Zyra e BE-së dhe veraria “Biopak”, kanë organizuar tryezën “Verërat e Kosovës: kualitet për tregun e BE-së, standardet e BE-së, prodhimi dhe mundësitë e eksportit”

Në Komunën e Rahovecit nga zyra BE-së dhe veraria “Biopak”, është organizuar tryeza “Verërat e Kosovës: kualitet për tregun e BE-së, standardet e BE-së, prodhimi dhe mundësitë e eksportit”. Në tryezë të pranishëm ishin kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova dhe Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert. “Projekti me Biopak ka rritur cilësinë e verës dhe ka mundësuar punësim për njerëzit, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë indirekte që nënkupton fermerët. Projektet me Biopak kanë rritur cilësinë dhe standardet e prodhimit, kanë rritur konkurrueshmërinë, kanë rritur tregun dhe besimin e konsumatorëve në verën lokale dhe gjithsesi edhe rritje të eksportit. Për shumë vite BE-ja ka mbështetur sektorin e bujqësisë në Kosovë, që nga viti 2011 e deri më sot BE-ja ka investuar mbi 50 milionë euro në këtë sektorë, nga të cilat një shumë prej afërsisht 34 milionë euro janë ofruar drejtpërsëdrejti bizneseve bujqësore përmes skemave të granteve”, ka thënë  Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova. Ajo ka bërë të ditur BE aktualisht është duke e bërë vlerësimin e thirrjes së re për projekte, e cila përfshinë një shumë prej 8.8 milionë euro. Shpreson që regjioni i Prizrenit dhe zona e Rahovecit do të ketë aplikime për këto fonde. Falë MSA-së prodhimet bujqësore të Kosovës mund të eksportohen në një treg gjithandej në Evropë. “Veraritë e regjistruara në Kosovë ato të mëdha dhe ato të vogla, të gjitha janë të orientuara edhe kah eksporti. Vera është produkt i cili mund të eksportohet, është produkt i cili eksportohet në BE  dhe mund t’i kontribuoj tregut të Kosovës jashtë vendit. Prodhimi i verës është jo vetëm një vlerë shtesë, por është edhe një prej mënyrave të zhvillimit të imazhit të shtetit jashtë vendit. Në mënyrë që të jemi më të suksesshëm duhet të orientojmë produktin drejtë cilësisë së shtuar. Vera e prodhuar në Kosovë eksportohet jashtë vendit me çmim të ulët në sasi të mëdha, ju duhet të gjeni një mënyrë se si t’i bëni vlerë shtesë produktit tuaj në mënyrë që të rritni të hyrat për ju dhe për Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert. Mbështetje për bizneset e verarisë ka premtuar kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, i cili tha se zhvillimi i sektorit privat është kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Po e ritheksoi gatishmërinë e komunës së Rahovecit në mbështetje të partneritetit mes bizneseve private dhe investitorëve të jashtëm. Pavarësisht vështirësive ne po mundohemi të krijojmë ambient të qëndrueshëm në mënyrë që sektori privat dhe ndërmarrja private ta ketë rolin kryesor në zhvillim ekonomik të Rahovecit. Si komunë kemi për qëllim ngritjen dhe modernizimin e tregut në sektorin privat, shërbime efikase për të gjitha bizneset e komunës tonë, ofrimin e kushteve në të bërit biznes, me klimë më të përshtatshme për të gjitha bizneset e Komunës së Rahovecit”, është shprehur kryetari Latifi. Kryetari Latifi ka thënë poashtu se janë duke e bërë krijimin e zonës ekonomike në një hapësirë prej 36 hektarësh, duke ju ofruar investitorëve një infrastrukturë më të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë biznesore. “Sistemin softverik sa i përket regjistrit të vreshtave dhe kontrollit të kualitetit të verës, Kosova, gjegjësisht Ministria e Bujqësisë posedon njërin prej sistemeve më të sofistikuara në regjion, do të thotë nuk ka parcelë që nuk është e regjistruar në Kosovë dhe nuk ka verë e cila deklarohet e që nuk është e regjistruar në sistem”, ka potencuar Bekim Hoxha, Drejtor i Departamentit të Verarisë dhe Vreshtarisë në Ministrinë e Bujqësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …