Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka paralajmëruar zyrtarët e lartë të veindit tonë se do të “përballen me pasoja serioze nëse vazhdojnë transformimin e Forcës së Sigurisë, në ushtri të Kosovës”. Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”. Këto deklarata, kreu i Aleancës Veri-atlantike i bëri në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor. “Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s. Dhe, mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, tha Stoltenberg. Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri përmes tri ligjeve që pritet të miratohen në Kuvend më 14 dhjetor. Lidhur me këto synime, kreu i NATO-s tërhoqi vërejtjen se nëse një gjë e tilë ndodh, atëherë “NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”. I pyetur se për çfarë pasojash bëhet fjalë, Stoltenberg tha se vendimet i takojnë Këshillit të Aleancës Veriatlantike, si organi më i lartë i NATO-s.
