Behxhet Sh. Shala: Pas marrëveshjes së madhe, një mosmarrëveshje edhe më e madhe

Bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës me “ndërmjetësimin” e BE-së me “lehtësuesen” Ketrin Eshton, duket se teknikisht kanë hyrë në një rrugë njëkahëshe apo sipas disave janë ndalur në stacionin e fundit të rrugëtimit të paraparë me nënshkrimin e një marrëveshje “historike” për normalizim midis palëve, deri dje në një armiqësi lufte e tash në armiqësi të paqes. Natyrisht, nëse thoni të vërtetën se këto bisedime kanë qenë të imponuara dhe jo shprehje e vullnetit apo nevojë e domosdoshme për të gjitha palët, nuk do të ngriheni në shkallaren e njerëzve të mençur apo se do ta rrisni koeficientin e inteligjencës!

 

Në jetën reale këto bisedime kanë qenë imponim, në diplomacinë politike përkthehet si ndërmjetësim me lehtësues! Pastaj, se sa ka qenë i lehtë “lehtësimi” i këtyre bisedimeve nga baronesha Eshton, më së miri mund të tregojnë “në një kohë të përshtatshme” vet Thaçi dhe Daçiqi! Pastaj do të shihni se nëpër çfarë vuajtjesh kanë kaluar këta dy kryeministra, të cilët njihen se kanë muskuj të fortë politik! Së paku ndaj qytetarëve të tyre.

 

Duket se vuajtjet e Tantalit kanë qenë relaksim, krahasuar me ato të cilat i kanë përjetuar të dy kryeministrat! Rruga për Bruksel, për Thaçin dhe Daçiqin, ka qenë në fakt Rruga për Golgotë nëpër të cilën ka kaluar Krishti para se të gozhdohej. Tash, në finalen e madhe, ku të gjithë aktorët dhe akterët po tentojnë titullin e të parit, të fituesit, gjërat vetëm sa janë koklavitur. Shtizat po thyhen pikërisht rreth veriut të Kosovës, pjesë kjo e okupuar nga Serbia (me ndihmën e faktorit ndërkombëtar) që nga qershori i vitit 1999.

 

Rreth pjesës së Kosovës botërisht pati deklarata të forta se nuk do të bisedohet, sepse me të drejtë ajo llogaritej si çështje e brendshme e një shteti të pavarur dhe sovran. Keni kujdes: e një shteti të pavarur dhe sovran! A ishte e tillë Kosova?! Në kohën kur Serbia “nënshkroi” kapitullimin duke u tërhequr nga Kosova të cilën e kishte bërë shkrumb dhe hi duke e shndërruar në një varrezë masive dhe duke shpërngulur afërsisht 50 për qind të popullit të saj – gjithsesi se nuk ishte. Edhe sot e kemi një pavarësi siç e kemi, por sovranitet nuk kemi!

 

Mos harroni se nuk mbahet mend në historinë e konflikteve të armatosura dhe luftërave që një shtet që ka nënshkruar “kapitulimin“ t’i lejohet të tërhiqet me tërë armatimin e saj, ushtrinë, policinë dhe njësitë paramilitare të cilat edhe gjatë tërheqjes bënin krime si dhe merrnin me vete plaçkën e luftës (gjësendet e plaçkitura ) si dhe të arrestuarit dhe ata që i kishte marrë peng si robër lufte në me krye legjendarin, simbolin e rezistencës paqësore, zotin Halil Matoshi!

 

Veriu mbeti peng dhe monedhë për pazaret e mëvonshme si dhe u përdorë për trysni ndaj politikanëve kosovarë. Veriu u mirëmbajt nga ndërkombëtarët dhe Serbia. U organizuan zgjedhjet e Serbisë këtu me ndihmën e ndërkombëtarëve, pas të cilave u instaluan struktura ilegale kriminale. Puro serbe dhe krejtësisht kriminale. U krijua një situatë e re apo një enklavë e pastruar me dhunë.

 

Kosova e ka pasur më së lehti (po të donin ndërkombëtarët!!) të bëhej shtet në qershor të vitit 1999. Gjendja në terren ishte argumenti më i mirë, në ndërkohë që Serbia ndodhej në nokdaun dhe nuk do të kundërshtonte shumë. Por, nuk kishte vullnet ndërkombëtar dhe gjithashtu as vendorët, të dhënë pas pushtetit pa shtet dhe plaçkës, nuk tregonin fare interes. Të gjithëve u leverdiste situata e krijuar. Nga Rambujeja polli Vjena e nga Vjena polli Brukseli.

 

Vendorët kishin dy mundësi të arta të ndryshonin situatën në veri pas Marshit të Madh Shqiptar ( jo kinez ) të vitit 2000: është dashur të marshohet në veri pavarësisht viktimave dhe atëherë do të lëviznin gjërat. Edhe pas ngjarjeve të marsit, në vitin 2004, ka pasur mundësi të ndryshojnë gjërat. Të dy rastet u shkatërruan nga politika vendore pas së cilës me shpatë mbi kokë u qëndronin ndërkombëtarët ndikues. Intervenimi policor i 25 korrikut ishte bërë me lejen e ndërkombëtarëve dhe ishte simulim, por edhe stimulim për bisedimet “tekniko”- politike – me Serbinë. Me këtë u dëshmua se ndërkombëtarët nuk e kanë zgjidhur asnjë krizë botërore, por vetëm e kanë menaxhuar krizën në përputhje me interesat e çastit, por edhe strategjike, duke i aktivizuar këto kriza çdo herë kur kanë pasur nevojë.

 

Këto bisedime, sipas një rregulli të pashkruar i fillojnë qyqarët, servilët, ndërkaq vendimmarrës janë politikanët me muskuj të fortë kombëtarë dhe politikë. Dihet mirëfilli se bisedimet paraprakisht nënkuptojnë kompromis, ndryshe nuk do të kishte fare bisedime nëse njëra palë është aq e fuqishme sa të jetë në gjendje të imponojë qëndrim dhe vendim! Mirëpo, kryesisht atyre që janë përcaktuar të jenë si kurban vendimmarrës, u lejohet të përdorin një retorikë atomike për përdorim të brendshëm. Me rastet e lëshuara Kosova nuk ka pasur rrugëdalje tjetër përveç bisedimeve, ndonëse kemi qenë të sigurt se “thika do të na gërryejë edhe kockat” që janë përcaktuese për marrjen e vendimeve të vështira dhe të dhimbshme. Midis asaj se a është më mirë të na thyhen kockat apo të na gërryhen, gjithsesi se do të përcaktohesha për këtë të dytën.

 

Në këto bisedime figura më tragjike është dhe do të jetë Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës. Jo Ivica Daçiq. Serbia nuk ka çka të humbë në Kosovë, sepse Kosova kurrë nuk ka qenë e saj! Serbia ka fituar me vetë faktin se çështjen e Veriut e ka bërë objekt tregtie, ndërkaq ne nuk arritëm që Luginën e Preshevës ta bënim të tillë! Ndërkombëtarët vendimmarrës nuk e pranonin këtë, duke i bërë lëshime jonormale Serbisë! Nëse nga 100 euro që nuk janë tuajat e fitoni një cent të vetëm, ju do të jeni fitues! Kështu do të ndahet edhe Serbia e cila nuk do të humbas asgjë!

 

Serbia do të fitojë diçka në Kosovë. Serbia ka fituar shumë në Kosovë. Ka fituar mundësinë të jetë përcaktuese për shkallën se sa do të jetë dhe a do të jetë funksional shteti i Kosovës! Me marrëveshjen për normalizim do të legalizojë mekanizmat bllokues në të gjitha institucionet e Kosovës . Në atë lokal dhe qendror! Këto janë vendimet e dhimbshme dhe të vështira që duhet t’i marrë Hashim Thaçi, për të cilat ka folur më parë dhe baronesha Ashton dhe të tjerët që i kanë frerët në duar!

 

Serbia po përpiqet ta fitojë Evropën duke e ruajtur Kosovën! Po luan me hile! Për të rritur pazarin për Kosovën, ajo kohëve të fundit i ka shpallur luftë korrupsionit duke burgosur çdo ditë të dyshuar për korrupsion. Këtë po e bën aktualisht njeriu më i fortë në Serbi, zëvendësi i Daçicit, Aleksandër Vuçiq. Ai me luftimin e korrupsionit në fakt po i lufton kundërshtarët politikë, po e përmbush një detyrim ndaj BE-së dhe po e ngritë çmimin për Kosovën!

 

Hashim Thaçi do të nënshkruaj marrëveshjen (nëse ajo del në letër). Aty do të jetë edhe nënshkrimi i Isës, Ramushit , Atifetes, Sllobodanit, Albinit, i imi, i yti , i të gjithë neve. Sepse, të gjithë jemi kontribuues për këtë gjendje! Disa se kanë vepruar gabimisht, të tjerët se nuk e kanë penguar këtë veprim! Nuk mjafton të kundërshtosh çdo gjë e mos të ofrosh zgjidhje të realizueshme! Prandaj, këtu nuk ka tradhtarë. As nuk është Thaçi kryetradhtari e as Albini kryepatrioti. Të gjithë po piqemi në të njëjtën furrë!

 

Thash më lartë se ndërkombëtarët nuk i zgjidhin krizat, por i mirëmbajnë ato duke i konservuar për të mos kundërmuar shumë! Kështu do të jetë edhe më këtë marrëveshje. Problemet apo mosmarrëveshjet e mëdha do të shfaqen kur ajo duhet të zbatohet. Dhe, ajo do të jetë shumë vështirë e zbatueshme!

 

Nënshkruesit e marrëveshjes e kanë të vështirë të sigurojnë jetë të gjatë politike. Ata do të shndërrohen në pëllumba të argjilës mbi të cilët do të qëllojnë patriotët, nacionalistet, racistët, gazetarët, dualistët, hajdutët, cubat, përfituesit e luftës dhe ata të paqes, hartuesit e pallavrave, hetuesit e ndryshëm, prokurorët dhe gjuetarët e balonave! Prandaj, e kanë shumë te vështirë të mbijetojnë!

 

Hashim Thaçi definitivisht e ka më së vështiri. Mos qofsha në lëkurën e tij. Qoftë edhe të Gjarprit. Do të vije në gjendje që do ta pështyjnë, shajnë, fyejnë; aleatët e deridjeshëm do t’i bëhen kundërshtarë; frekuentuesit e grazhdit të tij do të shndërrohen në kafshues të dorës që i ka ushqyer; puthadorët që e mbajnë te fshehur litarin do t’i vënë lakun në fyt; miqtë ndërkombëtarë nuk do ta kuptojnë më gjuhën e tij, disa ish “miq” të tij do të shndërrohen në armiq të tij etj. Por, Thaçi nuk ka hapësirë për manovrim. Kështu do të vepronin edhe politikanët e tjerë në Kosovë! Në mos edhe ma keq.

 

Tash jam kritikues i Hashim Thaçit, ndërsa më vonë, kur të kalojë nëpër procedurat që i përmenda më lart do të bëhem mbrojtës i tij! Sepse, të gjithë, jemi të gabueshëm .Gabimi është njerëzor! Sidomos kur bëhen me shpatë mbi kokë!

 

Të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë, ndërsa Kosova, besoj, si pjesë e Shqipërisë është e përjetshme! Dhe veprat!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …