Albert Z. Zholi

Albert Z. Zholi: Sa të jeni të varfër do të jeni të lidhur me pranga

Si gjithmonë, në ata dy muaj-punë, Arturi rrinte para derës së zdrukthtarisë dhe priste pronarin. Vetëm sot do e niste punën me një kusht: që pronari t’i jepte paratë e dy muajve të punuar. Nuk mbante më ujë pilafi. Dy muaj po hante në kurriz të shokut të dhomës, edhe pse po punonte nga mëngjesi në mbremje. Pa le një dëfrim, një shok apo familja që priste… Sakaq, u duk pronar Kristua. Hijerëndë e gjithmonë i mërzitur, sa edhe “mirmëngjes” e thoshte të coptuar e me mëdyshje. Në atë qytezë ishullore ai njihej si shpirtkatran sidomos me shqiptarët, që sa herë i spiunonte në polici! Edhe veshjen e mbante në ngjyrën e policit. I mungonte vetëm kollaroja dhe kapelja. Sa hapi derën e zdrukthtarisë, priti që “albanozi” të hynte brenda, por jo. U kthye nga ergati dhe u pane sy më sy. Shikimi i tij ishte ndryshe. Kish revoltën brenda.

          -Ç’keni që nuk hyni? – dhe buzëqeshi për here të pare në ata dy muaj.

          -Zoti Kristo unë nuk do punoj më, po nuk më paguat paratë për punën që kam bërë. Nuk kam me se të ha bukë dhe familja në Shqipëri pret para nga unë.

          -Ah, kështu qenka puna?-dhe e rroku nga shpatullat-mirë, mire, mbas punës do t’i rregullojmë të gjitha.

          -Jo zoti Kristo, unë nuk punoj, në qoftëse nuk më paguan paratë. Jam pa bukë zotëri. Ju nuk e kuptoni ç’do të thotë “pa bukë” e të mos të të zerë gjumi për familjen atje larg…

          -Kuptoj, kuptoj, mbas pune do t’i zgjidhim gjërat.

          -Jo, tani!

          -Tani nuk kam lekë, kam vetëm punë.

          -Nuk punoj!

          -Atëhere largohu nga punishtja, hajde jashtë, palo alvanos!

          Brenda një minute u egërsua si bishë. Edhe Arturi po e humbiste qetësinë.

          -Nuk largohem pa marrë paratë e djersës sime!

          -Shporru, qërohu po të them!-dhe e kapi nga rrobat.

          -Unë dua paratë e mia, nuk jam rrugaç, as hajdut, as gënjeshtar, jam vetëm punëtor që do të jetojë me djersën e vetë, me punë të ndershme.

          Kalimtarët po shihnin ngjarjen dhe, kuptohet, se nga anonte kandari.

          -Nuk do të ikësh, atëhere prit policinë!-dhe hyri brenda ku ndodhej telefoni.

          Nuk kaloi minuti dhe u duk makina e policisë, me ulërimën e saj të zakonshme. Hynë brenda. Vetëm kurreshtarët mbetën prapa derës së mbyllur.

          Kristoja, me një servilizëm të lëpirë para policëve, nisi të gën jente: “Kam 15 ditë pa e paguar. I thashë se do ta paguaj pas pune. Ai më thotë se ja tani ja do bëj gjëmën. I takojnë 75 mijë do t’i jap 80 mijë, por ky s’ta di të mirën.

          -Me ju shqiptarët është për të ardhur keq-jo vetëm që u marrin në punë por bëni edhe nga këto presione.

          -Jo zoti polic nuk është e vërtetë. Ai më detyrohet dy muaj punë të pa paguar dhe çdo ditë katër orë jashtë orarit, që bëjnë 550 mijë dhrahmi. Kam dy muaj që punoj e nuk kam marrë para…

          -Nuk e bën Kristoja këtë, ne e njohim mire, shko tani në punë dhe pas punës do të paguhesh me 80 mijë dhrahmi për punën që ke bërë te zoti Kristo.

          -Jo z.polic unë nuk punoj po nuk më pagoi dy muajt e punës, 550 mijë dhrahmitë që më takojnë, po ha në kurriz të shokut të dhomës.

          -Mos do të hash në kurriz të zotit Kristo?

          -Është djersa ime zoti polic, është puna ime.

          -Mirë mor djalë, me ç’dokumenta je?

          -Kisha një vizë tremujore. Tani më ka mbaruar-foli Arturi dhe ndjeu mornica.

          -Atëherë zgjidh, ja punën te z.Kristo ja në Shqipëri nga ke ardhur-foli polici me ironi të pa përpunuar.

          -Jo, unë dua djersën time, të më paguajë atë që më takon dhe iki qysh tani.

          -Vuri prangat e në polici!-urdhëroi polici vartësin e tij, që mezi prriste të bënte atë detyrë aq shumë të përdorshme.

          Me pranga në duar e futën në makinë. Shikuesit lëshuan një “uaa” habije. Disa lëshuan edhe disa fjalë-pro djalit shqiptar, disa të tjerë… Z.Kristo mbylli derën e punishtes me kënaqësinë e fitimtarit-mashtrues.

   ***

          Trageti ishte mbushur plot me njerëz e makina. Arturi, me pranga në duar, ecte kokëulur i shoqëruar nga policët. Përballë tij u ulën një çift-pleqsh, që mbllaçiteshin ngadalë, duke shijuar sanduiçët. Polici qëndroi te sedilja tjetër pa e hequr vëmëndjen nga “I arestuari”. Prezenca e dy pleqëve të ngjallte respekt. Arturi i mendoi si dy prindërit e tij, qi ishin intelektualë në pension. Gruaja u ngrit, shkoi në banak-bufe dhe u kthye me një sanduiç në dorë.

          -Urdhëro djali im, merre mos ki turp.

          Arturi ngriti kokën ngadalë dhe u prek nga ajo sjellje aq njerëzore prej prindi. Kishte mbi njëzetë orë pa ngrënë. Zgjati duart e prangosura dhe falnderoi:

          -Ju falem nderit tuaj zonjë!

          -Të bëftë mire djali im!-dhe pa nga polici. Polici miratoi me kokë.

          -Nga je biri im?

          -Nga Shqipëria Nënë.

          -Po ç’ke bërë që të kanë lidhur?

          -Kam punuar pa para, dy muaj. Kur i kërkova paratë zotnisë, ë kallëzoi në polici dhe më arestuan.

          -Eh, kështu ndodh shpesh. Kam dëgjuar. Ju shqiptarët jini njerëz punëtorë, por …Eh, mor bir, jam e gjezdisur unë. Në gjithë botën më ka shkelur këmba. Te kjo botë që po jetojmë një gjë kam mësuar, që tashti e shoh te ju shqiptarët: “ Sa të jeni të varfër, kështu do të jeni, të lidhur me pranga”, eh!

Kontrolloni gjithashtu

Festë e madhe sportive në Volketswil të Kantonit të Zyrihut

Festë e madhe sportive në Volketswil të Kantonit të Zyrihut

Në vazhdimësi “Shkolla Shqipe” në Zvicër na ka gëzuar me sukseset dhe rezultatet e shkëlqyeshme …