vipa
driloni com
muqa 900
rkl vala loja shperblyese
Fillimi / Personalitete / Elez Isufi, Robin Hudi i Shqipërisë
Elez Isufi, Robin Hudi i Shqipërisë

Elez Isufi, Robin Hudi i Shqipërisë

Gjatë qëndrimit të tij në Londër, gazetarët anglezë, të mahnitur me paraqitjen impozante dhe burrërore të  Isa Boletinit, që rrezatonte ngjashmëri me heronjtë e antikës, por edhe  duke qenë në njohuri me aktivitetin e tij atdhetar, nuk kishin hezituar ta krahasonin me Robin Hudin, heroin e njohur të vegjëlisë britanike, i cili luftoi kundër të huajve por edhe kundër feudalëve mercenarëve të vendit. Në shumë segmente i tillë ishte Isa Boletini. Në të njëjtin nivel të atdhetarisë së dëshmuar nuk mbetet prapa, as Elez Isufi, 1861-1924. Si bir besnik i atdheut, luftëtar i shquar për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, Elez Isufi ka luftuar kundër Turqisë, kundër forcave serbe, por edhe kundër forcave mercenare të Esad Pashë Toptanit, Ahmet Zogut, Ceno beg Kryeziut dhe të tillëve që i kemi pasur dhe i kemi me bollëk.

 Duke përjetësuar me këngë trimërinë spartane të dibranëve në luftë kundër serbëve, vrastarëve gjenetikë të racës sllave, rapsodi i popullit, trashëgimtari i  Ndrenjve, Aziz Ndreu, ka thurur njërën ndër këngët më të frymëzuara për dy më trimat e Dibrës e të krejt Shqipërisë, këngën për Elez Isufin dhe Isuf xhelilin.

 Krajli i serbit ka mbetun pa mend,

Se në Dibër rend pa rend, 

I kris pushka vend për vend, 

I  kris pushka vend për vend, 

Bini, mos trima, bini!

 Elez Isufi, harusha e Malit

Fort po i vret asqerin e kraljit

Fort po i grin e po ban  kerdi

Nëpër brigjet e Drinit të Zi

Bini,  mor trima, bini!

 Kur vikati ai Isuf Xhelili,

Po i ban Mamzerja si goj bilbili,

Isuf Xhelili na paska thanë,

Ne kësaj Dibres ja lam nji nam,

Bini mor trima bini!

 Burrat e Dibrës e kanë dhanun besën

Per vatanin te tanë do të vdesim,

Se n Stamboll na  ka vajtun fjala

Qe nëntë vjet po luftojmë me krajla

Bini mor trima bini!

 Elez Isufi nje burr i Shqipnisë

Prijësi  i Dibrës e i tanë malësisë

N male të Lurës  e në maje të Korabit

Tokën  e nxini me shapkat e serbit

Bini mor trima bini!   (A.Q.)

Elez Isufi lindi  në vitin 1861 ne Fshatin Sllovë të Dibrës. Ishte i biri Isuf Ndreut. Rrejdhë nga një familje malësore dibrane, i cili për së gjalli u bë  simboli më i ndërtuar i luftës kundër pushtimit serb të trojeve shqiptare.

Elez Isufi,  Arusha e Malit, tokën e mbushi me shapka të serbit.

