Drejtoria për Infrastrukturë në komunën e Mitrovicës ka rregulluar problemin e kanalizimit pranë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë”, ku për një kohë ka pasur probleme me funksionimin e tij,ndërsa kjo drejtori edhe përkundër buxhetit të vogël ka bërë ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimit.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Mitrovicë, Besnik Beka, bëri të ditur se është rregulluar problemi me kanalizim prapa Komunës së Mitrovicës, pranë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë” e cila është vetëm disa metra larg nga ky objekt, ku të vegjlit e kalojnë shumicën e ditës.
Ky vend i cili ka shqetësuar shumë prindërit e fëmijëve, tani më është problem i zgjedhur theksoi ndër të tjera drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Besnik Beka.
Drejtori Beka, tha me këtë rast se ndjehet mirë që qytetarët e Mitrovicës do ti sjellin lirshëm fëmijët e tyre në Kopshtin “Gëzimi Ynë” pasi që tani e tutje nuk do të ketë pasiguri në këtë vend.
“Do të vazhdojmë të investojmë edhe me tutje gjithmonë aty ku ka nevojë. