Zgjedhjet e katërta në një vit: Kosova drejt 28 dhjetorit mes kostoje rekord dhe mungesë buxheti për procesin

Kosova po përgatitet të zhvillojë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 28 dhjetor, duke shënuar kështu të katërtën palë votime brenda vitit 2025. Procesi zgjedhor, tashmë i shpeshtuar dhe i kushtueshëm, pritet ta ngarkojë edhe më tej buxhetin e shtetit, i cili këtë herë nuk ka mjete të parapara për organizimin e tij. Tri proceset zgjedhore të mëparshme – zgjedhjet parlamentare të shkurtit, si dhe dy raundet e zgjedhjeve lokale në tetor dhe nëntor – i kanë kushtuar buxhetit publik dhe partive politike rreth 23 milionë euro. Vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpenzuar rreth 19 milionë euro, përfshirë këtu 8 milionë euro për zgjedhjet parlamentare të fillimvitit dhe 10.5 milionë euro për proceset lokale të vjeshtës. Megjithëse zgjedhjet e 28 dhjetorit janë vetëm disa javë larg, KQZ-ja ende nuk ka buxhet të paraparë për organizimin e tyre. Zëdhënësi i institucionit, Valmir Elezi, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa buxhetore do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës “në kohë”, siç është vepruar edhe në rastet e tjera kur zgjedhjet janë shpallur në një vit jo zgjedhor. Kostot zgjedhore nuk ngarkojnë vetëm shtetin. Edhe partitë politike përballen me shpenzime të mëdha për fushatat e tyre. Legjislacioni u lejon subjekteve politike të shpenzojnë mbi 2 milionë euro për aktivitete zgjedhore – ose jo më pak se një euro për çdo votues të regjistruar. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, pesë partitë më të mëdha –Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe Lista Serbe – deklaruan shpenzime që kapën shifrën 3.6 milionë euro vetëm për fushatë.

Kontrolloni gjithashtu

Marta Kos takoi liderët e vendeve të Ballkanit në Tiranë

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, takoi liderët e vendeve të Ballkanit për …