Kadri Veseli është pritur në një takim nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini

Kadri Veseli është pritur në një takim nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, është pritur në një takim të posaçëm nga Përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Veseli dhe Mogherini diskutuan për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës, me theks të veçantë zbatimin e MSA-së dhe procesin e liberalizimit të vizave. Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, deklaroi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave dhe tani pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian dhe votimit në Parlamentin Evropian, pret vendimmarrje pozitive brenda këtij viti nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së. “Ai vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në BE është objektiv nacional i Kosovës dhe përbën konsensusin politik të të gjithë spektrit politik në Kosovë. Kryeparlamentari Veseli falënderoi znj. Mogherini për përkrahjen e vazhdueshme që ajo i ka dhënë perspektivës evropiane të Kosovës, zhvillimit të demokracisë dhe forcimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas këtij njoftimi, në këtë takim, kryetari i Kuvendit konfirmoi qëndrimin institucional të Kosovës për të zgjidhur me dialog çështjet e hapura me të gjithë fqinjët e saj, në mënyrë të veçantë me Serbinë, ndërsa shfaqi bindjen se dialogu midis dy shteteve do të përmbyllet me njohjen reciproke të tyre. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur Kosovën në rrugën evropiane të saj, forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe për të lehtësuar dialogun me fqinjët.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …