Qeveria e Shqipërisë ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit

Ambasada  e Iranit ka kohë 24 orë për ta larguar misionin e vet diplomatik nga territori i Republikës së Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur për opinion  nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Në njoftimin e publikuar me këtë rast thuhet se sulmi kibernetik  i 15 korrikut nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit.  Sipas kryeministrit  katër grupe iraniane janë organizuar për sulmin kibernetik në Shqipëri. Ndër to edhe një ndër grupet me famë të keqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron. Objektivi i sulmit ishte shkatërrimi i infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, paralizimi i shërbimeve publike, si edhe grabitja e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Rama shtoi se autoritetet shqiptare kanë informuar aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike për rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Dështimi i dhjetë me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Për të dhjetën herë radhazi, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të përmbyllë seancën konstituive, e …