Ylli Mece

YLLI MEÇE: TI POPULL QORR, QË NUK SHIKON PËRTEJ HUNDËS TËNDE, NUK MUND T’I BËSH ZAP KËTA ZUZARË

Në politikën e shtetit kapitalist një ndër taktikat e tij për të siguruar qëllimin strategjik të sundimit është dhe atrofizimi shpirtëror i masave të gjera të popullit me premtime për të siguruar “një jetë më të mirë”, nëpërmjet rritjes ekonomike, për të drejtat e popullit sovran në “ushtrimin e demokracisë”, në heqjen e barrierave për të zgjeruar më tej “ te drejtat e lirisë së mendimit” në “barazinë” e të gjitha shtresave përpara ligjeve” të shtetit të së drejtës” etj , parulla si këto, të cilat çdo ditë e më shumë helmojnë ndërgjegjen e gjerë të masave e sidomos të shtresave të varfëra të cilat besojnë ashtu sikurse beson ndonjë individ i veçantë në mrekullitë e horoskopit të cilit do ti ndryshojë jetën. Po përse dhe cili është qëllimi, mos vallë me të vërtetë ato citime e më sipërme nuk janë karakteristika të shoqërisë së sotme e cila hiqet zvarrë me vuajtje të mundimshme?

Bukur, ja le të supozojmë se kemi shtetin e të drejtës. E cili na qenka ky shtet mos vallë dhuna ekonomiko shoqërore e shoqëruar pandalshmërisht me atë fizike e atë shpirtërore? E harruam “çekun e bardhë,” ku do mjaftonte vetëm firma e shqiptarëve dhe menjëherë vendi ynë do kthehej në një Zvicër të dytë ? E harruam aq shpejt “teorinë e shokut” e cila shkrumboi me dhunë e zjarr gjithë ekonominë e vendit madje dhe disa sektorë strategjikë?! E çfarë fituan shqiptarët ? Shqiptarët fituan misionet e ndihmës nëpërmjet operacioneve “Pelikan” dhe më vonë në vitin e skëterrës së luftës së 1997-tës misionin tjetër “Alba” të cilët ushtruan politikën e nënshtrimit të shqiptarëve nga vendet e pasura te Evropës. Ky na paska qenë shteti i të drejtës dhe demokracisë ku valoi dajaku i formës së veçantë? Janë raste të rralla në botë, që në vend të dënoheshin kusarët e piramidave të atij viti të mbrapshtë u rrah dhe u dënuan ata që u vodhën, pra u dënua populli.

Po kush u vodh dhe kush vodhi? Nuk besoj që kjo pyetje të ketë nevojë për përgjigje, sepse jam i sigurt se nuk ka shqiptar i çdo lloj partie të mos e dijë të vërtetën, por këtë të vërtetë nuk e pranon vetëm oligarkia sunduese e gjithë partive, madje dhe sot ata janë të gatshëm të hipin përsëri mbi tank për të siguruar pushtetin e tyre, pushtet ky që u sjell vetëm përfitime përrallore. Oligarkia sunduese që prej tre dekadash, ka shkaktuar jo vetëm hemorragjinë e dukshme të gjakut, por dhe hemorragjinë e dhimbshme tragjike e apokaliptike të shpërnguljes së shqiptarëve jo si zogjtë e shqipes, por si zogjtë e qyqes nëpër botë. Parulla “mbi lëvizjen e lirë të njerëzve dhe ideve” është deformuar qëllimisht. Lëvizja e lirë, nuk ka të bëjë aspak me politikën e mbrapshtë të shpopullimit të atdheut, por me lëvizjen si qytetar i lirë për të soditur , shijuar pse jo dhe për të pushuar në gjithë vendet e planetit, sepse ky planet i përket njerëzimit.

Të justifikosh zbrazjen e atdheut nga forca më e gjallë e tij rinia e cila i jep gjallërinë e që e mban një komb të ri te freskët e jo të plakur është një krim i rëndë. Pra kush mban përgjegjësi për këtë krim të arratisjes së rinisë tonë? Ky fenomen mos vallë është tipik i Psë që është në pushtet?! Jo ky nuk është fenomen partie por fenomen shoqëror i cili bazohet në rendin kushtetues të marrëdhënieve kapitaliste ku njeriut i shitet e i blihet krahu i punës dhe shkalla e intelektit, që nga nevoja për të mbijetuar nëpërmjet punës, tashmë ai shndërrohet pa dëshirën e vet në një “skllav modern”. Po pse ky fenomen? A i ka Shqipëria mundësitë e veta për të dalë nga kolapsi, pavarësisht regjimit politik? Sigurisht që i ka, por shkalla shumë e lartë e shtypjes dhe shfrytëzimit që u bëhen punëtorëve tanë nga bossët dhe sipërmarrësit të cilët kanë në dorë gjithë zinxhirin e ekonomik të brendshëm,(këtu bëjnë pjesë dhe ata të huaj), është aq e lartë, saqë manifestohet me një nivel të lartë e të tejskajshëm varfërie.

Po partitë dhe përfaqësuesit më në zë të tyre a i njohin këto fenomene ? Sigurisht që i njohin por grykësia e aferave të tyre është e asaj shkalle saqë nuk e kanë për asgjë ta nxjerrin Shqipërinë në ankand vetëm për “ një Euro”. Pra interesi i tyre dhe familjeve të tyre del përmbi ato kombëtare. Grykësia e kastave sunduese për pushtet ekonomik ka qenë e tillë saqë me megaskandalet e tyre jan çuditur jo vetëm rajoni i Ballkanit por gjithë kontinentet, madje dhe sot përsëri këta ëndërrojnë e pretendojnë për pushtet. Po a ka ndjeshmëri ky popull kur vazhdimisht has me fenomene vjedhjesh, rrëmbimesh e tjetërsim te pronave, me korrupsione të mëdha, me allish – verishe që nën maskën e zhvillimit ekonomik shoqërohen me marrjen e borxheve , borxhe këto të cilat nëpërmjet organizimit të tenderave gjasme për zhvillimin e vendit, ndahet pjesa e luanit e hienave, ujqërve dhelprave e deri te krimbat zvarranikë që dhe këta të fundit janë pjesëtarë të gërryerjes së trupit të atdheut tonë ? Dhe sikur të mos mjaftojnë këto brenda për brenda kampit të tyre, të kësaj lukunie gjakatare, me nota të ashpra e te dukshme kafshërie shpërthen lufta brenda llojit.

Aferat e “ishiit” të presidencës njiheshin që para se ai të vendosej në krye fronin e pistë të tij. Pyes po kush e vendosi atë si president mos vallë populli ? Jo ! Atë e vendosën banditët e kupolës së PS ( dhe jo njerëzit apo anëtarët. e thjeshte të saj). Pse nuk i dinte PS-ja blloqet me euro apo me flori të tij ? Sigurisht që i dinin, sikurse dinin dhe për Saliun që nga krye mashtrues u kthye ne krye kusar dhe nga krye kusar në kryekriminel. Kjo katrahurë që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë ka më shumë se një çerek shekulli. Mos vallë nuk janë të mjaftueshme provat? Ti popull qorr që nuk shikon më tej hundës tënde nuk je në gjendje të bësh zap këta bastardë që janë vrasësit e vërtetë mafiozët më të pa skrupullt dhe kriminelet tanë te vërtetë, por dhe të këtij kombi ? Sigurisht i di por ti hesht madje jo vetëm se hesht, por nesër ke për të dalë në demonstrata e mitingje për vrastarët dhe përdhunuesit e tu.

 

Në të pasnesërmen do dalësh të brohorasësh madje dhe të grindesh me palët kundërshtare, se kusarët e partisë tënde janë më të mirë se kusarët kundërshtare, se kriminelet e partisë tënde janë me të mirë se ata kundërshtarë, teksa të ditët në vijim do biem në qetësi, do kënaqemi se shteti i tyre (fatkeqësisht dhe i yni) na fal 1 cigare në ditë teksa ne si vend kemi mbi 12 miliardë Eu borxh, nga ku vetëm 1 individ është debitori bankave botërore të ndryshme me rreth 3800-4000 Eu. Punë ska por dhe atje ku ka pagat janë diskriminuese pensionet ulëritse teksa superstruktura shqiptare jeton në luks që do e kish zili dhe Evropa .Ja pse rinia e braktis atdheun or Ramë aga dhe jo nga mendimet e tua idiote….”se dhe vet anglezët kanë shkuar në Australi”… Zotërote, je“pykë në diell“ në histori, sidomos në shpjegimin filozofik të saj, sepse vërtete anglezët shkuan në Australi sikurse dhe në Amerikë, por ata shkuan atje si kolonizatorë nga ku një vend më i pasur ekonomikisht shkonte për të shtypur e sunduar një vend tjetër me nivel më të ulët ekonomik. Ke dëgjuar ti për periudhën e kolonizimeve apo jo? E di ti që dhe italianët në luftën e parë erdhën te ne si kolonizatorë që ti na i quan se na “zhvilluan” ? Ore…mos vallë ke të drejtë, nga që Italia erdhi këtu sepse ishte plot me të papunë dhe ata fakirët emigruan në Shqipëri për bukën e gojës.. !

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …