Publikimi i listës së autorëve të përzgjedhur për mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka rikthyer një pyetje të vjetër, por kurrë të tejkaluar: A vlerësohen vërtet librat në bazë të përmbajtjes, apo thjesht në bazë të lidhjeve dhe pazarëve nën tavolinë? Rasti i fundit hedh dritë të errët mbi funksionimin e komisioneve vlerësuese dhe e zhvesh lakuriq një sistem që duket se ka humbur kontaktin me vetë thelbin e vlerësimit profesional leximin dhe analizën e veprës letrare. Në mesin e librave të refuzuar ishte edhe dorëshkrimi im, mbi 300 faqe, redaktuar nga një emër i njohur në letërsinë shqipe – Prend Buzhala, publicist, kritik letrar dhe autor serioz. Ai jo vetëm që e ka lexuar dorëshkrimin, por ka shkruar një pasthënie prej mbi 12 faqesh, duke e trajtuar atë me seriozitetin e një vepre që meriton të zërë vendin e saj në botën e botimeve. Pyetja shtrohet: Nëse një kritik me reputacion si Prendi e vlerëson veprën time të denjë për botim, si ka mundësi që një komision i tërë ta rrëzojë atë pa e lexuar fare? Përgjigjja është më e thjeshtë sesa mund të duket: në Ministrinë e Kulturës, komisionet shpesh funksionojnë si instrumente formale për të arsyetuar vendime të marra paraprakisht. Kjo nuk është thjesht një dyshim i pabazuar; është një konstatim i bazuar në përvojë personale dhe institucionale, pasi kam shërbyer për 18 vjet në një Ministri, ku një pjesë e madhe e vendimeve janë marrë përmes lidhjeve klienteliste, jo përmes meritokracisë. Kur vlerësimi bëhet pa lexuar librin, ai shndërrohet në një farsë. Kur fondet shpërndahen pa kritere të qarta, krijohet një realitet ku autorët seriozë dhe të pavarur mbesin jashtë, ndërsa përfitues janë shpesh miq, militantë apo servilë të radhës. Ky fenomen nuk është vetëm skandaloz, por është edhe një atentat ndaj vetë kulturës kombëtare. Personalisht, nuk jam i zhgënjyer sepse libri im nuk u përzgjodh. Këtë e kam përjetuar edhe më parë , por se një sistem i tërë vazhdon të injorojë profesionalizmin dhe përkushtimin, duke i kthyer proceset kulturore në një loje të turpshme pazari. Dhe kur përjashtohen gazetarë e shkrimtarë me dekada punë të ndershme, shpesh me 120 euro pension pas një jete profesionale, atëherë kultura nuk është më përfaqësim i një vullneti kolektiv, por pasqyrë e një degradimi sistematik. Pavarësisht këtij mohimi, libri im do të botohet, sepse përmbajtja nuk e ka nevojën e vulës së komisioneve të politizuara. Shi.për këtë, bëj thirrje që të hapet një debat i gjerë publik për mënyrën si ndahen fondet publike për kulturën, dhe që komisionet të jenë të hapura, transparente dhe të përbëra nga njerëz me kredibilitet profesional, jo nga emra që shërbejnë si stoli për vendime të parapaguara. Kultura nuk është mall tregu. Dhe libri nuk është thes që matet me numra, por pasqyrë e shpirtit të kohës. Dhe kjo kohë, për fat të keq, ka nevojë për më shumë dritë dhe më pak hije.
