Brickos

240-vjetori i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

240-vjetori i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Sot shënohet 240-vjetori i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32 vjeçari Tomas Xheferson. Njëra pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit. “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dokumenti tjetër është Kushtetuta. Në Shtetet e Bashkuara 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, Dita e Pavarësisë.

Vdesin dy miq, dy nga themeluesit e kombit amerikan

Më 4 korrik të vitit 1826, mori fund një nga miqësitë më të gjata dhe më të rëndësishme në historinë amerikane, ajo midis Thomas Jeffersonit, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarëssë, dhe John Adamsit, mbështetësit të zjarrtë të pavarësisë. Ata vdiqën vetëm disa orë njeri pas tjetrit, pikërisht në 50 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.

Jeffersoni vdiq në shtëpinë e tij në Montiçello të shtetit Virxhinia, kurse Adamsi në Quincy të shtetit Massachusetts. 82 vjeçari Jefferson ishte i sëmurë rëndë dhe luftoi me vdekjen deri pas mesnatës së 4 korrikut. Ndërsa 90 vjeçari Adams, i cili nuk ishte në dijeni të vdekjes së mikut të tij, thuhet se shqiptoi këto fjalë të fundit “Jeffersoni është ende gjallë”.

Ata ishin njohur gjatë konventës së vitit 1776, e cila çoi në vendimin e kolonive britanike të Amerikës për të shpallur pavarësinë nga Anglia. Në vitet e para pas krijimit të Shteteve të Bashkuara, Jeffersoni dhe Adamsi nuk ishin gjithmonë dakord për çështjet e ndryshme politike, por mbajtën një korrespondencë të vazhdueshme për problemet e kohës. Historianët edhe sot i studiojnë dhe i admirojnë letrat e shumta që shkëmbyen ata me njeri tjetrin. (ZA)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë republikë federale kushtetuese, e përbërë prej 50 shtetesh dhe një qarku federal

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë republikë federale kushtetuese, e përbërë prej 50 shtetesh dhe një qarku federal. Vendi shtrihet kryesisht në Amerikën e Veriut, ku dyzetetetë shtete të ngjitura dhe Washington, D.C., qarku i kryeqytetit, ndodhen midis oqeaneve Atlantik dhe Paqësor, në kufi me Kanadanë në veri dhe Meksikën në jug. Shteti i Alaskës ndodhet në veriperëndim të kontinentit dhe kufizohet me Kanadanë në lindje dhe Rusinë në perëndim përtej Ngushticës së Beringut. Shteti i Hawait është arkipelag në mes të Paqësorit. SHBA-të gjithashtu zotërojnë disa territore, treva ishullore, në Karaibe dhe Paqësor.

Me sipërfaqe prej 9,83 milion km² dhe me popullsi prej 306 milion banorësh, Shtetet e Bashkuara janë vendi i tretë ose i katërt në botë për nga sipërfaqja, si dhe i treti sipas hapësirës tokësore dhe popullsisë. Shtetet e Bashkuara janë njëri prej vendeve më të spikatur për nga shumëllojshmëria etnike dhe kulturore, si rrjedhojë e emigrimit në shkallë të lartë prej shumë vendeve. Ekonomia e SHBA-së është më e madhja në botë, me prodhim të brendshëm bruto (PBB, GDP) vlerësuar më 2008 në shumë prej 14,3 trilion dollarësh (23 % e PBB-së nominale të botës dhe gati 21 % sipas barazimit të fuqisë blerëse).

Kombi amerikan u themelua nga trembëdhjetë kolonitë e Britanisë së Madhe, ndodhur përgjatë bregdetit Atlantik. Më 4 korrik 1776, ato nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, që shpalli pavarësinë e tyre nga Britania e Madhe dhe formimin e një bashkimi kooperativ. Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në Luftën Revolucionare Amerikane, luftën e parë të suksesshme të kolonive për pavarësi. Kuvendi i Filadelfias përpiloi Kushtetutën e tashme të Shteteve të Bashkuara më 17 shtator 1787; miratimi i saj në vitet vijuese i bëri shtetet pjesë të një republike të vetme me qeveri të fuqishme qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791.

Në shekullin XIX, Shtetet e Bashkuara fituan toka nga Franca, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Meksika dhe Rusia, si dhe aneksuan Republikën e Teksasit dhe Republikën e Hawait. Mosmarrëveshjet mes jugut bujqësor dhe veriut industrial rreth të drejtave të shteteve dhe zgjerimit të institucionit të skllavërisë provokuan Luftën Qytetare Amerikane të viteve 1860. Fitorja e veriut parandaloi një ndarje të përhershme të vendit dhe çoi drejt përfundimit të skllavërisë së ligjshme në Shtetet e Bashkuara. Në vitet 1870-të, ekonomia kombëtare ishte më e madhja në botë.Lufta Spanjollo-Amerikane dhe Lufta e Parë Botërore konfirmuan statusin e vendit si fuqi ushtarake. Më 1945, Shtetet e Bashkuara dolën nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i parë me armë bërthamore, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe themeluese e NATO-s. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e la SHBA-në si superfuqinë e vetme. Afro 50% të shpenzimeve ushtarake të rruzullit bëhen nga Shtetet e Bashkuara, që vazhdojnë të jenë forcë drejtuese ekonomike, politike dhe kulturore në botë.

Kontrolloni gjithashtu

DASH: Qeveria e Kosovës është treguar e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar dhe luftuar individët e korruptuar

DASh, është shprehur i zhgënjyer pasi dy persona të sanksionuar nga ShBA janë propozuar për të qenë pjesë e qeverisë së re në Serbi

Departamenti Amerikan i Shtetit ka  bërë e ditur se pozicioni i tyre për ish-shefin e …