Nën kryesimin e kryesuesit të Komitetit për Politik dhe Financa (KPF), Afrim Dina, në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, u mbajt dëgjimi publik me përfaqësues të grupit të Grave-Buxhetimi gjinor dhe të gjitha OJQ-të për përgatitjen e buxhetit të vitit 2019. Në hapje të dëgjimit publik kryesuesi i KPF-së, Afrim Dina tha se ne jemi këtu në këtë takim që të marrim nga ju kërkesat tuaja, por ju lus që kërkesat që ju i keni ti shënoni bazuar edhe në prioritetet që ju i keni, ti protokolloni dhe ti dërgoni tek zyra e kryesuesit të kuvendit. Adelina Paqarizi, drejtoreshë e Shoqatës së Pavarur të Gruas ”Hareja”, në qytetin e Rahovecit tha se ne si shoqatë kemi kërkesë që në kuadër të buxhetit të vitit 2019, të ndahet një buxhet për trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, pasi që vërtetë kemi kërkesa nga prind të cilët kanë fëmijë me nevoja të veçanta dhe lirimi i trotuareve nga kërrigat dhe tavolinat e lokaleve. Florije Boshnjaku, anëtare e KPF-së dhe kryetare e grupit joformal të grave asambleiste tha se në takimet që ka pasur me gra, nëpër lokalitetet të ndryshme të komunës kërkesat kanë qenë këto: ndërtimi i çerdheve, organizimi i mbajtjes së mësimit joformal të grave, mbështetja e projektit që ka të bëjë me analizat e kancerit të mitrës, rregullimi i trotuareve për qasje më të lehtë të nënave me karroca të fëmijëve dhe rregullimi i stacioneve të pritjes së autobusit nëpër fshatra.