Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e performancës për Telekomin e Kosovës për vitin 2024, duke evidentuar një sërë parregullsish serioze në menaxhim dhe operim. Sipas raportit, Telekomi ka ndarë stimuj financiarë për një pjesë të punonjësve në vlerë prej mbi 155 mijë eurosh, pa ndonjë rregullore apo kriter të miratuar. Bordi kishte inkurajuar hartimin e një udhëzimi për shpërblimet, por menaxhmenti nuk e ka realizuar këtë deri në kohën e auditimit. Auditorët kanë identifikuar gjithashtu 55 raste të mbulimit të pozitave me ushtrues detyre përtej afatit ligjor, përfshirë tetë menaxherë njësish. Probleme të theksuara janë vërejtur edhe në politikat e pagesës – ku për të njëjtën pozitë janë konstatuar paga të ndryshme. Në dhjetor 2024, u evidentuan 13 raste të tilla, nga 32 që ishin në fillim të vitit. Në fushën e prokurimit, është konstatuar përdorimi i shpeshtë i procedurës minimale dhe mospërdorimi i platformës elektronike “e-prokurimi”. Po ashtu, mungon një kontratë për shërbime udhëtimi, edhe pse vetëm gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar rreth 35 mijë euro për bileta. ZKA ka bërë thirrje për adresimin urgjent të këtyre gjetjeve në mënyrë që ndërmarrja të përmirësojë transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien.
