Gucati - Haradinaj

Zyra e Prokurorit të Gjykatës Speciale ka dhënë disa detaje për procesin gjyqësor kundër Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt

Në dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Gjykatës Speciale, në çështjen gjyqësore kundër Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj është thënë se grupi i tretë i dokumenteve  të rrjedhura, përfshinte analizë të provave dhe ligjit në lidhje me Azem Sylën, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Krerët e OVL-UÇK-së  Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë duke u akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë lidhur me konferencat që kanë mbajtur pasi në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shtator të vitit 2020, në tre raste janë dërguar anonimi “Rrufeja” grupe dokumentesh, të cilat konsideroheshin si prova të besueshme  të prokurorisë. Këto dokumente është thënë se përmbanin deklarata e të dhëna të dëshmitarëve të mbrojtur, raporton “Betimi për Drejtësi”. Sipas prokurorisë, grupi tretë i dokumenteve që janë dorëzuar në OVLUÇK përbëhet nga dy kopje të paplota, duke numëruar 244 dhe 245 faqe, të një dokumenti konfidencial të ZPS-së, që numëron 261 faqe, që ka të bëjë me hetimet dhe procedurat zyrtare të ZPS-së, që përbën një produkt të brendshëm të punës.

 “Ai përfshin një analizë të provave dhe ligjit në fuqi në lidhje me pesë persona, përkatësisht Azem Syla, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi”, është thënë në dosjen e prokurorisë. Prokuroria ka theksuar se ky grup dokumentesh gjithashtu përmban referenca për rreth 150 dëshmitarë si dhe referenca të hollësishme për deklaratat e dëshmitarëve dhe të dyshuarve.

“Pothuajse të gjitha 489 faqet e përfshira në grupin 3 shfaqin shenja të qarta se janë produkt i brendshëm i punës së ZPS-së”, është thënë në këtë dosje.

Po ashtu është thënë se grupi i tretë përfshinë identitetet e dëshmitarëve që në kohën e zbulimit të tretë ishin subjekt i urdhrave rreptësisht konfidenciale dhe “ex parte” për moszbulim në procedurat para Dhomave të Specializuara dhe/ose kërkesave për moszbulim rreptësisht konfidenciale dhe “ex parte” në pritje në procedurë para Dhomave të Specializuara.

“Grupi 3 përfshin më tej referenca ndaj deklaratave të dëshmitarëve dhe dokumenteve dhe informacioneve të tjera që i janë dhënë ZPS-së nga organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë që i nënshtrohen kufizimeve të konfidencialitetit dhe përdorimit”, është thënë në këtë dosje.

Prokuroria ka thënë se këto përfshijnë deklaratat e dëshmitarëve dhe dokumentet e ofruara në ZPS, me kusht që materialet të trajtohen si konfidenciale dhe të përdoren vetëm për qëllime të hetimeve dhe procedurave gjyqësore.

“Përveç kësaj, grupi i tretë përfshinë gjithashtu referenca për emrat, pseudonimet dhe dëshmitë e dëshmitarëve, identiteti i të cilëve ishte subjekt i masave mbrojtëse të mëparshme të urdhëruara nga gjykata e Kosovës, duke përfshirë moszbulimin e identitetit të dëshmitarit, caktimin e pseudonimeve dhe moszbulimin e të dhënave të dëshmitarëve”, është thënë në këtë dosje.

Sipas prokurorisë, në konferencën e tretë për medie, Nasim Haradinaj kishte thënë se OVLUÇK-ja kishte dy kopje të dokumenteve, të cilat iu ishin dorëzuar më herët atë ditë.

“Ai tha se e kupton që zbulimi i tretë kishte të bënte me një ‘draft aktakuzë’ në lidhje me pesë persona potencialisht për t’u akuzuar: ‘Azem Syla, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi’. Haradinaj ka dëshmuar se ka përmendur emrat që janë shënuar në faqen e parë të zbulimit të rreptë. Aktakuza e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është bërë publike nga Dhomat e Specializuara vetëm më 5 nëntor 2020”, është thënë nga prokuroria.

Më tutje është thënë se Haradinaj, ka deklaruar se Xhavit Haliti, emri i të cilit gjithashtu më vonë është shfaqur në versionin publik të aktakuzës kundër Thaçit dhe të tjerëve, ishte përmendur në zbulimin e tretë së bashku me personat dhe lokacionet e tjera.

“ZPS-ja publikisht zbuloi disa nga këto lokacione si vende krimi përmes aktakuzës të bërë të qasshme për publikun më 5 nëntor 2020”, është thënë në këtë dosje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit e kanë cilësuar grupin e tretë si “draft aktakuzë” kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Azem Sylës.

“Megjithëse vetëm një tregim i ZPS-së për vendet e paraburgimit dhe jo një draft aktakuzë në vetvete, një memorandum i brendshëm i ZPS-së që tregon këta emra dhe emrat e dëshmitarëve u publikua nga media të ndryshme në ose rreth datës së konferencës së tretë për shtyp”, ka thënë prokuroria.

Prokuroria pretendon se i vetmi informacion i disponueshëm publikisht për ecurinë e rasteve para Dhomave të Specializuara ishte se ZPS-ja kishte ngritur aktakuza kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe personave të tjerë për të cilët nuk ishin dhënë emra.

Sipas tyre, të akuzuarit e dinin mirë këtë me Gucatin që i karakterizonte aktakuzat që ai ende nuk i kishte parë si të motivuara politikisht dhe Haradinaj i hodhi poshtë ato si “vetëm një pamflet i gjykatës” dhe “shantazh”.

“Duke reflektuar qëllimin e të akuzuarve, Tomë Gashi tha se publikimi i dokumenteve nga OVLUÇK-ja nënkuptonte se gjyqtari duhet të mendojë përsëri para se të vendos nëse do ta konfirmojë aktakuzën kundër presidentit Thaçi dhe të tjerëve dhe se shpreson që dokumentet e nxjerra do të ndihmojnë që aktakuza kundër presidentit Thaçi të mos konfirmohet”, është thënë në dosjen e prokurorisë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj janë duke u akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. (Betimi për Drejtësi)

Kontrolloni gjithashtu

Mërgim Lushtaku

Mërgim Lushtaku: Nuk është hera e parë që qeveria tenton të kontrollojë mediat dhe gazetarët

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili është anëtar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet …