30 Prilli i vitit 1999 mbetet një nga ditët më të rënda dhe më të dhimbshme në historinë e Kosovës dhe të UÇK-së

Me rastin e 27-vjetorit të rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra dhe 40 dëshmorëve dhe martirëve të rënë, komuna e Skenderajt të enjtën me 30 prill organizoj homazhe përkujtimore dhe aktivitete tjera në nderim të komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë dëshmorëve tjerë që ranë më 30 prill të vitit 1999.

Në postimin e tij në facebook, kryetari Lushtaku ka shkruar:

“30 Prilli i vitit 1999 mbetet një nga ditët më të rënda dhe më të dhimbshme në historinë e Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte dita kur forcat serbe ndërmorën një ofensivë të egër mbi shumë fshatra të Drenicës, duke lënë pas vrasje, shkatërrim dhe plagë që ende nuk janë shëruar.

Në altarin e lirisë, atë ditë ranë 40 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin Ilaz Kodra, një figurë e pathyeshme e luftës dhe qëndresës, tek kulla e të cilit bëmë nderime me respekt të thellë. Nderuam tek varrezat dhe pllakat përkujtimore edhe 275 martirët e rënë nga Vërbofci, Shtutica, Polluzha, Tërsteniku, Çirezi, Baksi, Dashefci, Prellofci, Polaci dhe shumë fshatra të tjera të Drenicës.

Me nderim të veçantë kujtuam pranë varrezave në Marinë edhe dëshmorët nga komuna e Skenderajt që ranë po në këtë ditë: Ilaz Kodra, Ilmi Shaqiri nga Baksi, Isa Ferati, Hamdi Ferati, Fehmi Fetahu e Ismet Rama nga Qirezi, Agim Ramadani, Bajram Aliu dhe Fazli Jashari nga Likofci.

Kjo ditë është dëshmi e çmimit të lirisë dhe thirrje që të mos harrojmë kurrë rrugën e sakrificës që na solli deri këtu.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të rënë më 30 Prill 1999, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryetari i komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku.

Kontrolloni gjithashtu

U përkujtua dëshmori Kemajl Azizi

Në 27-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit, Kemajl Azizi, Kryetari i Komunës së …