Thaçi inaugurohet në krye të shtetit (Përmbledhje)

Thaçi inaugurohet në krye të shtetit (Përmbledhje)

Sot në orën 11:00 në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë u bë inaugurimi i Hashim Thaçit në postin e kryetarit të Republikës së Kosovës. Në një ceremoni ku mbizotëronin flamujt multi-etnik të Ahtisaarit e nën masa të shtrënguara  të sigurisë, Thaçi në praninë e delegacioneve të shumta dhe ambasadorëve të huaj, u zyrtarizua solemnisht në krye të shtetit. Ai iu drejtua tribunës teksa doli nga selia e Presidencës i shoqëruar nga paraardhësja e tij, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit në mënyrë simbolike i dorëzoi Thaçit Kushtetutën e vendit, për të cilën ai premtoi se do të jetë rojtar i saj. Më tej, Thaçi nisi fjalimin e përgatitur enkas për këtë ngjarje. Me një gjuhë me ton të ftohtë, ai nuk përmendi askund luftën çlirimtare të UÇK-së dhe as familjen Jashari. Thaçi nuk përmendi as gjenocidin serb në Kosovë dhe as planet obstruksioniste të Beogradit, por u mjaftua me thirrje për vazhdimin e dialogut. “Qytetari i Kosovës është hero, sepse ai kujton por falë por nuk harron e nuk hakmerret. Është krenar, ngrihet mbi të kaluarën e hidhur e pajtohet për të ardhmen ndritshme. Heronj janë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Unë jam vetëm një president i thjesht i një populli heronjsh”, tha ndër të tjerash Thaçi. Me gjithë masat e rrepta të sigurisë, aktivistë të Vetëvendosjes arritën të hedhin gaz lotsjellës, çka nxiti reagimin e pjesëtarëve të Policisë. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin krerët e shtetit shqiptar si kryetari, Bujar Nishani, kryeministri, Edi Rama dhe kryekuvendari, Ilir Meta si dhe lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti. Pavarësisht ftesës, përfaqësuesit e familjes Jashari nga Prekazi bojkotuan këtë ceremoni.

Kontrolloni gjithashtu

AAK-ja ka festuar 24-vjetorin e themelimit në një takim me strukturat e të gjitha niveleve të organizimit dhe me simpatizantë

AAK-ja ka festuar 24-vjetorin e themelimit në një takim me strukturat e të gjitha niveleve të organizimit dhe me simpatizantë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka festuar  24-vjetorin e  themelimit, me një takim të organizuar …