Në vitin 1884, aty ku Isuf Ndreu kishte ndërtuar një kalibe në Lisivalle, djemtë e tij ndërtuan një kullë me tre kate, “Kulla e Gjatë”, siç u quajt nga populli, me gurë të gdhendur, që s’dihet se nga ç’vend ishin sjellë e si ishin transportuar. Muret e gjerë mbi një metër, me sharapolle e frengji për çdo kat, i jepnin “Kullës së Gjatë” trajtat e një mikrokalaje, të ndërtuar për qëndresë. Mbahej kjo kullë deri në vitin 1968. Në kohën kur u ndërtua kjo kullë (1884), siç duket, ndrejët  ishin përballur me fiset e krahinës së Lumes e kishin rënë në gjaksi me ta. Nga ana tjetër, në vitet 70-80 të shekullit XIX, Lëvizja Kombëtare Shqiptare njohu zhvillime të reja. Dibranët luajtën rol parësor si në solidarizimin dhe përkrahjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ashtu dhe të qëndresës kundra turqëve osmanë. Konfliktet e Dacit të Kalisit me fiset e Sllovës, bënë që këta të fundit të kërkonin mbrojtjen e Ndreut. Për të përligjë këtë Dush Zhugri i shiti Elez Isufit disa toka në Sllovë. Kjo blerje është bërë rreth vitit 1881, kur Elezi ishte arratisur për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak turk. Blerjen e kësaj toke, që ishte bërë pa dijenin e të vëllait, Xhelilit, Elezi 20 vjeçar e kishte parë në disa plane dhe veçanërisht në mundësinë për t’iu afruar qendrës administrative që në këtë kohë ishte` Vlesha.

Mbas vdekjes së Xhelilit, Elezi hodhi sytë drejt Sllovës. Ndërtoi aty një kullë me tre kate. Por, pikërisht në këtë kohë, nisin dhe kontradiktat ndërmjet Dacit e Ndreut që do të zgjasnin për vite të tëra, përjashtuar rasteve kur këto vise sulmoheshin nga turkë e më vonë nga serbët, siç qe Lufta e Kolosjanit në nëntor 1912, që hasmëritë liheshin mbas dore. Më 1908, kur u mbajt Kongresi i Manastirit ishte Elez Isufi me 200 djelmoça që mbanin të sigurtë zhvillimin e Kongresit. Historia na ka treguar se që nga viti 1912 e deri në vitin 1924, Elez Isufi mori pjesë pothuaj në të gjitha ngjarjet e mëdha politike të Shqipërisë, duke bërë një emër të madh në historinë e vendit tonë. Janë domethënse fjalët e prijësit dibran, kur e kanë pyetur:”A nuk po shkon dhe ti në Vlorë, Elez Isufi?”. Ai ia ka kthyer: ”Kam çue djemtë në dasëm se u rritën. Vetë po kqyr shpajën se mos ma çart ujku.”[1] Në ato vite kulla e Elez Isuf Ndreut në Sllove të Dibrës u bë një nga qendrat kryesore të lëvizjes atdhetare të Shqipërisë verilindore dhe aty mblidheshin burra të njohur dhe me emër të madh nga të gjitha krahinat e vendit. Dera e Ndreajve gjatë kohës kur jetoi Isuf Ndreu, ishte vend ku burra Rexhep Bajraktari i Hasit, Zija Dibra, Ramiz Daci, Islam Spahiu etj kuvendonin për çështjet madhore t’atdhetarizmit. Më 1884 lindë Hysen Elez Ndreu, që më vonë u njoh si Cen Ndreu[2]. Pushka e Elez Isufit u pagëzua shpejt në zjarrin e betejave për liri. Emri i tij ndeshet që në kryengritjet e viteve 1909-10. Ai që në fillimet e rezistencës së vet u shqua për kërkesat e qarta për liri. Për këtë arsye edhe u arrestua në Gostivar më 1910 dhe u mbajt në burgjet e perandorisë në Manastir dhe Selanik. Arrestimi erdhi pas një kurthi, që i ngritën turqit e rinj, të cilët e panë se Elez Isufi ishte kockë e fortë për ta mposhtur ballazi. E thirrën në “besë” me anë të një letre, gjoja miqësore, ku e ftonin në një takim për të biseduar punët e Shqipërisë së bashku me Bajram Currin e Hasan Prishtinën. Sapo ai shkoi në takimin-kurth, u arrestua. Presionit e dibranëve të udhëhequr nga nipi i tij, Isuf Xhelil Ndreu dhe të lumjanëve të udhëhequr nga Mustafë Lita, u lirua.[1] Elez Isufi mori pjesë në shumë luftëra e beteja si kundër forcave turke, ashtu edhe atyre serbo-malazeze, por vlejnë për të përmendur ato të kryengritjeve të viteve 1912-1913-të, kryengritja e shtatorit e vitit 1913, goditja e Divizionit të Nishit, në 5 dhjetor të vitit 1915-të etj.

