Adem Demaçi

62 vjet nga fillimi i veprimtarisë letrare artistike të Adem Demaçit

Janë bërë 62 vjet qyshkur Adem Demaçi e ka shkruar tregimin e tij të parë, “Te xha Sakipi”, botuar asokohe në revistën letrare, “Jeta e re”. Dhe prej vitit 1953, kur u botua rrëfimi i tij i parë, në kujtesën e liridashësve  do të shquhej ky emër i veçantë, i cili do të bëhet i njohur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për ta.

Ishte në radhë të parë talenti, por edhe shumë veti e virtyte të tjera, që i disponon shpirti i këtij njeriu, të cilat bënë që të mbetej përgjithmonë një emër i dashur, i nderuar, i respektuar, për të gjithë liridashësit e kombit tonë, një emër me të cilin lidhet tërë historia jonë e rezistencës, por edhe fillimet e prozës realiste shqiptare në Kosovë, ku krijimtaria letrare kishte filluar të zhvillohej me shumë vonesë, për shkaqe tashmë të ditura dhe mirë të kuptuara. Demaçi  do të mbetet përgjithnjë i paharrueshëm edhe për regjimin okupator jugosllav dhe për të gjithë ata që në mënyra të ndryshme iu shërbyen ish regjimeve.

Për shumë çka Adem Demaçi është simbol i shqiptarësisë liridashëse, është njeriu i cili edhe për së gjalli, me tërë dinjitet dhe kapital njerëzor e kombëtar po hyn lirshëm në pjesën më të shenjtë të historisë së kombit shqiptar. Me qëndrimin e tij kurdoherë vertikal, me guximin e tij dhe fuqinë e vizionit u bë shembull tipik i njeriut të rezistencës, i cili frymëzoi sa e sa breza liridashësish, duke mbetur gjithmonë digë e pamposhtur në luftë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

Demaçi ka arritur që filozofinë e tij shumë të preferuar iluministe-idealiste, të stisur mbi principet e ligjeve të jetës, ligjeve të natyrës, ta sintetizojë po thuajse në të gjitha veprat e tij, dhe kjo qasje e natyrshme në krijimtari ruan në vetvete freskinë e shpirtit njerëzor, dhuntinë e jetës, qoftë edhe të ngujuar brenda katër mureve të errëta e të lagështa nëpër qelitë e kazamateve, atje ku ka kaluar 28 vjet.  Në krijimtarinë e tij letrare artistike, ka sintetizuar me sukses  një pjesë të filozofisë së tij jetësore, në kërkim të së vërtetës, filozofinë  e tij autentike, e cila buron nga rrjedha të diturisë, nga  arsimimi i rregullt dhe vetë-arsimimi i gjatë nëpër burgje, aq i gjatë në kohë, sa realisht ka mjaftuar për të kryer  10 fakultete, të cilat edhe i ka kryer  nëpër burgje,  gjatë studimit dhe  leximit pandërprerë të literaturës botërore. Këtë  dije enciklopedike Demaçi e shpreh  kudo, në çdo bisedë të çdo teme apo përmbajtje, meqë bota e tij shpirtërore e intelektuale është pasuruar me përvojën jetësore nëpër burgje, por  dhe jashtë burgjeve, gjithnjë i privuar nga e drejta për shprehjen e lirë të mendimit. Arsimimi dhe vetë-arsimimi i tij kanë dhënë si rezultat një tipologji të veçantë, të krijuesit dhe intelektualit të kompletuar  edhe në vrojtimin e definimin e raporteve, të cilat i ka marrë në shqyrtim në veprat e tij letrare artistike.

Fati i katandisur i shqiptarit

Rrëfimet e shkruara nga Adem Demaçi në vitet 50 të shekullit XX shënojnë fillimin e prozës realiste sociale në Kosovë, e cila burim frymëzimi kishte fatin e katandisur të shqiptarit të trojeve të robëruara të atdheut. Ashtu si dikur, në kohën e tyre,  Migjeni, Nonda Bulka, Sterjo Spasse, Karl Gurakuqi e të tjerë, Demaçi qysh në vitet 50-të e fillon krijimtarinë e vet letrare e artistike duke marrë pozicion realist, meqë në shpirtin e tij të ndjeshëm, më vonë revolucionar, ai do të brumoset me idealet e shenjta të çlirimit, për të mos u pajtuar kurrë me dhunën, robërinë, shfrytëzimin dhe denigrimin, që iu bëhej shqiptarëve të mbetur në regjimin shtypës të Jugosllavisë.

Si bir fshatari, Demaçi ka trashëguar një moral tradicional të vlerave. Si bir i një populli të shtypur e të katandisur, ai qysh në fëmijëri kishte arritur të identifikonte shkaktarët e vërtetë të shtypjes dhe shfrytëzimit, duke mos u ndalur vetëm në konstatimin si të tillë, por duke bërë tutje, fillimisht me publikimin e tregimeve e romanit, më vonë me forma dhe metoda të tjera. Me kohë ka marrë guxim qytetar dhe intelektual për ta denoncuar pabarazinë shoqërore dhe këtë fillimisht e bëri përmes rrëfimeve, të cilat u lexuan dhe u komentuan si në kohën kur u shkruan,  po ashtu edhe më shumë në kohën, kur regjimi titist i censuroi  dhe ndaloi leximin legal të veprave të tij.

Në anën tjetër, pikërisht këto tregime bënë që regjimi të hapte dosjen për këtë intelektual, meqë ai edhe pse kishte studiuar në Beograd nuk do të bëhej vegël e regjimit, sikur mjerisht u bënë shumë nga bashkëkohësit e tij, shumica prej të cilëve nga Beogradi në Kosovë sollën edhe frymën sllave të frymëzimit në krijimtarinë letrare artistike dhe frymën e bashkim vëllazërimit.

Frymëzimin për të shkruar i mori nga gjendja tejet e rëndë e shqiptarëve të  asaj kohe. Demaçi, kishte goditur në shenjë, që në rrëfimet e para, meqë krejt lirshëm pasqyronte një realitet mizor, që kishte goditur sidomos shtresat e varfra të popullatës shqiptare, që kishte rimbetur nën pushtimin jugosllav. Kjo popullatë kishte mbetur në shënjestër të goditjeve nga nacional-shovinizmi serb, madje edhe nën maskën e bashkim vëllazërimit, socializmit dhe komunizmit jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore.

Për dallim nga shkrimtarët e tjerë të kohës, të cilët në veprat e tyre glorifikonin politikën e vëllazërim bashkimit, duke kopjuar dhe duke përkthyer sa e sa vepra të autorëve serbë e sllavë, duke u frymëzuar nga heroizmat partizane të Kozarës e të Sutjeskës, Demaçi nuk ra në kurthe të tilla, sepse nuk kishte ambicie për të qenë pjesë e pushtetit, as për të vjelë favore duke shkruar dhe duke lajkatuar regjimin.

Rrëfimi antologjik “Kur Zoti harron”

 

Tregimi i tij antologjik, “Kur Zoti harron” i botuar në vitin 1954 në revistën letrare, “Jeta e re” ishte më shumë se një akuzë e rëndë shoqërore drejtuar jo vetëm rendit shtypës, por edhe mungesës së shprehur të solidarësisë njerëzore për ata, që vuanin dhe vdisnin duke u përballur me skamjen e mjerimin.

Në këtë rrëfim dramatik, rrëqethës e tragjik, Demaçi ka sintetizuar historinë e shqiptarit të nëpërkëmbur brez pas brezi. Është fati i njeriut të lënë në mëshirë të kohës, të cilin e kanë harruar të afërmit, shoqëria, të gjithë, e ndoshta edhe vetë Zoti. Përveç disa tregimeve të Migjenit, nuk ka në letërsinë shqipe një tregim tjetër, i cili pasqyron aq thellë realitetin makabër të njeriut të nëpërkëmbur. Vetëm te Dostojevski, Mopasani, Çehovi apo Gogoli hasim në rrëfime të tilla, tronditëse.

Përshkrimi i fatalitetit të tillë, i frymëzuar nga realiteti faktik, doemos se nga shkrimtari ishte menduar për të qenë protestë letrare, në dukje e heshtur, por e temperuar për të goditur në një kohë të caktuar, në një kohë të volitshme. Demaçi dinte për çka shkruante dhe dinte çka donte. Andaj edhe i mbeti besnik Atdheut dhe vetvetes.

Të tilla për nga përmbajtja janë edhe rrëfimet: “Një natë Bajrami”, “Vegjëtarja në treg”, “Llustraxhiu”, e sidomos tregimi “Buria e Pizh Magjupi” që është një rrëfim tjetër antologjik, i frymëzuar me ndjenja të larta fisnike dhe njerëzore, tregim që buron nga  ndjenja e fuqishme humaniste, që shpreh rrëfimtari për të gjithë njerëzit e vuajtur, pa dallim kombi, feje apo race…. Demaçi, përmes këtyre rrëfimeve kishte depërtuar thellë në paraqitjen lakuriq dhe në stigmatizimin e regjimit shtypës, i cili paraqitej krejt ndryshe nga shkrimtarët e kohës së tij, nga të gjithë, me ndonjë përjashtim të rrallë.

Dhe për të parë dritë rrëfimet e tilla, të cilat kanë ngelur si vula më autentike e një kohe, ai zgjodhi rrugën e tij specifike. Tregimi “Kur Zoti harron” jo vetëm ngjall zemërim e mllef kundër pushtetit, por mëton të ngjall edhe mëshirë humane te njerëzit, me qëllim për të ndihmuar të afërmit dhe skamnorët, me qëllim për të mos anashkaluar ata, sepse epilogu i lënies anash, qoftë edhe vetëm të një njeriu është tejet tronditës, në radhë të parë është akuzë për shoqërinë.

Në këto rrëfime, në dukje fragmentare, Demaçi ndërton edhe filozofinë e tij kryengritëse, duke bërë përshkrime të një realiteti të tillë, ku ishte nëpërkëmbur njeriu deri në nivelin më brutal dhe më çnjerëzor, ku iu kishin shkelur të drejtat elementare për ekzistencë.

Të gjitha rrëfimet e botuara në vitet 50-të Demaçi i ka hartuar me një kujdes të veçantë sidomos në perceptimin e realitetit, duke e pasqyruar rrëfimin në këndin epik dhe tragjik, në trashëgiminë jetike të varfërisë, duke u rezervuar nga manifestimi i kritikës diskrete kundër regjimit, e cila zakonisht sillte pasoja, e pak më vonë do t i sjellë pasoja edhe vetë autorit.

 Në rrëfimet e mëvonshme, në mbrojtjen e tij para gjyqeve,  ka treguar dhe ka pranuar se dhuna që është ushtruar kundër shqiptarëve, nga regjimi titist, sidomos aksioni i dëbimit të tyre për në Turqi, aksioni armëve i vitit 1956, i kanë mbetur në kujtesë si veprime tejet të shëmtuara, antishqiptare dhe pikërisht për këtë ai do ta marrë rolin e opozitarit dhe të kundërshtarit të fuqishëm të regjimit.

Edhe pse të thjeshta në dukje dhe në ndërtim, rrëfimet me temë shoqërore të Demaçit janë shumë të arrira në të gjitha aspektet. Me përmbajtjen e rrëfimeve sikur janë: “Kur Zoti harron” “Burrëria”, “Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet” etj. mund të shkruhen skenarë dhe të realizohen  filma të shkëlqyeshëm artistikë.

Mendoj se 20 tregimet e para të Adem Demaçit kanë ndikuar në publikun lexues të kohës më shumë se veprat e 20 shkrimtarëve dhe rrëfimtarëve të tjerë të cilët burim frymëzimi kishin “jetën e re” në Jugosllavinë e Titos.

 Rrëfimet e para të Demaçit, pastaj botimi i romanit “Gjarpinjtë e gjakut” u priten me shumë interes nga lexuesit shqiptarë të Kosovës e më gjerë.

Arrestimi i tij  më 19 nëntor të vitit 1958 nga UDB-ja jugosllave, si dhe dënimi i parë 5 vjet burg, bënë që veprat e tij të futeshin në indeksin i librave të ndaluar. Pikërisht atëherë fillon edhe leximi pothuajse masiv i veprave të tij, meqë si të ndaluara tregimet dhe romani lexoheshin dorë pas dore, tregimet përshkruheshin ilegalisht në fletore nga nxënës e studentë dhe vepra e tij po kthehej në burim primar të frymëzimit atdhetar të rinisë shkollore, e cila në 10 vjetorin e burgosjes së parë të Demaçit, në nëntor të vitit 1968 u ngrit në protesta dhe demonstrata, duke kërkuar të drejta, barazi dhe liri.

 Kompleti i veprave të Adem Demaçit  përfshin librat: Fërkime, Gjarpinjtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashuri,  Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika dhe Pushka dhe Tung vargu im.

Ahmet Qeriqi

Nentor 2015

Kontrolloni gjithashtu

Festë e madhe sportive në Volketswil të Kantonit të Zyrihut

Festë e madhe sportive në Volketswil të Kantonit të Zyrihut

Në vazhdimësi “Shkolla Shqipe” në Zvicër na ka gëzuar me sukseset dhe rezultatet e shkëlqyeshme …