leoni

(5. 11. 2007) Mehmet Bislimi: GROTESKA E NJË FUSHATE

 


Aftësia dhe komunikimi me masat është art, por arti nuk do duhej që të paraqesë pjesën më groteske të një ligjërimi joprofesional, madje të rënë në grackat e gënjeshtrave pa mbulesë, në mënyrë krejt naive, të cilave më nuk iu beson as i ati e as i biri!
Fushata elektorale sa është futur në “zonat e nxehta” të gatimi të kulaçit pa kripë, të cilin me gjasë edhe kësaj radhe do ta “hajë” elektorati, gjithnjë duke u bazuar në atë çka mediet na e paraqesin deri më tani. Në fakt deri në fund të fushatës, kanë mbetur edhe disa ditë… deri me sot u spekulua shumë, dhe nuk e di se ç’ka mbetur për t’u spekuluar edhe më?! Këto figura të njëtrajtshme në portretet e të cilave po afishohen shikime të përhumbura mes premtimeve boshe e gati përçarëse me kilometra larg realitetit të kapshëm, duke dashur ta mbysin zhgënjimin e tyre me një paraqitje të preferencave të momentit. Lider, këta të cilët nuk janë në gjendje që të konkretizojnë qoftë edhe një ide të vetme, për të bërë fare dhimbshëm historinë e plagosur të një palë zgjedhjeve joshëse, duke gënjyer fare hapur, vetën dhe elektoratin mbi atë që nuk u realizua tash e tetë vite me radhë, me pretendimin se do ta realizojnë për këto tetë ditët e mbetura të kësaj fundfushate, e cila po “ lulëzon Kosovën si një nuse!”, apo jo?… Thënies së saktë të popullit se: “Po të bënte gjithkush shtëpi, Kola im do i bënte tri!”, sikur nuk i ka ikur vakti, fatkeqësisht!…
Kjo histori e plagosur, e cila në vete ngërthen një revoltë të dështuar mbi dëshmitë e sfidave të një shoqërie fund e krye të çorientuar, ndryshe përfytyrimi i një gjendje të krijuar enkas për këto vite të tmerrshme të “suksesit mbi qeverisjen e territ” në Kosovë, vështirë së mund të rikuperohet kujtesa që pruri vitet e kohëve të vrara, por edhe të humbura të një kostoje politike, që po mbillte format e një elite hajdutesh, të cilët operuan rehat, rehat mbi kurrizin e kërrusur të nënëlokes Kosovë. E gjithë kjo sikur nuk mjaftoi, prandaj farsa elitë pretendon edhe një herë po të njëjtën ripërsëritje skenash banale!
Ky mister i kësaj bote të ligë, i cili zbrazi mbi Kosovën e kërrusur “burrat e demokracisë”, qytetarit hallexhi të Kosovës vetëm sa ia ka rënduar barrët e jetës, në fakt populli ynë, këtë kopje “burrështetasish” nga më të çuditshmit, nuk e kishte imagjinuar kurrë më parë, por ja që e gjeti belaja me ta, dhe si punë e atij hajdutit që thotë: E kam zënë hajdutin or babë! Po lëshoje or birë- ia ktheu i ati- “ Unë po e lëshoi, por nuk po më lëshon ky mua!”

Kur problemet e pazgjidhura nuk shtrohen drejt, ato nuk kanë se si edhe të zgjidhen drejt më pastaj. Forca e ligjit në Kosovë ka munguar fatalisht, prandaj të ligjtë përqafuan të pabërat, pa frikë nga goditja e dorës së drejtësisë. Premtimet e çastit të subjekteve politike para elektoratit, sikur nuk janë serioze, për më shumë, ato janë edhe qesharake, por shikuar realisht, atje ku vepron ligji i demokracisë ato do duhej të ishin edhe të dënueshme!?
Si ka mundësi që të merret vendim ku dy javë para zgjedhjeve të rritën pensionet për gati dy fish?! Një gjë të tillë që koalicioni qeverisës nuk ka pasur guximin, apo nuk ka dashur, mbase e paskan ruajtur enkas që ta bëjnë tani dy javë para zgjedhjeve! Ky premtim, nuk ka bazë ligjore, nuk ka anën transparente të një vendimi të Qeverisë, Ministrisë përkatëse, Kuvendit të Kosovës, apo djallit e të birit se kur, ku, me ç’kompetenca u mor ky vendim, me ç’mjete do të mbulohen këto pagesa etj?
Shakatë e radhës nuk kanë të ndalur: LDK- premton drita për 24 orë! Mirëqenie qytetare, punësim, rritje pensionesh, ndërtim shkollash e punësim të qytetarëve, ndërkaq pretenduesi i potit të Prishtinës z. Mustafa, krejt i lodhur e tinëzar me një ton tejet të mekur premton se Prishtinën do ta bëj nuse! Kjo mumie e heshtur është shumë e rrezikshme, tandemi: Mustafa – Bukoshi, i patën terur e këputur xhepat e mërgatës dikur, dhe atë në emër të një Qeverie të ekzilit, për të cilën sot e mot, nuk i dhanë as kujt, as më të voglën llogari! Këta ish ministra pa llogaridhënie, pa adresë e pa qeveri të ekzilit, tani kërkojnë rikthimin e ndershëm… LDD, e cila deri dje, kishte ngrënë në çanakun e koalicionit Qeverisës, por që kryetari i saj zoti Daci, kishte zgjatur qafën ca përtej dhe kishte ngrënë edhe atje lartë në Vila Gërmi, sikur nuk i mbeti në fyt e tëra ajo, prandaj në këtë fushatë ( pas shkurorëzimit me nënën parti), – bie fjala ( mes tjerash) në Malishevë tha: Votoni për ne, ngase ne do t’u zhdukim rriqrat, nuk i dihet, mbase edhe morrat!… Ora në Siqevë ia këputi se do t’i hapi dyzetmijë vende të reja pune! Pacolli premton se Kosovën do ta ndërtoi si Taxhikistanin! Haraqia i LDK-së, pasi që ia lodroi t’ëmën Ministrisë së kulturës, tha se do të ia kthej namin Gjakovës që na i paska ikur ( sigurisht për derisa Haraqia ishte për këto vite në Prishtinë!). AAK, tha se do ta bëjmë edhe një termocentral ( se kanë harruar) që ta bëjnë për këtë mandat sa ishin, mbase nuk kanë pasur edhe kohë! PDK- do të shtrojë katër autostrada etj!
Të gjitha partitë politike opozitare, kanë të drejt morale që të premtojnë deri në një farë mase, pra brenda konturave të një realiteti të kapshëm, nga se nuk kanë dëshmuar që janë shpërdorues, madje kanë ngritur zërin ( në kaçikun e tyre), kundër këtij koalicioni të pa përgjegjshëm, ndërkaq partitë që ishin në pushtet, kanë vrarë moralin e tyre për një mandat të tërë me dorën e vet, duke mos realizuar po thuaj asgjë ( duke përfshirë këtu edhe LDD-në) e cila ishte në majat e pushtetit deri dje! Prandaj, thënia e popullit se gjeli i detit nuk mbahet ditën e bajramit- sikur na kujton më shumë.

Kishte qenë një herë një shtëpi me meshkuj të shumtë, po edhe me ekonomi të mirë. Ndërkohë ata ishin ndarë e shpartalluar, duke rënë shumë nga ekonomia, nga prestigji, madje duke humbur edhe shpresat për përparim e ringritje. Shkuan te një njeri që parashikonte fatin, dhe po e pyesin: Zotëri i gjithë dijshëm, kemi qenë shtëpi e madhe, me ekonomi e pasuri, si kush në këto anë, tani kemi rënë shumë keq, na thuaj sa do të zgjas kjo gjendje jona lum zotëria?
-Tri vjet, tha ai!
-E pas tri viteve çka do bëhet me ne?- ia priten ata.
– Do të mësoheni me fukarallëkun!- ua ktheu ai.
Populli ynë e ka në dorë që ish koalicionit qeverisës t’i tregoi se ne nuk do të lejojmë më që të mësohemi me terrin, papunësinë, varfërinë e skajshme, korrupsionin, hajdutërinë, përdhosjen morale të qytetarit, përdhosjen e dinjitetit, fudullëkun burokratik, baltën e zezë në rrugët e Kosovës, etjen dhe urinë, përçmimin e shëndetësisë, arsimin dhe ligjin, nuk do të lejojmë më denigrimin e dinjitetit të qytetarit.
Jo, më këto gjëra nuk ka për t’u pajtuar e për t’u mësuar kurrë më populli ynë, unë besoj shumë në këtë. Populli do duhej t’iu besojë fakteve, faktet flasin se gjërat që nuk janë realizuar për katër vite e më shumë, nuk kanë se si të realizohen për katër ditë të fushatës, prandaj mund të gënjehet vetëm ai që dëshiron të gënjehet, ndryshe faktet janë ulur këmbëkryq në Kosovë dhe fatkeqësisht janë shumë të hidhura për qytetarët e saj. Prandaj me 17 nëntor elektorati e ka fatin në dorën e vet, para së gjithash, me votën e vet ai do duhej të vras terrin, ndryshe do ia zgjas jetën errësirës, kjo mbetët për t’u parë. Kanë ngelur edhe pak ditë.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi: Një marrëveshje me Serbinë, pa njohjen në qendër, do të zgjasë procesin e dialogut dhe status-quonë në Kosovë

Memli Krasniqi: PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe me asnjë subjekt tjetër politik, nuk ka as me Vetëvendosjen

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas pajtimit me kërkesën e Albin Kurtit për mundësinë e  …