Ahmet Qeriqi: “Madhërimi” i Havelit, “mallkimi” i Kimit, apo ndërgjegjja në peshojë

Vdekja e dy liderëve të njohur botërorë, Kim Xhong Il i Koresë së Veriut dhe Vaclav Havel ish kryetar i Çekisë, është rast i mirë për të parë dhe për t u bindur se lufta ideologjike e dy botëve kundërshtare, Lindje-Perëndim ende është shumë e fortë dhe shumë e acaruar. Janë tejet kontradiktore opinionet për  dhe kundër këtyre dy figurave, të dy me  prejardhje të ndryshme ideologjike.  Përderisa Kimi i Koresë i mbeti besnik deri në fund të jetës ideologjisë marksiste, Haveli po ashtu i mbeti besnik bindjeve të tij borgjeze, të cilat nuk i tradhtoi asnjëherë.


 


Të dy këta kanë qenë udhëheqës të nderuar nga qytetarët e vendeve të tyre. Të dy të ngritur në idhuj, të simpatizuar dhe të duartrokitur gjatë  kohës sa kanë qenë gjallë dhe të vajtuar me pikëllim në rastin e vdekjes.


 


Në respektin, që çekët dhe koreanët kanë shprehur dhe po shprehin për liderët e tyre të vdekur nuk ka asgjë të keqe, nuk ka asgjë jonjerëzore, përveç mënyrës së shprehjes së dhembjes, e cila nuk është e njëjtë te të gjithë popujt e botës. Përderisa bota perëndimore e respekton Havelin dhe injoron Kim Xhongun, bota në lindje po shprehet shumë më e qytetëruar, po e respekton Kimin dhe Havelin, të dy njësoj.


Çuditërisht njerëzve tanë po iu pengon shumë vaji dhe pikëllimi i koreanëve të Veriut që po e shprehin për prijësin e tyre, sepse ai paska qenë komunist e diktator, ndërsa vajtojnë Havelin, sepse ai paska qenë demokrat dhe reformator.


 


Vdekja e këtyre dy burrështetasve doemos se na sjellë në kujtesë vdekjen e Josip Broz Titos, në vitin 1980 dhe vdekjen e Enver Hoxhës në prill të vitit 1985.


Nën parullën “Edhe pas Titos me Titon” udhëheqja kolektive jugosllave kishte ngritur kultin e Titos deri në atë shkallë, sa  i kishte  detyruar të gjitha instancat qeveritare e qytetare të vendit ta vizitonin varrin e tij, në Dedinje, vend ky që ishte kthyer në një vend-pelegrinazh për të gjithë komunistët e Jugosllavisë dhe të dashurit e Titos nga mesi i të gjitha kombeve dhe kombësive të atij shteti, burg popujsh,  tashmë të shpërbërë. Për Titon,  njëjtë sikur sot për Kimin, kishin vajtuar njerëzit,  dhe në mënyrat ndër më të ndryshmet kishin shprehur pikëllimin e tyre, shumica syresh ndoshta kishin shprehur një pikëllim të sinqertë.


E njëjta ndodhi edhe me rastin e vdekjes së udhëheqësit komuniste shqiptar, Enver Hoxha,  në prill të vitit 1985. Qindra mijëra shqiptarë nga Tirana dhe nga të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipërisë i bënë nderim prijësit e tyre, e qanë dhe e vajtuan dhe kam prirje të besoj se shumica dërrmuese shprehu një pikëllim të sinqertë, po të kemi parasysh faktorin kohë dhe njëmendësinë totalitare e cila ishte ngulitur dhe si e tillë mbretëronte në kokat e shumicës së shqiptarëve.


Politikanët e qytetëruar në asnjë kohë nuk kanë lejuar të përdhosen të vdekurit, por këtë e kanë bërë dhe e bëjnë politikanët me sjellje  barbare. Për të vdekurin vetëm fjalë të mira dhe respekt kanë shprehur dhe shprehin njerëzit, që kanë dinjitet dhe njerëzi, të paktën derisa të varroset.


Janë tejet të panjerëzishëm ata gazetarë e analistë shqiptarë, të cilët përbuzin dhe përçmojnë koeranët, për shkakun se ata po qajnë dhe po  vajtojnë për liderin e tyre. Si duket këta, “analistë” shqiptarë  këtë e bëjnë për të shpërlarë ndërgjegjen e tyre të rënduar, meqë ky rast u sjell në kujtesë kohën  kur kishin qarë e vajtuar për vdekjen e Enver Hoxhës dhe të Josip Broz Titos. Tani, duke parë koeranët e përlotur, ata shohin veten në pasqyrën e dikurshme, kur kishin vajtuar për prijësit e tyre  dhe derdhin  helm e vrer kundër Kimit, ndërsa shtirën sikur vajtojnë Havelin.


 


Sa për sindromën e pashërueshme të disa shqiptarëve, dikur enveristë e komunistë të përbetuar e sot anti enveristë dhe demokratë  të marrosur, mjafton të sjellim në kujtesë faktet se askush në botë nuk u soll në mënyrë më barbare me të kaluarën e vet komuniste sikur u sollën komunistët shqiptarë, të konvertuar në demokratë. Ata përdhosën shtatoren e Enver Hoxhës, përdhosën dëmtuan e shkatërruan rreth 700 monumente, lapidarë e pllaka përkujtimore të luftëtarëve antifashistë,  shkatërruan e dogjën tërë ekonominë e shtetit, madje edhe shkollat, kooperativat, pyjet dhe hekurudhat e pastaj i dhanë munxët Atdheut. Dhe kur nuk kishin më çka të hanin, as të shkatërronin  ikën me varka e me anije për në Itali e gjithandej,  duke vepruar sipas shembullit të Internacionales, “Botën mizore ne do ta shkatërrojmë, që nga themeli dhe pastaj për veten tonë do ta ndërtojmë botën e re në vend të saj”.  Por botën e tyre të re e filluan si skllevër dhe pastrues të  haleve të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës.  “Bota mizore” ka qenë dhe është ngulitur thellë në mendjet e këtyre sodomistëve, sa atë e shkatërruan dhe po e shkatërrojnë duke menduar se po e shkatërrojnë komunizmin, pa çka se ishin ndërtuesit më të zellshëm të po atij komunizmi, i cili i kishte ngopur bukë por edhe dajak, secilit sipas masës dhe meritave.


Këta njerëz shumëçka mund të kenë mësuar në jetë, kanë arritur të pasurohen në kurriz të njëri tjetrit dhe të gjithë tok mbi kurrizin e shqiptarëve, por hipokrizia e tyre e marrosur nuk i lë të kuptojnë se  e kaluara nuk ndreqet, por për të mund të kërkohet falje, të cilën,  ata, kurrë nuk e kanë bërë, as do ta bëjnë, sepse janë paganë shpirtkazmë. Pretendimi për ta ndrequr botën sipas shijes dhe bindjes së mendjeve njëdimensionale i ka kushtuar dhe po i kushton shumë shtrenjtë Shqipërisë. Ata, që sot po e vajtojnë Havelin, çuditërisht jo vetëm që nuk vepruan sipas shembullit të Havelit, por krekosen me veprimet e tyre krejtësisht të kundërta me ato të Havelit, veprime për të cilat nuk u pat lakmi as Kim Xhongu sa ishte gjallë.

Kontrolloni gjithashtu

Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit europian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit: • kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera; • kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç; • kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare; • nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve. Sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi. Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet.

BDI: Policia nuk është shtab zgjedhor – Pokuroria, MPB dhe KSHZ ta hetojnë Izetin

Dje, para syve të gjithë opinionit, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, …