“Pjesmarrja e forcave popullore të Lumës, Hasit e Dibrës gjatë muajit nëntor 1912, në luftën kundër pushtuesëve serbë, bëri që pushtuesi të humbasë shumë ushtarë e municione.”[3]

Si rezultat i kësaj veprimtarie, forcat serbe i dogjën tri herë kullat e familjes Ndreu, në 1913-ën, në 1918-ën dhe në 1921-in. Elez Isufi nga fillimi i vitit 1916 e deri në tetor 1918, me përjashtim të një vizite që bëri në Vjenë, ku u dekorua prej Kajzerit, kohën tjetër qëndroi në Sllovë. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoroi Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhërit të Franc Jozefit me dekoracion lufte (Kriegsdekoration)[4]. Hoxhë Kadri Prishtina themelon në Shkodër komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës ku Elezi merrte pjesë përkrah Bedri Pejanit, Sotir Pecit, etj. Elez Isufi mbeti një kundërshtar i ashpër i aneksimit të tokave shqiptare sipas “vijës strategjike” të projektuar nga gjenerali francez Franchet d’Esperey. Sipas kësaj “vije strategjike” pas mbarimit të luftës së Parë Botërore, serbët mbanin nën okupim toka që gjendeshin brenda kufirit të 1913-ës dhe shtrihej nga Martaneshi, Qafa e Bullit, Qafa e Murrës, Lana e Lurës dhe Malësiët e Kelmendit dhe të Gjakovës[1]. Kjo vijë strategjike megjithëse nuk u respektua prej shqiptarëve, mbeti në duart e serbëve deri në vitin 1921.

Në fillim të shkurtit 1922 në katundin Allajbeg mblidhen Elez Jusufi bashkë me nipin e tij Jusuf Xhelilin, Halit Lleshi, Murat Kaloshi dhe Dan Cami. Këtu vendoset organizimi i një kryengritjeje dhe vënja në zbatim e saj. Bashkë me Bajram Currin, Halit Lleshin, etj. ishin në krye të një kryengritjeje që ishte shprehi e pakënaqësisë dhe tensionit të grumbulluar. H. Lleshi, pas kësaj, shkoi në Jugosllavi për t’u kthyer mbas një muaji me fuqitë e tij, në mënyrë që të nisej në një ditë me Elezin për të sulmuar Elbasanin. Myftar Kaloshi gjithashtu do të nisej me Elezin, ndërsa Murat Kaloshi ish ngarkuar të okuponte qëndrën e prefekturës së Dibrës, ku si prefekt ndodhej Sali Vuçiterni. Kapiten Shefqet Korça me 800 ushtarë ndërkohë ishte duke bërë çarmatimin nga ana e Zerqanit. Qeveria në këto lëvizje të dibranëve dërgon kapiten Aziç Çamin dhe kapiten Selahudin Blloshmin me forca ushtarake në Qafë të Shtambës për t’i prerë rrugën fuqisë së Elezit. Elezi me fuqinë e tij më parë shkon në Lurë dhe, me pak fuqi që mori këtu dhe në Selitë, formon një forcë civile prej 370 vetësh. Me këtë fuqi, duke ecur natën, mbi rrugë e nën rrugë, pa hasur fuqitë qeveritare, mbërrin në Fushë-Krujë ku bashkohet me Abaz Kupin, Mustafa Krujën dhe Zija Dibrën. Në Tiranë, përveç kompanisë së disiplinës dhe të një kompanije të kazermës, qeveria nuk dispononte tjetër fuqi për mbrojtjen e kryeqytetit. Lajmi i papritur i dukjes së Elezit në Fushë Krujë shkaktoi një panik të madh në qarqet qeveritare në Tiranë.

Major Meleq Frashëri me 25 xhandarë të ish-batalionit të organizuar prej francezëve ne Korçë, nën komandë të kapter Muço Kapinovës dhe me 270 civilë të Hysni Toskës, nën komandën e Jaho Komanit, nipit të të parit, niset t’i dalë para Elezit. Fuqija e Meleqit, para se të arrinte afër Kamzës, ra në përgjakje. Fuqia e Hysni Toskës, në marrëveshje qysh më parë me kundërshtarët, largohet para se të fillonte lufta dhe Meleqi me ata pak xhandarç që kish mbeti vetëm përpara armikut. Lufta filloi në befasi dhe si rezultat i saj vriten gjysma e xhandarëve, kurse Meleqi plagoset. Me gjithë këshillat e Muço Kapinovës që të kthehej në Tiranë në kalë, ai nuk dëgjoi të kthehej, qëndroi në vend deri sa mbërrin njerëzit e Elezit, midis të cilëve Azis Pilafi. Ky i mori pushkën, unazën e gishtit dhe të plagosur e vrau me një plumb kokës. Azis Pilafi më vonë u arrestua prej kapiten Riza Cerovës, komandant i xhandarmërisë së qarkut të Dibrës, dhe zhduket misteriozisht.

Më 8 mars 1922 pararojet e Elezit kishin arrirë në lagjet e jashtme të Tiranës, nga ana e veri-perëndimit. Zogu, me ato pak fuqi që dispononte qeveria ndërkohë, po mundohej të merrte masat e rastit për mbrojtjen e kryeqytetit. Kurse qeveria bashkë me deputetët u mblodh në kryeministri dhe vendosi të largohej në Elbasan, mbasi Tirana po bëhej fushë lufte. Kështu, që të nesërmen herët, më 9 mars 1922, qeveria, përveç Spiro Kolekës, ministër i Punëve Botore, bashkë me deputetët dhe shumë intelektualë dhe funksionarë u nisën për në Elbasan. Qeveria me telefon thirri fuqitë ushtarake nga Zerqani e nga Kruja dhe vullnetarët nga Elbasani. Dy ditë mbas hyrjes së Elezit në Tiranë lëvizi kundra qeverisë dhe Hamit bej Toptani. Mbas ndërmjetësimit të ministrit anglez Eyres me të marrun vesh sesa e rënduar u bë situata me ndërhyrjen e Hamit beut,[5] i paqësoi dibranët me Ahmet Zogun që drejtonte mbrojtjen e kryeqytetit. Do të çuditej konsulli anglez Ayros, i cili qe ndërmjetës në takimin që kishte Elez Isufi me Ahmet Zogun në Lëvizjen e Marsit 1922. Në kujtimet e tij, ai tregon se kishte mbetur i habitur se si ranë dakort këto dy burra, njani 26 vjeç e tjetri 60, pa protokoll zyrtar, vetëm duke i dhanë dorën njëri-tjetrit. (Vikipedia)

Naim Plaku: Elez Isuf Ndreu ( 1861 – 1924 ) në 90-vjetorin e martirizimit

 Elez Isufi ka qenë flakadani dhe zëri i kulluar i lirisë. Ishte atdhetari që ndezi me guxim kryengritjen e përgatitur në Kosovë më 1912 dhe doli në mal me qytetarët e Dibrës së Madhe. Shpartalloi disa njësi të garnizoneve turke duke u marrë atyre armatimin dhe dy topa që u përdorën me aq sukses kundra mësymjes serbe në betejën e famshme të Kolosnjanit, se: Na ka shkelë hasmim te dera! Elez Isufi u bë korifeu i qëndresës popullore në epopenë e luftrave 9-vjeçare kundër një armiku nga më të tërbuarit e më mizorët i shqiptarëve. Shkriu gjithë pasurinë e tij për interesat kombëtare. U dogjën tri herë kullat e tij, u internua dhe u burgos familja e tij, u përgjakën burrat e konakut të tij, por ai nuk u thye, as u gunjëzua, as u përkul. Përkundrazi, historia do ta lartësojë hakmarrjen vigane, të paparë në llojin e vet dhe armiku do ta ruajë në shekuj si një relikë të zezë në kujtesë të brezave duke shkruar mbi një vazo që mban brenda skeletin e një koke viktime: “Mos e harroni kurrë Kodrën e Kaushit”! Tri herë u dogjën dhe u bënë hi fshatra të tërë, u martirizuan e u masakruan burra e gra, vdiqën në rrugët e vështira të gjenocidit sërb qindra burra, gra, e fëmijë.

Mjerë arkivat që i mbajnë të mbyllura fletët e këtyre ngjarjeve të mëdha! Katër muaj me radhë në dimrin e egër të vitit 1921 qëndroi në shi e në borë në malet e Lurës me malësorët besnikë të Reç-e-Dardhës dhe të mbarë Dibrës duke treguar një trimëri të jashtëzakonshme në mbrojtje të vatanit dhe nuk i lejuan sërbët të kalojnë kufirin. Elez Isufi u dekorua për merita të vecanta lufte nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me titullin e lartë “Franc Jozef-Orden”. Në mjediset e pallatit perandorak kishte vënë këmbët me baltë mbi qilimat persianë të salloneve aristokrate këtë rradhë një njeri krejt i veçantë, një malësor me rroba shajaku, kësulë të bardhë, tirq të bardhë e kuparane të zezë, me opinga lëkure, por me një zemër të madhe e një mendje të ndritur që ia kishin zili dhe perandorët me njëqind tituj e grada e të fundosur në kolltuqe të artë. I thotë Perandorit, duke iu drejtuar përkthyesit që mos t’ia ndryshojë llafet në komunikim, se shqiptarët janë vrarë me turqit, se ai u kishte kërkuar nizamë e taksa; ishte vrarë me sërbin se kishte kërkuar të bëhej zot shtëpie e të mblidhte taksa e ushtarë e se kështu do të vritej me të gjithë ata që janë të këtij soji. Kështu i kishte thënë dikur dhe dikujt tjetër që kishte provuar t’i thoshte Plakut të Çuditshëm të ndrronte mendje e të ulte armët, por ai e kishte pasur përgjigjen në majë të gjuhës: -Mirë thue ti, or mik, por unë jam një Elez.

 Ç’tu baj atyne njiqind Elezave të tjerë që ka Dibra?! Elez Isufi ishte i idhët për këdo që shkel në të drejtën e liritë e tjetrit, për të gjithë ata që tradhtojnë idealet e lirisë, për këdo që vihet në shërbim të hasmit, e, sidomos, të hasmit të vjetër. Ai ishte mik për kokë me atë që luftonte për liri e drejtësi, për nder të vatanit e jo me ata që binin në prehër të dushmanit. Këtë qëndrim mbajti tërë jetën. Nuk u pajtua as me Zogun. Në Lëvizjen e Marsit, që ndonjë historian i mefshtë e dritëshkurtër, nga ata që kujtojnë se historia është petull me ujë të ftohtë ose një tufë tjetër politikanësh që nuk shikojnë më larg se hija e trupit të tyre, këtë Lëvizje, që ndërmorën forcat më demokratike të kohës, duan ta quajnë një grusht shteti. Elez Isufi hyri në Tiranë vetëm me 500 burra dibranë, as për pushtet e as për lavdi dhe i struku në qylarët e qelbura pushtetarët faqezinj të kombit.

 Këtë e bëri që t’i siguronte popullit zgjedhje demokratike, atë gjë që i ishte premtuar sa e sa herë se do ta bënte Asambleja e përgjithshshme, “e të caktohet fati i popullit të ngratë”, si shkruan në kujtimet e tij Ismail Strazimiri. Lëvizja e Marsit dhe revolucioni i Qershorit, sidomos, fundi i tij, qe shumë zhgënjyes për Plakun e nderuar., sidomos ndaj një pjese të parisë dibrane e asaj kombëtare që i patën dhënë besën dhe e tradhtuan, bile i mbushën pushkën dorës tinëzare dhe vranë më 16 dhjetor 1924 nipin e tij e bashkëluftëtarin e trim Sufë Xhelilin dhe plagosën për vdekje Elez Isufin që do të ndrronte jetë dy javë më vonë më 30 dhjetor 1924. Vdekja e tij e kobshme u kthye në një mort për mbarë popullin e Dibrës e të Lumës dhe tërë miqve të shumtë që kishte në mbarë vendin. Vdekja e tij qe kaq madhështore sa e shpreh fare qartë dhe kjo antitezë e fuqishme që hyri në mes dy kampeve: njërit që mbante zi e qante e tjetrit që pinte raki e këndonte.

 Në Sllovë ku Mide Doda vajtonte kreshnikun e maleve: Elez Isufi, vllau jem, o vlla, O yll i karvanit, vllau jem, o vlla, Kreu i mejdanit, vllau jem o vlla! …diku në Dibër të Madhe ushtarët sërbë ia kishin shtruar me raki e meze dhe kërcenin e këndonin duke kujtuar të kaluarën: Kush don ta njohë se ç‘është tmerri Le t’i bjerë në këmbë Kaushit të Elezit! Ah, moj nënë atje, Dhe bari i njomë digjet nën këmbë… (Koj sakat do videt teshki gubitak Nekai zverzhi uder protif Eleza Kaush, Moja majka i suve trava Je goreno pad moje mogi). Vrasjen e Elez Isufit dhe veprën e tij populli do ta përjetësonte në dhjetëra këngë dhe koha do ta qëndiste në kornizën e portretit të tij sintezën e mendimit lapidar: ”Punova për Komb e Atdhe” Populli do ta quante Elez-a, megjithëse nuk ishte aga, teprina e parisë dibrane, Plaku i randë i maleve, shqipja e Korabit, e të tjera epitete.

 Shtypi i kohës u tregua i pakursyer për të dhënë vlerësimet e tij, si kurrë ndonjëherë për ndonjë figurë tjetër: Plaku i famshëm, filozofi me kësulë të bardhë, mendimtari i madh, diplomati i pashkollë, gjenerali me shajak, kreshniku i maleve të Dibrës, ballina e kombit, atdhetari i flaktë, njeri me cilësi të mbinatyrshme, e qindra vlerësime të tjera. Figura e Elez Isufit është vlerësuar në çdo kohë, se mali nuk mbulohet me kashtë e dielli nuk zihet me shoshë. Por politika e të gjitha ngjyrave, nuk dimë pse mban dicka të frikshme brenda saj, ndrojtjen për t’i dhënë vendin që meriton, titullin më të lartë “Nderi i Kombit”, ndërkohë që me këtë titull po vlerësohen shumë të tjerë që nuk e kanë as peshën e as rëndësinë e veprës së tij. Në 150 vjetorin e lindjes së tij ne e kujtojmë me respekt jetën dhe veprën e këtij patrioti të madh, e këtij atdhetari të flaktë, e këtij flakadani të lirisë që frymëzoi breza të tërë luftëtarësh për çështjen e madhe të Kombit.

Kontrolloni gjithashtu

Fan Noli (1882 – 1965) Apostulli i shqiptarizmit

Fan Noli (1882 – 1965) Apostulli i shqiptarizmit

Njëri ndër personalitetet më të shquara të kombit, po thuajse në të gjitha segmentet e ...