Kapiteni Bujar Ferizi nderohet me dy çmime në shkollën ushtarake në SHBA

Kapiteni Bujar Ferizi nderohet me dy çmime në shkollën ushtarake në SHBA

Pjesëtarët e FSK-së, kudo që po marrin pjesë në trajnime dhe shkollime jashtë vendit, po arrijnë rezultate të shkëlqyeshme. Njëri ndër ta, është edhe kapiten Bujar Ferizi, shef i Qendrës se Operacioneve në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili ka përfunduar me sukses trajnimin „Kursi i kapitenëve për mbrojtje kimike“, në shkollën e Mbrojtjes Kimike- Atomike dhe Biologjike (MKAB) në Fort Leonard Wood, në shtetin Missouri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky kurs ka filluar më 10 korrik  dhe ka përfunduar më 07 dhjetor 2018. Oficeri i FSK-së, kapiteni Bujar Ferizi, gjatë shkollimit 22 javor, në shkollën e MKAB-së në SHBA,  për paraqitje të dalluar akademike është nderuar me çmimin „Student Ndërkombëtar Nderi, kurse për rezultate të shkëlqyera në testin fizik ka marr çmimin „Njeriu i Hekurt“.

Kursi për kapiten të karrierës përfshin përgatitjen e përgjithshme të oficerëve në fushën e MKAB-së, në aftësi udhëheqëse, teknike dhe taktike luftarake, procedura shtabore, doktrina të gjinive të kombinuara të ndërlidhura me procesin e vendimmarrjes ushtarake, punë grupore dhe aftësim në operacionet e detektimit dhe dekontaminimit të materieve kimike-atomike-biologjike dhe nukleare.

 Kapiten Ferizi, është oficeri i parë nga Kosova i cili përfundon trajnimin e mbrojtjes nga helmet kimike, atomike, biologjike dhe  nukleare të nivelit Kapiten karriere, në „United States Army CBRN School“.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …