94 për qind e shqiptarëve dhe komuniteteve kundërshtojnë fuqishëm krijimin e ASK-së

Të gjeturat e Pulsit Publik të UNDP-së, për periudhën shtator 2015 – mars 2016, bëjnë të ditur se 94 për qind e shqiptarëve dhe komuniteteve të Kosovës kundërshtojnë fuqishëm krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërsa shumica e serbëve ose 69 për qind fuqishëm e përkrahin krijimin e AKS-së. Kjo është një nga çështjet që partitë opozitare e kanë kundërshtuar, bashkë me demarkacionin me Malin e Zi, për të cilin 54 për qind e kosovarëve mendojnë se duhet të finalizohet. Sipas anketës, shumica ose 73 për qind e të anketuarve miratojnë protestat paqësore të organizuara nga opozita, për të sfiduar këto marrëveshje. Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme përkrahet nga 42 për qind e pjesëmarrësve në anketë. Përderisa kënaqshmëria e qytetarëve të vendit tonë me institucionet kyçe ekzekutive, gjyqësore dhe legjislative është përmirësuar, megjithatë ka rënë kënaqshmëria e tyre me drejtimin aktual politik të Kosovës.

Krahasuar me shtatorin e 2015-ës, anketa e fundit nxjerr në pah një rënie prej 5 pikë të përqindjes në kënaqshmërinë me drejtimin aktual politik të Kosovës. Shumica ose 78 për qind e qytetarëve vazhdojnë të mendojnë që problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova janë papunësia, varfëria dhe korrupsioni. Kështu, institucionet që perceptohen si më të korruptuarat janë Gjykatat e Kosovës (42%), Agjencia Kosovare e Privatizimit (39%), ofruesit e shërbimeve shëndetësore (38%), Institucionet/Administrata Qendrore (37%), Doganat (32%) dhe Korporata Energjetike e Kosovës (31%). Ky është pulsi publik i 11-ti me radhë që matet nga UNDP-ja dhe USAID-i.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar kundër deklaratës së ministres, Donika Shvarc

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar në deklaratën e ministres së  Jashtme, Donika Shvarc, …