Zymer Mehani

Zymer Mehani: Cikël poetik: Adem Jashari- Vigani i Epokës

Zymer Mehani: Cikël poetik: Adem Jashari- Vigani i Epokës

AI ËSHTË LEGJENDAR
(Adem Jasharit)

I

Ai është legjendar,
N’ këtë shekull t’venitur
Hyri n’histori
Nga portë e papritur

Tash tërë bota e di
Ishte bir i maleve
Lindi porsi Diell
Lirinë të na mbjellë

Të Tijin ideal
S’pat fuqi që e ndalë

II

Kjo tokë
Ky qiell
Këto brigje
Ky diell
T’përulen
Ty, vëlla…

Këtij trualli amtar
Pesha i matet
Me besë e fjalë
Dhe vlera i shtohet
Me gjakun tënd të valë

Prekazi qëndrestar
Grushtin lart e ngriti
Kundër mynxyrës
Rrebesheve
Furtunës
Fortesë
Kundër dhunës

III

N’Prekazin shqiptar
Me brigje e gremina
Dëgjohen ca zëra
E ca ulërima

Dëgjohen ushtima
Ngjallin lemeri
Lukuni e ujqërve
Kullës ia ka mësy’

Por ti, Komandant
Si lisi degëgjerë
Me shpatulla të forta
Me gjoksin si bjeshkë
E me ballin diell
U bëre kështjellë

N’atë kullë të Prekazit
N’atë kullë qëndrestare
Me plot plagë e gjak
Për kuq e zi bajrak
N’ ditë e ktheve natën
Me mundin, krajaten

Ty, o komandant
O ylli i nderit
T’kem idol qëndrese
Dielli ynë me rreze
Porsi shkëmb mermerit
Me gjakun që derdhe:
-Liri, mirë se erdhe
IV

Adem legjendari
Ty, o shqipe mali
Në emër të lirisë
Në emër të nderit
Të faleminderit

Legjendar, o trim
Soj i gjakut tim
Në emër të grave
Të pleqve, fëmijëve
Në emër të nderit
Të faleminderit

Në emër të punëtorit
Në emër të malësorit
Në emër të besës
Në emër të qëndresës
Në emër të guximit
Në emër të mosnënshtrimit
Në emër të flijimit
Në emër të dëshmorëve
Të faleminderit
Në emër të arbërorëve

V

Komandant, he burrë
Ti je dielli ynë
Që s’perëndon kurrë
Globi rrotullohet
E nuk ndalet kurrë
Ti n’histori t’kombit
Mbete vërtet burrë

Ti, o shqipe mali
Ti, o çlirimtar
Me guxim sa bjeshka
Dole ngadhnjimtar

Shpesh hordhitë çetnike
Shkrepnin xixa frike
Gjer n’dhëmbë t’armatosur
Me bomba n’kraharor
Por, ti, shqipe mali
Për liri t’atdheut
E për nder arbëror
Ndrite, u këpute
Si një meteor

VI

Adem, syshqiponjë
Ti na mësove
Si duhet të qëndrojmë
-Kombi ynë s’guxon
Të mbetet në robëri
Për liri të tij
Vdesim pleq e fëmijë

Fjalën tënde t’artë
T’besës e t’qëndresës
Me gjak e ke shkruar
N’librin tonë të jetës
E me të tallaze
Tufane do çajmë
-Dije, komandant
Betimin e mbajmë

VII

Me betim në flamur
Komandant, he burrë
N’zemër t’çdo shqiptari
Ndeze xixa zjarri

Prekaz i qëndresës
I nderit
I besës
I djegur
I vrarë
Mbi kurrizin tënd
Ke bartur shumë barrë

Peshën e lirisë
Mbi shpatulla ke mbajtur
Kurrë nuk je përmbajtur

VIII

Ti, yll i pashuar
Flakadan
Në errësirë

Ti, shkëndijë e shpresës
E besës
Qëndresës

Të shanë e të ndoqën
Por kot
U përpoqën

Ata që t’u hodhën
Në fyt
Si egërsira

Nuk të kishin njohur
I kaploi
Mynxyra

Kësaj toke arbërore
I ushqeve damarë
Trim, o legjendar

IX

Ti, komandant
Qofsh i bekuar
N’këngë lahutare
Prore i kënduar
Jehonë, ushtimë
Zë i papushtuar

Ti je diell
Je dhe jetë
Valë e dëlirë
Që ngjitet përpjetë
Dhembja jonë kombëtare
Krenaria e artë
Me flijimin tënd
Na ngrite më lart

X

Kur ishe i vogël
Djepi- i ngushtë
Për Ty
Por sa shpejt u rrite
Me syrin e kthjelltë
Zemra jote e madhe-
Dashuri si det
E gjerë pa kufi
Dhe trime vërtet

Ti, me ballë të bardhë
Ballëndritur, o trim
Me zemër trimoshe
Besnik plot guxim
Me gjoks të viganit
Me grusht drejt tufanit
Kuq e zi flamur
N’vija t’ xhamadanit

XI

Çdo shkrep e gur
Emrin ta njeh
Dhe zogjtë e malit
Që fluturojnë n’re
Dhe shqipet n’çerdhe
E dallëndyshet
T’njohin, o trim
Yll i qiellit tim

Më t’fortë se ashtin
E pate besën
Kënga për ty
Jehon e kumbon
O trim legjendar
O margaritar

XII

Ti, Adem Jashari
Më i forti burrë
Si lis i lartësuar
Kuq e zi flamur

Me gjoks para furtunës
Murlanit, stuhisë
Ti, fuqi vigani
Zjarr i atdhesisë
Ti, o legjendar
Yni shpëtimtar

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …