Ramush Haradinaj

Haradinaj: Insistimi i Qeverisë për ta vazhduar punën po e thellon edhe më shumë krizën politike në vend

Kryetari AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar për mediet se insistimi i Qeverisë aktuale për ta vazhduar punën është duke e thelluar edhe më shumë krizën politike në vend, në kohën kur opozita ka filluar metodën e re të kundërshtimit 24-orësh të Qeverisë për shkak të mosreflektimit të saj. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Haradinaj ka vlerësuar se ky koalicion qeverisës po krijon vonesa për një fillim të ri të mbarë për Kosovën. “Mungesa e reflektimit dhe insistimit për të vazhduar është duke e thelluar më shumë krizën politike në vend dhe po ia vonon Kosovës mundësinë për t’u nisur së mbari. Ne po e vazhdojmë këtë kundërshtim, kurse përjashtimi i deputetëve në seancën e fundit ka qenë joligjor, sepse përjashtimi i deputetëve duhet të bëhet ose prej seancës, ose prej Kryesisë së Kuvendit, e jo nga kryetari i Kuvendit”, ka thënë Haradinaj. Sipas tij, subjektet politike opozitare nuk do të largohen nga sheshi para institucioneve qendrore deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja. “Deri në dorëheqje të Qeverisë apo në shpalljen e zgjedhjeve do të jemi në shesh dhe nuk do të tërhiqemi. Ky është një epilog i logjikshëm i gjithë këtij angazhimi kundërshtues opozitar, jo vetëm i forcave politike opozitare, por edhe qytetarëve të shqetësuar për gjendjen aktuale në vend. Ne jemi aty deri në shpalljen e zgjedhjeve apo dorëheqjen e Qeverisë”, është shprehur Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj: Nëse Kosova ka nevojë për ndryshim në 2024, duhet të shohë drejt PDK-së

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë thirrje për një rishikim …