Rexhep Qosja

Viktor Malaj: Rexhep Qosja. Ideolog i çështjes kombëtare shqiptare dhe luftëtar i paepur i realizimit të saj

(Nxirrni njerëz të mëdhenj, të tjerat vijnë më pas – Uollt Uitman)

Dikur na është thënë se mësuesi është si prind i dytë. Tek shumë prej nesh respekti për mësuesit ka qenë aq i ngulitur saqë edhe sot ruajmë në kujtesë disa përfytyrime, momente dhe aspekte të sjelljes dhe marrëdhënieve tona me mësuesit, duke filluar me ata të shkollës fillore e deri në universitet. Në formimin e individit figura e mësuesit dhe kontributi i mësuesve luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në përmbushjen kulturore, por edhe në konsolidimin e karakterit vetjak.

Por këtu dua të flas për mësues që i kalon kufijtë e klasës e auditorit, të fshatit, qytetit dhe krahinës. Dua të flas për mësues veprimtaria dhe kontributi i të cilit është mbarëkombëtar dhe i pakufizuar në kohë. Mësues të tillë ka pak. Jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe në vendet e tjera. Figura të tilla të mëdha, me veprat, qëndrimet dhe sjelljet e tyre, mbesin Mësues të Kombit. Ata janë të tillë jo vetëm pse janë të rrallë, por sepse veprimtaria e tyre në shërbim të popullit dhe kombit është jetëgjatë dhe me ndikime të pazëvendësueshme. Me ndikime kulturore por, mbi të gjitha, me efekte shpirtërore dhe morale.

Një mësues i tillë i shkollës kulturore dhe morale kombëtare është profesori dhe akademiku i shquar Rexhep Qosja. Ideolog i çështjes kombëtare shqiptare dhe luftëtar i paepur i realizimit të saj; shkrimtar dhe eseist i shquar; kritik letrar dhe, akoma më shumë, kritik moral i vetëdijes intelektuale dhe kombëtare; polemist i zjarrtë dhe shigjetues i së keqes dhe të pavërtetës; avokat i të vërtetave historike dhe “prokuror akuzues” i mashtrimeve dhe shtrembërimeve kulturore, historike dhe politike; lartësues i kontributeve të figurave kulturore kombëtare dhe përçmues i kulturës utilitare, Rexhep Qosja është ndër të paktët, në mos i vetmi kolos i mendimit kulturor e kombëtar sot, që ka ndikuar dhe ndikon në formësimin dhe konsolidimin e vetëdijes kombëtare të shumicës së shqiptarëve.

Krenar si shumica e malësorëve, idhnak si jo pak prej tyre dhe i ditur e i mençur si asnjë prej tyre, akademiku Rexhep Qose është një malësor që e do fushën dhe fusharakët, është një gegë që i do dhe i respekton të gjithë shqiptarët nga veriu në jugë, nga lindja në perëndim dhe  gëzon nderimin e shumicës së tyre, është një shqiptar i madh që na mëson se nuk mund ta duash realisht Shqipërinë nëse lartëson gjysmën e saj dhe përçmon gjysmën tjetër, nëse beson se njëra gjysmë duhet të dalë mbi tjetrën. Është i tillë, i madh, sepse beson dhe mëson se nuk ka pasur dhe as mund të ketë dy Shqipëri apo dy kombe shqiptare e kosovare, se Gjuha Letrare Kombëtare ka qenë dhe mbetet jo vetëm tipari kryesor unifikues kombëtar, por edhe një arritje e madhe kulturore e shpirtërore mbarëkombëtare.

Rexhep Qosja, jo vetëm me veprimtarinë e vet kulturore e publicistike, por edhe me sjelljet e tij qytetare, na mëson se nuk mjafton ta duash vendin tënd vetëm shpirtërisht, por nevojiten edhe dije e përkushtim intelektual e qytetar, nevojitet të sakrifikosh nga vetja për vendin e popullin dhe jo t’i sakrifikosh ata për të mirën vetjake; se karakteri është më i rëndësishëm se talenti, se dashuria dhe atdhetarizmi nuk janë çështje fjalësh, parullash e përbetimesh, por përcaktohen nga sjelljet, qëndrimet dhe veprimet e gjithsecilit në jetën e përditshme dhe, veçanërisht, atëherë kur rrezikohen fatet e kombit.

