Mogherini dhe Hahn: Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt

Mogherini dhe Hahn: Zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt

Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, kanë vlerësuar zgjedhjet në Shqipëri, duke theksuar se BE-ja do të angazhohet për mbështetjen e qeverisë së re në lidhje me reformat dhe procedimin e mëtejshëm të procesit të integrimit në bllokun europian. Sipas tyre, zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, e qytetarët përfituan nga një ofertë e gjerë politike në një moment tepër të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Duke cituar edhe raportin paraprak të misionit të mbikëqyrjes së zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR, garuesit zgjedhorë patën mundësi të bënin fushatë lirshëm dhe liritë fundamentale të tubimit dhe shprehjes u respektuan. Edhe korniza e përgjithshme zgjedhore dha bazat e duhura për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike. Gjithsesi, dy përfaqësuesit e BE-së thonë se kanë mbajtur shënime mbi rezervat e shprehura nga vëzhguesit në lidhje me politizimin e organizmave zgjedhore si dhe zbatimin jo konsistent të ligjit. “Ne presim masat e përshtatshme ndaj gjetjeve paraprake të misionit të OSBE-ODIHR-it, e veçanërisht ndaj akuzave për blerje votash dhe presion ndaj votuesve, si dhe ndërhyrjen e paautorizuar të aktivistëve të partive, që mund të minojnë besimin e publikut te zgjedhjet”, theksojnë zyrtarët e BE-së. Megjithatë, ata thonë se me të mbaruar procesi zgjedhor, BE-ja do të angazhohet për mbështetjen e qeverisë së re në lidhje me reformat dhe procedimin e mëtejshëm të procesit të integrimit në bllokun evropian. “Vazhdimi i Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër trafikimit dhe kultivimit të narkotikëve do të jetë me rëndësi të veçantë në këtë aspekt”, thuhet në deklaratë. Në fund zotohen edhe për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë në promovimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Kontrolloni gjithashtu

25 vjet më parë, më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri të rëndë ishin vrarë shumë shqiptarë në fshatrat e Dukagjinit

25 vjet më parë,  më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri …