Deputeti nga komuniteti egjiptian dhe kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka shprehur mbështetjen për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke nisur nga ora 14:00, ndërsa ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen këtij organizimi. Berisha ka bërë të ditur se është takuar me organizatorët e marshit, Elizën dhe Ridvanin, të cilët, sipas tij, janë duke organizuar këtë aktivitet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë. Përmes një postimi, Berisha ka thënë se vendimi në këtë proces pritet të shpallet më 16 shtator, ndërsa ka theksuar se marshimi synon të shprehë mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesën për drejtësi. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, që të marrin pjesë në marsh, duke adresuar një ftesë të veçantë për pjesëtarët e komunitetit egjiptian që t’i bashkohen organizimit. “Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, e në veçanti Komunitetin Egjiptian, që t’i bashkohen këtij marshi dhe të shprehim së bashku mbështetjen tonë”, ka shkruar Berisha. Në fund të mesazhit të tij, deputeti ka përcjellë edhe sloganin e marshit: “Bashkë për Liri, Kosova i pret çlirimtarët!”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