Qëndrimet, sjelljet dhe publicistika e Qosjes janë dëshmi e idealizmit të tij dhe përkushtimit ndaj atdheut dhe jo manovra dhe shërbime intelektuale të çastit dhe rrethanave kalimtare historike. Prandaj vepra e tij do të mbetet jetëgjatë dhe e vlerësuar lart sepse ajo nuk është përcaktuar nga përfitimet vetjake të momenteve historike, por nga shërbesa historike për të ardhmen kombëtare. Vepra e tij intelektuale karakterizohet nga konsekuenca historike, integriteti moral dhe vërtetësia faktike. Përherë i papajtueshëm me tezat dhe programet shoviniste të fqinjëve tanë dhe gjithmonë demaskues me mend i tyre; një analizues i vëmendshëm dhe i thellë i ngjarjeve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare me ndikim mbi fatet e Shqipërisë, si dhe konkludues largpamës mbi mënyrat e sjelljes që duhet të jetësojnë shqiptarët; ithtar i Shqipërisë Kombëtare, Rexhep Qosja ka ditur dhe ka mundur të japë një ndihmesë të rrallë në rrugëtimin e shqiptarëve drejt realizimit të aspiratave të tyre legjitime.

Me gjithë angazhimin e tij dyvjeçar të drejtpërdrejtë politik, politika dhe pushteti që ajo pjell nuk kanë qenë as ambiciet e tij, as domeni i tij dhe as kulmet e arritjes së tij. Rexhep Qosja duket se ka lindur dhe është edukuar për të qenë mësuesi dhe udhërrëfyesi i kombit në rrugëtimet e tij të vështira. Por ndërgjegjja e tij intelektuale dhe vetëdija qytetare e kombëtare nuk e kanë penguar asnjëherë që t’iu bëjë gjyqin historik dhe moral të gjithë sharlatanëve politikë që, me sjelljet dhe veprimet e tyre, kanë dëmtuar interesat kombëtare e popullore.

Rexhep Qosja nuk ka luftuar asnjëherë për kolltuk politik që sjell privilegje vetjake por ai, pak nga pak dhe pa ndalim, ka rritur monumentin kulturor të vetëdijes kombëtare, pushteti moral i të cilit do të jetë më jetëgjatë se dhjetëra pushtete politike të zvetënuar dhe përçudnuar nga dëshirat për sundim dhe etja për pasurim. Sundimit shpirtëror, intelektual dhe moral i përket e ardhmja, ndërsa atij politik i përket e shkuara.

Një njeri i tillë që ka shkruar aq shumë, që ka shkruar aq mirë dhe me aq vërtetësi nuk mund të mos mbetet “sundimtar” paqësor dhe i dobishëm i popullit të tij, pjesëtar i panteonit të lavdishëm të figurave kombëtare shqiptare, mësues dhe edukator i brezave të sotëm e të ardhshëm të popullit shqiptar.

Si të gjitha mendjet e ndritura ai është sulmuar nga errësira e mendjeve boshe dhe si të gjithë njerëzit e mëdhenj që punojnë për të ardhmen dhe i përkasin të ardhmes, edhe ai është sulmuar, fyer e denigruar nga shpirtrat e vegjël të vënë në shërbim të interesave të ditës, në shërbim të interesave vetjake, fisnore apo krahinore. Dhe ai ka vazhduar të qëndrojë si qiparis midis shkurreve, i lartë dhe i drejtë, i dukshëm dhe i shquar nga larg. Heshtja për përvjetorin e tij të lindjes nga spurdhjakët politikë dhe nga ndërgjegjet e korruptuara të Akademive Shqiptare të Shkencave, jo vetëm nuk ia ul vlerat e tij si shqiptar i madh por, përkundrazi, i tregon ndërgjegjes së pastër kombëtare se deri në çfarë shkalle është ngjitur vesi dhe ligësia në hierarkitë tona politike, arsimore e shkencore.

Nuk e kam takuar asnjëherë profesorin e nderuar, por takimet me veprat e tij janë të mjaftueshëm për të të ngjallur admirim, respekt dhe mirënjohje. Figura të tilla nuk largohen kurrë nga jeta e kombit të tyre, vazhdojnë të takohen pambarimisht me bashkëkombësit e tyre shekull pas shekulli. Jo vetëm takohen, por edhe vlerësohen e nderohen prej pasardhësve dhe  shërbejnë si modele qytetarie dhe atdhetarie, si mësues të së mirës dhe armiq të përjetshëm të së keqes.

Prandaj, në këtë 80 vjetor të lindjes së tij, urimet për shëndet, jetëgjatësi dhe prodhimtari të mëtejshme intelektuale e kulturore janë gjëja më e vogël që çdonjëri nga ne mund të bëjë në shenjë mirënjohjeje dhe nderimi për këtë figurë gjithëkombëtare shqiptare. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …