leoni

Enver Hoxha

Anëtarët e Lëvizjes Popullore Shqiptare, në Ferizaj, kanë përkujtuar 110-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës

Lëvizja Popullore Shqiptare për mbrojtjen dhe kultivimin e veprës revolucionare të Enver Hoxhës, sot në Ferizaj ka shënuar 110-vjetorin e lindjes së prijësit  komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha. Kjo lëvizje për vite me radhë ka zhvilluar dhe zhvillon aktivitet tematik e përkujtimor duke përkujtuar jetën dhe veprën e Enver Hoxhës dhe regjimit komunist në Shqipëri.

Sot në orën 16.00 anëtarët e kësaj Lëvizjeje ishin tubuar në selinë e tyre në Ferizaj.

Fillimisht, pas intonimit të Himnit Kombëtar  veprimtari dhe profesori, Rexhep Sadiku,  ka përshëndetur të pranishmit, kryetarin  e Lëvizjes, Remzi Hasani dhe të gjithë pjesëmarrësit duke segmentuar edhe aktivitete  që janë zhvilluar dhe po i zhvillon kjo lëvizje,  e cila në kushte dhe rrethana aspak favorizuese, nga shoqëria,  por krejtësisht mbi baza vullnetare, ka mbajtur gjallë jo vetëm kujtimin për veprën e Enverit, por ka zhvilluar edhe aktivitete të pandërprera në këtë drejtim.

Pastaj të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i Lëvizjes, profesor, Remzi Hasani i cili ka çmuar lartë figurën e Enver Hoxhës dhe të Shqipërisë Socialiste, e cila ka luajtur rolin vendimtar në ruajtjen e Shtetit dhe frymëzimit atdhetar të shqiptarëve në trojet e robëruara të Atdheut. Ai foli edhe për aktivitetin që është zhvilluar dhe po zhvillohet në këtë drejtim, duke spikatur edhe luftën e pandershme dhe të ulët të qarqeve të caktuara titiste e antikombëtare që i bëjnë veprës  së Enver Hoxhës dhe Shqipërisë Socialiste e cila nxori popullin shqiptarë nga katrahura në të cilën e kishin katandisur pushtuesit gjatë shekujve.

Një fjalë  rasti para të pranishmëve mbajti edhe drejtori i Radios-Kosova e Lirë, profesor Ahmet Qeriqi, i cili përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për ftesën në përkujtim të 110-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës.

Ai në fjalën e tij mes tjerash tha:

16 tetori shënon ditën kur në vitin 1908, në Gjirokastër  kishte lindur, Enver Hoxha, prijësi komunist i Shqipërisë, personaliteti më me ndikim dhe me reputacionin më të  fortë kombëtar e ideologjik të kohës,  themeluesi  i Partisë Komuniste Shqiptare, komandanti partizan, i cili me bashkëluftëtarët  e tij,  udhëhoqi me shumë sukses luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe ndërtimin socialist të vendit.

 Gjatë tërë kohës së qëndrimit të tij në krye të Shtetit e të Partisë, kishte qenë figura ideologjike e politike e unitetit shtetëror e mbarëkombëtarë. Edhe pse disa qendra botërore kishin bërë përpjekje të pareshtura për ta rrëzuar nga froni, asnjë prej tyre nuk kishte arritur. Po thuajse të gjithë kishin dështuar. Ky dështim i qarqeve më të fuqishme të botës  ia shtonte fuqinë dhe besimin se askush nuk mund t’ i bënte asgjë. Dështimet e tilla, bënin që Enver Hoxha ta sforconte bindjen se ishte i pathyeshëm, në radhë të parë sepse ishte në të drejtën e tij dhe në saje të besimit se komunizmi një ditë do të përhapej në tërë botën. Edhe ashtu, në kohën e tij, socializmi ishte ideologji mbisunduese në dy të tretat e botës. Ishte ajo forca magnetike, e cila e tërhiqte dhe për më tepër,  ai me kohë kishte filluar të besonte se pasonte dhe e ruante me konsekuencë marksizëm-leninizmin e vërtetë, atë burimor.  Ai ishte fiksioni i tij.

 Figura dhe personaliteti i Enver Hoxhës do parë e studiuar  në të gjitha dimensionet kombëtare, ideologjike, politike, filozofike, gjithnjë në kontest me kohën, me kushtet e rrethanat mbizotëruese gjeopolitike dhe gjeostrategjike në botë.

Mbi të gjitha do parë afria e tij me njerëz, dashuria për ta, sinqeriteti dhe miqësia, pa lënë anash edhe luftën pa asnjë kompromis kundër të keqes, kundër tradhtisë, kundër armikut të klasës, kundër asaj që ai e konsideronte të keqe e tradhtare dhe besonte me gjithë mend se   ishte e tillë.

Ashtu kishin menduar edhe: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Tito, Mao Ce duni, Fidel Kastro, Zhivkovi, Dupçeku, Hrushqovi, Ho Shi Mini, dhe qindra udhëheqës komunistë nga mbarë bota.

 Enver Hoxha në të gjallë të tij  nuk e pa rrënimin dhe rënien e sistemit, te i cili i kishte varur shpresat dhe kishte punuar  gjatë tërë jetës.

Ai vdiq me besim se Shqipëria do të mbijetonte.

Po ashtu vdiq me besimin e patundur se Jugosllavia, e sëmura e Ballkanit, do të shpartallohej dhe Kosova e viset e tjera shqiptare do të çliroheshin nga robëria.

Për shumë çka koha dhe zhvillimet pas vdekjes së tij i  dhanë të drejtë, por është e pafalshme padrejtësi që po vazhdon t i bëhet ende nga politika shqiptare, e cila ka frikë nga vetvetja ta pranojë të vërtetën për Enver Hoxhën.

Në fund, profesor, Sahit Salihu lexoi  telegram e atdhetarit, Fadil Shyti drejtuar të pranishmëve me urime e përgëzime atdhetare e revolucionare, për të gjithë ata që nuk e kanë harruar as po e harrojnë Enver Hoxhën dhe Shqipërinë Socialiste.

Në fund, shumica e pjesëmarrëseve në mënyrë të organizuar janë nisur në marshin tradicional për ta vizituar rrugën e cila mban emrin e Enver Hoxhës. Aktivitete të ngjashme do të zhvillohen në Ferizaj dhe në vende të tjera edhe në ditët në vazhdim (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj përjashton bashkëpunimin me VV: I hapur për konsulta me LDK-në dhe PDK-në

Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk është i gatshëm të bashkëpunojë me Vetëvendosjen, duke theksuar …