11 marsi i vitit 1981 shënon ditën kur u vendos gurë-themeli i Republikës së Kosovës

Më 11 mars të vitit 1981, shpërthyen në Prishtinë demonstratat e studentëve me kërkesë për Republikën e Kosovës

39 vjet më parë, më 11 mars të vitit1981, shpërthyen në Prishtinë demonstratat e studentëve me kërkesa sociale. 11 marsi i atij viti  shënon ditën e fillimit të shfaqjes hapur të pakënaqësive jo vetëm të rinisë studentore, por edhe të punëtorëve, fshatarëve dhe të gjitha shtresave liridashëse në Kosovë e më gjerë, në trojet shqiptare të mbetura nën okupimin e RSFJ-së.  Demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ.

Kërkesa për krijimin e një republike të shqiptarëve në Jugosllavi, shtrohej si nevojë strategjike e kohës, për të ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe për të krijuar parakushte për shkëputje nga Jugosllavia.

Protestat e demonstratat u zgjeruan në tërë Kosovën por edhe në trojet e tjera nën okupimin e Federatës Jugosllave. Më 26 mars dhe 1, 2 e 3 prill  të po atij viti, njësitë speciale federative  të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e regjentëve besnikë të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Mahmut Bakalli, Ali Shukriu, Fadil Hoxha, Mehmet Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht studentët, dhe tërë kjo i dhanë hov fillimit të derdhjes së zemërimit popullor…

11 marsi i vitit 1981 shënon ditën kur u vendos gurë-themeli i Republikës së Kosovës

 

11 marsi i vitit 1981 ishte dita kur u vendos themeli i Republikës së Kosovës, ishte shkëndija që paralajmëronte fillimin e zbrazjes së zemërimit popullor kundër padrejtësive, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga Serbia e përgjithësisht nga RSFJ, kundër idesë së përshtatjes, kundër pretendimeve për krijimin e një kombi hibrid kosovar, kundër jugosllavizimit të qetë dhe përbashkësisë së shqiptarëve me popujt sllavë.

Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit, në “Mensën e Studentëve”, në Prishtinë për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej. Defilimi i qindra studentëve në orët e mbrëmjes të asaj dite, u pasua me solidarizimin e mijëra qytetarëve, të cilët për afër katër orë rresht protestuan paqësisht nëpër sheshet e Prishtinës.

Alarmi i fillimit të manifestimit të zemërimit popullor kundër pabarazisë dhe padrejtësive tashmë ishte dhënë. Lëvizja e fshehtë e Rezistencës, e njohur në kuptimin përgjithësues si Lëvizje ilegale kishte filluar të mobilizonte radhët dhe të artikulonte përveç kërkesave sociale edhe kërkesa politike, meqë me të drejtë konstatohej se barazia e plotë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë nën okupimin jugosllav, do të arrihej me krijimin e një Republike të barabartë me republikat e tjera të Federatës jugosllave. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Shefat e delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë për dialogun, takohen sot në Bruksel

Në Bruksel u mbajt takimi tre-palësh mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian

Pas takimit në Bruksel, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se në …