Brickos

Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Shtet apo anarki?

 Që nga data 1 janar e vitit 2014 e deri më 18 dhjetor 2014, ZPD-ja (Zyra e Prokurorit Disiplinor) ka pasur 542 parashtesa/ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për sjellje të pahijshme, përkatësisht 434 parashtesa ndaj gjyqtarëve dhe 110 parashtesa ndaj prokurorëve, të cilat në shumë raste kanë qenë të lidhura me afera korruptive. Sistemi i drejtësisë në Kosovë është në kaos të plotë, mbi 400 mijë lëndë janë të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës. Fatkeqësisht, skemat kriminale e mbajnë peng drejtësinë. Askush nuk është i interesuar ta luftojë  korrupsionin në Kosovë, sepse premtimet dhe zotimet për ta luftuar korrupsionin kanë mbetur vetëm farsë… Darvinizmi shoqëror e gjeti vendin e përshtatshëm për zhvillim në Kosovë, demokracia ka ngecë në vednumëro. Shoqëritë apo individët më të dobët po eliminohen politikisht nga klasa më e fortë. Në Kosovë po blihet gjithçka nga klanet që u pasuruan në emër të pushtetit e të votës së popullit. Ata janë klasa e hekurt, që blejnë e uzurpojnë gjithçka, i blejnë diplomat, të magjistrit e doktorit,  titujt e veteranit të luftës, të invalidit, i blejnë titujt e deputetit, të ambasadorit e drejtorit. Ata i kanë blerë e uzurpuar tokat e shtetit e bashkë me to, krejt Kosovën.

Ka gjashtëmbëdhjetë vite që klasa jonë politike dhe të zgjedhurit e popullit po manipulojnë me votën e qytetarit, dikush po i bie thumbit e dikush patkoit. Çka nuk u tha e çka nuk u premtua nëpër fushatat elektorale brenda këtyre viteve. Sa premtimet iu bënë elektoratit, me votën e të cilit, të zgjedhurit i rehatuan familjet e veta, dhëndurët, miqtë, kushërinjtë, mbesat e në shumë raste edhe të dashurat.

Në zgjedhjet e fundit, të vitit 2014, nga partitë që garonin për pushtet, u premtuan mbi 300 mijë vende pune, por pasi që përfundoi fushata zgjedhore premtimet nuk u mbajtën. Madje, patëm edhe bllokim të funksionimit të institucioneve të shtetit, ndonëse rezultatet e zgjedhjeve demokratike i pranuan të gjithë. Në shenjë dëshpërimi që partitë politike nuk i mbajtën premtimet, pas gjashtë muaj bllokade të institucioneve, në dhjetor të vitit 2014, pas formimit të Qeverisë së Re, dhe në janar të vitit 2015, mbi 200 mijë qytetarë shqiptarë të Kosovës, me shpresa të humbura se do të bëhet mirë në vendin tonë, u shpërngulën në drejtim të shteteve perëndimore. Shpërnguljet nuk kanë të ndaluar as sot, ato po vazhdojnë përditë në heshtje. Kosova po pastrohet etnikisht para syve tanë, para një varg mekanizmave shtetërorë, që kanë mundësi për t’i ndalur me një angazhim të gjithanshëm.

Ndoshta për shkak të një numri të vogël të shqiptarëve të Kosovës,  që kanë shkuar në Siri e në vendet e tjera të Lindjes, shumë vende të botës po e cilësojnë Kosovën si burim të terrorizmit, edhe pse është vendi më paqësor, më tolerant dhe më liridashës në botë.

Ne kemi problem me imazhin e keq të krijuar artificialisht për ne në botë. Ndaj pa humbur kohë duhet ta përmirësojmë këtë imazh të Kosovës, duhet t’ia paraqesim botës vendin tonë dhe popullin tonë me vlerat e veta unike që i ka. Mbase një gjë e tillë nuk po ndodh sepse, ambasadat tona dhe përfaqësitë diplomatike janë në gjumë dimëror, nuk iu ka dëgjuar zëri pothuajse asnjëherë.

Duhet t’i mbledhim forcat intelektuale, ekspertët e fushave, njerëzit e dijes e të fillojmë ta ndërtojmë Kosovën aty ku ka ngecje.

Faktikisht, deshëm apo jo, nuk ka pushtet funksional në Kosovë që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2014. Të përzgjedhurit e popullit, kuptohet jo të gjithë po një pjesë e madhe e tyre, e kanë përdorur pushtetin dhe pozitat që i kanë pasur dhe i kanë për t’u pasuruar. Në asnjë rast të vetëm askush nuk është pranuar në punë apo në ndonjë pozitë as në pushtetin lokal as në atë qendror, nëse nuk ka qenë lidhje e të përzgjedhurve nga populli. Ndoshta dikujt i duket i ekzagjeruar ky fakt e faktet e tjera të kësaj natyre, por le të bëhen sondazhe reale lidhur me këto konstatime. Nuk janë të paktë njerëzit, kuptohet të përkëdhelurit e pushtetit, që mbajnë nga tri deri në shtatë apo tetë vende pune njëkohësisht.

Kosova me resurset e veta konsiderohet ndër vendet më të pasura dhe më të bukura në rruzullin tokësor, vend që ia patën lakmi të gjitha perandoritë, por sot është vendi më i varfër në rajon e më gjerë! Pse?!!!

Populli po diskriminohet çdo ditë e më shumë. Ekonomia e vendit është degraduar dhe shkatërruar aq shumë sa që askush nuk mendon për të. Kjo ka ardhur si pasojë e disa klaneve dhe kastave, normalisht të mbështetura nga grupe të caktuara në pushtet, të cilët e kanë avancuar aq shumë ekonominë serbe në Kosovë, sa që me kalimin e kohës të gjithë jemi bërë të mvarur prej saj. Tregtia e Serbisë në Kosovë, aq më keq me produkte të dyshimta, ka gjetur shtrirje të madhe deri në atë masë sa që e ka gllabëruar ekonominë vendore për shkak të përfitimeve marramendëse të klaneve të caktuara të shoqërisë kosovare, që janë edhe dorë e zgjatur e pushtetarëve që erdhën, që janë në pushtet gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve, por edhe të atyre që u larguan nga Kosova pas përfundimit të luftës.

Ka vite që ndërkombëtarët dhe vendorët flasin me prioritet secilën ditë, për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për t’i zënë “peshqit e mëdhenj”, por gjatë kësaj kohe jo që nuk është luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, por pothuajse po bëhen gara se kush do jetë më i korruptuar se tjetri. Ky mentalitet është në trend, është bërë modë ndër ne. Ata që kanë grabitur më shumë nuk janë prekur fare në asnjë kohë. Në të shumtën e rasteve është luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar me ata që i kanë marrë nga 20 apo 50 euro ryshfet. Ka vite që thuhet se po hetohen “peshqit e mëdhenj” nga UNMIK-u, EULEX-i e gjykatat vendore, por në grep kanë rënë gjithmonë të vegjlit. Deklarimet e tilla doli të jenë vetëm mashtrim, sepse “peshqit e mëdhenj” janë treguar të pushtetshëm, duke e pasur nën kontroll sistemin e drejtësisë vendore e ndërkombëtare.  Shih për këtë aferat e publikuara kohë më parë. Pos kësaj, nuk është për t’u habitur se Task Forca i heton 69 persona për korrupsion në EULEX, e në arbitrat e tjerë, të cilët i kanë bërë “peshqit e mëdhenj” të ndihen të paprekshëm, të vazhdojnë të flenë rehat, sepse ata janë të bindur se janë vetë “ligji”, janë mbi “ligjin”. Kjo ka ndodhur dhe po ndodhë, sepse ka dështuar sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Që nga data 1 janar e vitit 2014 e deri më 18 dhjetor 2014, ZPD-ja (Zyra e Prokurorit Disiplinor) ka pasur 542 parashtesa/ankesa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për sjellje të pahijshme, përkatësisht 434 parashtesa ndaj gjyqtarëve dhe 110 parashtesa ndaj prokurorëve, të cilat në shumë raste kanë qenë të lidhura me afera korruptive. Sistemi i drejtësisë në Kosovë është në kaos të plotë, mbi 400 mijë lëndë janë të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës. Fatkeqësisht, skemat kriminale e mbajnë peng drejtësinë. Askush nuk është i interesuar ta luftojë  korrupsionin në Kosovë, sepse premtimet dhe zotimet për ta luftuar korrupsionin kanë mbetur vetëm farsë.

Anarkia bëhet funksionale edhe në rastet kur në Kosovë sheh dy rangje qytetarësh, qytetarët që janë të paprekshëm nga ligji dhe ata që preken nga ligji dhe nëpërmjet tyre demonstrohet se funksionon “ligji”. Kemi edhe rangun e tretë të qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk e njohin Republikën e Kosovës, por mbajnë pozita të larta në shtetin e Kosovës. Pakica serbe është privilegjuar aq shumë sa që e bën ligjin mbi shumicën shqiptare. Madje, pakica serbe në Kosovë është pakica kombëtare më e privilegjuar jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europë e në botë. Pjesëtarë të kësaj pakice, që nga viti 1999 e këndej, kanë qenë pjesë e strukturave të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturave struktura paralele, me të cilat asnjëherë askush nuk është marrë seriozisht. Këto struktura që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë jashtëligjshëm në Kosovë, janë mbështetur dhe financuar direkt nga Serbia zyrtare. Prania e tyre në Kosovë e ka defaktorizuar Kosovën dhe e ka zbehur funksionimin e shtetit ligjor, ani pse ndërmjetësuesja në dialog, Edita Tahiri, është përpjekur ta minimizojë rolin e këtyre strukturave në Kosovë. Në anën tjetër, pakicat shqiptare brenda enklavave serbe po keqtrajtohen e po detyrohen të largohen me dhunë nga vendbanimet e tyre. Kjo tregon qartë se Kushtetuta e Kosovës nuk gjen zbatim në të gjithë territorin. Sovraniteti i shtetit të pavarur të Kosovës, kontrollohet nga KFOR-i, EULEX-i, UNMIK-u, në bashkëpunim edhe me forcat e sigurisë së Kosovës, qarqet serbe zyrtare e jo zyrtare. Të dyshuar për krime lufte e gjenocid kundër popullit shqiptar, hyjnë e dalin kur të duan tash e gjashtëmbëdhjetë vjet brenda kufijve të Kosovës, madje edhe si partnerë të strukturave më të larta të shtetit.

Serbia ka arritur ta hedhë spirancën e ndërtimit të një shteti paralel në Kosovë, apo të një shteti brenda shtetit, nëpërmjet funksionimit të pushtetit paralel qe gjashtëmbëdhjetë vite e këndej. Enklavat, eksterritorialiteti, strukturat paralele në siguri, arsim, kulturë, mjekësi, ekonomi, turizëm, distribucion elektrik, kishat, etj., janë mekanizma që funksionojnë të dirigjuara nga Serbia dhe të përkrahura nga elementi i pakicës serbe në Kosovë. Krijimi i një entiteti të ri serb po bëhet me formimin e të ashtuquajturit Asociacion i Komunave Serbe në Kosovë, gjë që po e legjitimon një mini-shtet serb brenda shtetit të Kosovës. Mbi 30 për qind e territorit të Kosovës nuk kontrollohet nga Kosova, por nga strukturat e Serbisë. Në këto pjesë lëvizja e lirë e joserbëve është e kufizuar.

Serbia investon dhe ndërton në Kosovë, nëpërmjet rrjeteve të caktuara ka plasuar një ekonomi gjigante në Kosovë. Gjatë kohës sa shteti i Kosovës, si i vetmi vend në rajon, është futur në geto padrejtësisht, mbi 40 mijë shqiptarë të Kosovës i kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet tjera, duke e përfshirë këtu edhe shtetësinë e Serbisë. Greqia, Bullgaria e shtete të tjera të rajonit u japin shuma të konsiderueshme atyre që e marrin shtetësinë e tyre, e ne japim mijëra euro për ta marrë shtetësinë apo një pasaportë të Serbisë, për ta përdorur si mjet të depërtimit në Europë. Serbia edhe më tutje e konsideron Kosovën pjesë kushtetuese të saj, e ne ditë më parë e festuam 8-vjetorin e Pavarësisë, në kushte aspak të favorshme e festive.

Serbia secilën ditë e më shumë po e kthen ndikimin e saj në Kosovë. Ka mjaft shenja se ajo ka filluar ta riokupojë Kosovën, tash me mjete e forma më të buta, më të pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare. Për çudi, edhe ata pak qytetarë serbë që e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe kanë pranuar t’i marrin dokumentacionet e Kosovës janë katandisur si mos më keq e nuk kanë pasur kurrfarë përkrahje institucionale edhe pse janë gjendur përballë presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme të Serbisë.

Të gjitha këto kanë ndodhur e po ndodhin për arsye të dështimit të klasës politike në Kosovë pa dallim, të pozitës e të opozitës, të cilët gjithë energjinë po e përdorin kundër njëri-tjetrit. Përfaqësuesit e Kosovës që kanë qenë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi, kanë thurë teza, kanë shpikë mendime, kanë lansuar lloj-lloj intrigash, kanë bërë çmos për ta hutuar dhe dezorientuar opinionin për t’i fshehur të vërtetat e dhimbshme rreth këtyre bisedimeve. Për çudi askush nuk u ka kërkuar që ta bëjnë publike ecurinë e bisedimeve dhe marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dëm të Kosovës. Në një mënyrë, bisedimet Kosovë-Serbi kanë qenë një lloj konspiracioni i brendshëm.

Privatizimi i ndërmarrjeve publike, pa rregulla të mirëfillta, duke u bazuar në kritere të fshehta e dallavere të pafund, i komplikoi konceptet e ekonomisë në vend. Nga ky koncept dhe mënyra se si u privatizuan këto ndërmarrje lindi mendimi se për t’u pasuruar brenda natës duhet të jesh deputet apo pjesë e klaneve të pushtetit. Po të ishim të vetëdijshëm se çka kemi bërë dhe sa në hak i kemi hyrë këtij populli, do të duhej të shfuqizoheshin shumë vendime që i kemi marrë në dëm të Kosovës, disa prej të cilave e kanë dëmtuar shumë Kosovën. Kufiri shtetëror i Kosovës është dëmtuar shumë gjatë procesit të demarkacionit në raport me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), me Malin e Zi, e është në bisedime për t’u dëmtuar edhe më shumë në raport me Serbinë. Nuk e di pse të gjithë heshtin para këtij problemi, pra para çështjes së përcaktimit të vijës kufitare me Serbinë, apo duket se është bërë zakon që ndoshta pasi që de facto dhe de jure të na e marrin territorin atëherë ta ngitim zërin?!!!

Aty-këtu po flitet se duhet të bëhet formimi i Ushtrisë së Kosovës, si element i domosdoshëm për kompletimin e resurseve të shtetit. Por, të gjithë jemi dëshmitarë, se në vitin 2014, Ushtria e Kosovës nuk u votua as nuk u legjitimua si e tillë FSK-ja në Kuvendin e Kosovës nga deputetë të zgjedhur nga ky popull.

Partitë e dala nga lufta e UÇK-së, me veprimet e tyre janë duke e dëmtuar imazhin e vet, dhe janë duke punuar për llogari të të tjerëve, me apo pa vetëdije, kjo le të mbetet në ndërgjegjen e secilit. Gjykata Speciale është formuar pikërisht për këtë shtresë. Pikërisht nga këto shtresa janë mbushur burgjet e Kosovës tash e gjashtëmbëdhjetë vjet, luftëtarët më të devotshëm e komandantët më të spikatur të UÇK-së ishin apo janë në burgje.

Ndaj, duhet t’i lëmë anash mëritë e inatet ndaj njëri-tjetrit e të shikojmë kah e ardhmja, ta ndërtojmë të ardhmen që e meriton ky popull. Armiqtë e vjetër të Kosovës i gëzohen faktit nëse partitë e dala nga lufta janë të dhunshme, duke e përfshirë edhe PDK-në që është në pushtet. Janë të dëmshme mendimet dhe veprimet e grupimeve të caktuara, që veprojnë ende me mendimet e diktaturës së proletariatit.

Darvinizmi shoqëror e gjeti vendin e përshtatshëm për zhvillim në Kosovë, demokracia ka ngecë në vednumëro. Shoqëritë apo individët më të dobët po eliminohen politikisht nga klasa më e fortë. Në Kosovë po blihet gjithçka nga klanet që u pasuruan në emër të pushtetit e të votës së popullit. Ata janë klasa e hekurt, që blejnë e uzurpojnë gjithçka, i blejnë diplomat, të magjistrit e doktorit,  titujt e veteranit të luftës, të invalidit, i blejnë titujt e deputetit, të ambasadorit e drejtorit. Ata i kanë blerë e uzurpuar tokat e shtetit e bashkë me to, krejt Kosovën.

Lidershipi ynë deri më tani ka proklamuar demokraci të rrejshme. Lufta për pushtet ndërmjet grupeve dhe klasave ka qenë shumë e ashpër, madje e pandershme, sepse po shpie drejt dështimit të shtetit, e këtë populli ynë nuk e meriton sepse ka dhënë shumë mund, gjak e sakrifica për këtë ditë.

Kosova nuk ka nevojë për përplasje të brendshme, për kacafytje e shkatërrim. Kosova ka nevojë për njerëz që e duan atë, që e qojnë përpara dhe e ndërtojnë çdo ditë, ka nevojë për mirëqenie të përgjithshme.

Ne vet po e pengojmë procesin e zhvillimit të Kosovës, me vetëdije apo pa vetëdije po i këpusim urat e progresit të këtij vendi. Është koha të ndërgjegjësohemi, të vetëdijesohemi, ta mbledhim forcën, diturinë e dijetarët e shpërndarë kudo që janë, të krijojmë një strukturë të re të përgjegjshme dhe bashkë me ta, ta ndërtojmë shtetin e Kosovës. Është koha për ndërtimin e mirëfilltë të shtetit të Kosovës. Duhet të mblidhemi urgjentisht e të shohim çka po ndodh me Kosovën. Të zgjedhurit e popullit duhet ta dijnë se fati i Kosovës është në duart e tyre, prandaj, mos ta marrin në qafë këtë vend për inate e kaprice të vogla, sepse nesër do të jetë vonë.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …