Vrak, pak më larg Shkodrës, ku kanë banuar banorë të besimit ortodoks dhe mësimi në shkollë është zhvilluar në gjuhën serbe! Migjeni në krijimtarinë e tij poetike dhe në prozë askund nuk ka dhënë asnjë shenjë gjurme se mund të dyshosh te ndonjë element më të voglin të ketë tjetër përkatësi kombëtare, pos si shqiptar i vërtetë, siç është poeti i shquar  Lasgush Poradeci, e siç jam unë në këtë kohë ta zëmë shkrimtar shqiptar i besimit mysliman, por që nuk e praktikoj këtë fe në jetë dhe shkollimin e kam filluar në gjuhën serbe në qytetin e Vrajës. Vraja mbeti pa shqiptarë me qytetet e tjera të Sanxhakut të Nishit, pas pushtimit brutal dhe zbrazjes nga  ushtria serbe e komanduar nga oficerë rusë!

 Në kohën kur kam jetuar unë, si fëmijë, kanë jetuar pak banorë shqiptarë në këtë qytet, me popullatë përafërsisht sa Gjilani, që nuk është larg Bujanocit, siç i thonë sot ndërkombëtarët, Lugina e Preshevës! Pushteti serb, në kohën e ndryshimeve pozitive në Kosovë pas demonstratës të vitit 1968, me të gjitha mjetet në dispozicion i pengoi shqiptarët nga fshatrat malorë të kthehen prapë në lagjet e qytetit të Vrajës! Prandaj nuk i rrit numri i banorëve të rinj që i kishin banesat dhe shtëpitë të veta në qytet! Shqiptarët që jetonin e punonin në Vrajë nuk lejoheshin t’ i varrosnin të vdekurit dhe kufomat duhej t’ i bartnin në rrugët pa rrugë në fshatrat e largëta shqiptare në viset malore! As shkollimi fillor në gjuhën shqipe nuk u mundësua për shqiptarët në këtë qytet! Po nisem nga vetja ime, ditën e parë kur shkova në shkollën fillore serbe të qytetit, para meje ishte motra ime Hatixhja, në bazë të emrave u përcaktua përkatësia fetare! Ne i kishin emrat e trashëguar të pleqve; të gjyshit Veli dhe të gjyshes Hatixhe, dhe u bë zhurmë e madhe në korridor në pushimin mes orëve, sepse vinin të gjithë nxënësit e klasave të tjera për t’ më parë si duket në pamje nxënësi shqiptar, tërë kohën i lënë vetëm madje as nxënësin që e uli mësuesja nuk pranoi të ulet më me mua në bankë! Si nxënës shqiptar nuk pata siguri as gjatë udhëtimit nga banesa në shkollën fillore serbe dhe më vonë u tërhoqa me familje të jetoj dhe të shkollohem në fshatin e lindjes Muhoc, komuna e Bujanocit! Të jem pak më i qartë se po dua të them përkatësia fetare te shkrimtarët shqiptarë nuk çon peshë fare, as kur nuk e mohojmë fenë që e  kemi sot, sepse Migjeni si shkodran i besimit ortodoks ishte shqiptar, kurse unë, po krahasohem me këtë poet shumë të dashur vetëm sa i përket fesë; jam i besimit mysliman dhe jam shqiptar. Pra, në bazë të emrit dhe mbiemrit Veli Veliu me veprat që i kam shkruar në gjuhën shqipe dhe botuar deri në këtë kohë, në të gjitha gjinitë letrare, nuk mund të jem ta zëmë shkrimtar turk! Shqiptarët popull me tre- katër besime fetare, për fat të mirë shquhen për tolerancën fetare dhe armiqtë e vendit tonë me shërbimet sekrete nuk ia arritën të na përçajnë dhe ta nxitin luftën vëllavrasëse, siç ka ndodhur te popujt e tjerë që kishin më shumë se një fe! Te shkrimtarët  shqiptarë, të besimeve të ndryshme, as që zihet në gojë feja, qoftë ai besimit katolik, ortodoks, protestant dhe mysliman për shkak të vetëdijes së lart qytetare dhe përcaktimi bëhet vetëm në bazë kombëtare! Në krijimtarinë letrare e artistike te Migjeni shquhen idetë e fuqishme përparimtare të një bote të re, kurse tematika e ndryshme ka të bëjë kryesisht me jetën e shtresave të  varfra! Migjeni ka arritur në mënyrë gjeniale ta pikturojë mjerimin me ngjyrën më të zezë, si asnjë shkrimtar tjetër i kohës së tij. Poeti shkodran, Migjeni, u shoqërua me figura të shquara kombëtare dhe  herët u brumos me idetë progresive të kohës, prandaj në moshën e rinisë së pjekur ju ka bashkëngjitur lëvizjes antizogiste dhe me mish e shpirt ishte kundër imperializmit (Italian) që e kërcënonte me pushtim Shqipërinë. Migjeni, në fushën e krijimtarisë letrare ishte novator dhe haptas e ka përforcuar identitetin kombëtar, si për shembull në poezinë Zgjimi, po e theksoj togfjalëshin ne Bijtë e Shqipes dhe me një krenari të paparë i këndon zgjimit kombëtar në tokën e Arbrit duke e theksuar edhe prejardhjen e largët Ilire të shqiptarëve në një kohë shumë të errët të mbretërisë së Zogut! Pas përmbysjes së periudhës së komunizmit në Shqipërinë Nënë, në sistemin shumëpartiak të demokracisë liberale, për çudi u ngrit përmendorja e mbretit bandit Ahmet Zogut, që i vrau ose i largoi nga Shqipëria  figurat më të shquara të kombit. Përmendorja nuk ju ngrit në krahinën e Matit, prej nga e kishte prejardhjen, por mu në sheshin e gjerë të Tiranës! Regjimi reaksionar i mbretit Zog atëbotë e pati ndaluar veprën Vargjet e lira dhe e pati goditur në shpirt poetin e shquar shkodran, që më vonë, shumë vjet pas vdekjes së hershme, përkthimi i veprës së tij letrare u mirëprit në gjuhë të ndryshme të botës! 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …