Sulmet e NATO-s

18-vjetori i intervenimit të forcave ushtarake të NATO-s kundër Serbisë dhe regjimit të Milosheviqit

Sot mbushen 18 vjet qyshkur Aleanca Veriatlantike kishte filluar sulmet ajrore kundër makinerisë ushtarake e policore të Serbisë, e cila mbante nën rrethim dhe ushtronte terror shtetëror mbi Kosovën dhe nuk kishte pranuar “Marrëveshjen e Rambujesë”, si zgjidhje kompromisi, nga e cila Serbia do të fitonte shumë më tepër sesa Kosova, që asokohe ndodhej nën flakët e luftës. Sulmet nga ajri, drejtuar caqeve ushtarake, ekonomike dhe strategjike të Serbisë dhe Malit të Zi, kishin vazhduar deri në 10 qershor të atij viti kur, në Kumanovë të Maqedonisë ishte nënshkruar Marrëveshja për largimin e të gjitha trupave ushtarake e policore të Serbisë nga Kosova.

Ishte hera e parë në historinë 50-vjeçare të NATO-s që bombardonte një shtet, ndërsa Serbia ishte shteti i parë dhe i vetëm i  Evropës, i cili ishte bombarduar, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Ky shtet sllav, i krijuar nga Evropa dhe Rusia për të qenë “xhandar” i Ballkanit u demonizua si Shteti i vetëm në Evropë e në botë, i cili u ndëshkua ushtarakisht nga forca më e madhe ushtarake e botës dhe pësoi humbje fatale. Serbia si ajo e kohës së Milosheviqit ashtu edhe kjo e kohës së Vuçiqit vazhdojnë ta trajtojnë NATO-n si organizatë ushtarake terroriste, ashtu  sikur edhe Ushtrinë çlirimtare të Kosovës. Forcat e NATO-KFOR-it edhe pse të reduktuara në numër dhe teknikë lufte, ende ndodhen në Kosovë si garanci deri në shtendosjen e raporteve, Kosove Serbi, deri në krijimin e Ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars të vitit 1999, krerët politikë dhe ushtarakë të Serbisë, dhanë urdhër për  vërsulje barbare kundër popullatës civile shqiptare  të Kosovës dhe kundër Ushtrisë së saj Çlirimtare, e cila ishte shtrirë në tërë vendin dhe luftonte fyt për fyt në të gjitha frontet, edhe pse në mungesë të theksuar të  armëve dhe municionit. Gjatë kohës së intervenimit të NATO-s serbët kishin masakruar mijëra shqiptarë, ndërsa kishin dëbuar nga Kosova qindra mijëra të tjerë. Gjatë muajve mars, prill maj qershor të atij viti, në frontet e luftës çlirimtare kanë rënë rreth 800 dëshmorë nga 1930 sa ishte numri i përgjithshëm i tyre  deri në qershor të vitit 1999. (RKL)

 

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …