leoni

RKL: Sukseset e Borchardit- arrestimi i çlirimtarëve të Kosovës

Kryepari i EULEX-it, gjermani, Bernd Borchardt, i cili ka kryer tashmë misionin e tij në Kosovë,  është lavdëruar se ka arritur ta arrestojë kreun e luftës në Drenicë, mes tjerash edhe  serbin, Oliver Ivanoviq, i akuzuar për krime kundër shqiptarëve. Duke folur për angazhimin dhe zellin e tij për arrestimin e çlirimtarëve shqiptarë, shefi i këtij misioni ka vënë pikë barazimi dhe gjoja paanësie në arrestimin e të pandehurve, duke barazuar arrestimin e 15 shqiptarëve me arrestimin e një serbi, mbase duke u bazuar në përbërjen etnike të Kosovës. Ai konsideron se ka qenë i paanshëm, madje gjatë qëndrimit, kohë më parë në Beograd,  ka deklaruar se ka fituar autoritet te serbët e veriut, të cilët të mllefosur me atë deklaratë,  për disa ditë kanë protestuar duke kërkuar largimin e tij nga Kosova.


Duke folur në fjalimin e tij lamtumirës, Borchardt ka deklaruar se aktivitetet e tij në arrestimin e luftëtarëve të lirisë, “ua mundësojnë të gjithë banorëve të Kosovës t’i mbyllin plagët dhe të ecin përpara drejt një të ardhme në paqe dhe siguri”. Duket se diplomati gjerman edhe i beson deklaratës së tij naive, se plagët e luftës në vendin tonë po u mbyllkan me faktin se qenkan  arrestuar qindra e mijëra shqiptarë dhe ndonjë serb. Ky diplomat me deklaratat e tij përdhos pikërisht plagët e luftës, sepse pikërisht sot më 26 shtator mbushen 16-vjet kur ushtarët dhe policët e regjimit të Milosheviqit vranë e masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, të fshatit Abri e Epërme, në mesin e tyre edhe fëmijë dy vjeç e e foshnje gjashtë muaj, dhe më i moshuar i familjes 94 vjeç. Të ishte kjo një koincidencë  me fjalimin e tij,  është edhe e mundshme, por është e padrejtë dhe krejt i neveritshëm fakti se ai krekoset me arrestimin e atyre që kanë çliruar Kosovën nga regjimi barbar i Milosheviqit, dhe për baraspeshë paraqet rastin e arrestimit të serbit Ivanoviq.


Profkat e tilla të kryeparit të EULEX-it nuk i ha askush, madje as ai vetë, por ja që jemi katandisur në këtë gjendje kur ata që vranë e masakruan shqiptarë shëtisin krejt lirshëm nëpër Kosovë,  madje edhe në vendet ku kanë kryer krimet, ndërsa çlirimtarët e  e vendit i sjellin në pranga para gjyqeve, duke i etiketuar si kriminelë lufte, sepse kanë vrarë dhunues e masakrues serbë, apo sepse kanë rrahur ndonjë prostitute shqipfolëse të regjimit të Milosheviqit, apo sepse kanë rrahur ndonjë bashkëpunëtor shqipfolës të atij regjimi kriminal e fashist, që gjatë luftës në Kosovë ( 1997-1999) ka vrarë e masakruar 800 fëmijë shqiptarë prej gjashtë muaj deri në 14 vjet, ka vrarë, pushkatuar e  masakruar mijëra të tjerë, 90 për qind e tyre popullatë cilivile, ka dhunuar mijëra femra dhe ka dëbuar nga vendi i tyre  qindra mijëra shqiptarë.


Kryeparit të EULEX-it nuk i bën përshtypje kjo dhe përse t’ i bëjë, kur vetë kryetarja e vendit tonë, e zgjedhur me zarfin e ambasadori amerikan, Kris Dell, (meqë nuk iu dha mundësia popullit ta zgjedhe kryetarin me meritë), gjatë fjalimit në Amerikë nuk përmend fare luftën e UÇK-së, as fatin e mijëra çlirimtarëve që janë dënuar e po dënohen pa asnjë faj. Ajo përmend vetëm gratë e dhunuara nga serbët, për të cilat mendon se ia kanë sjellë lirinë Kosovës.


Krekosja e gjermanit flokë-kaçurrel se gjatë misionit të tij  ka arritur t’iu vë pranga krerëve të luftës çlirimtare në Drenicë, lëndon ndjenjat e mijëra shqiptarëve liridashës, të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre, lëndon edhe më shumë ndjenjat edhe të atyre 1700 familjeve,  të cilët ende nuk dinë ku janë eshtrat e më të  dashurve të tyre, por nuk u lëndon ndjenjat politikanëve tanë,  të cilët e lavdërojnë për punën dhe angazhimin e tij në arrestimin e kreut të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjermani Borchardt, shpejt do të harrohet, ashtu sikur janë harruar edhe të tjerët para tij, sepse ne jemi mësuar tashmë t’ i harrojmë, sepse gjithnjë ka ardhur në radhë i keqi dhe shumë i lig e i zi  i riu, se i vjetri.


Po kështu do të krenohen e do të kakarisën edhe Berdnët e tjerë, sepse vendi nuk ka zot, por ka politikanë që duan t’ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit, ka një polici shembull për të rrahë e për të arrestuar shqiptarë, por nuk guxon të arrestojë madje as serbin që u ka vrarë kolegun e  kolegët, ashtu sikur në luftë u kanë vrarë të afërmit e më të dashurit.

Kontrolloni gjithashtu

Në vitin 2024 ka pas më pak raste të sëmundjeve malinje dhe beninje se sa në vitin 2023

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mësohet se në vitin 2024 ka …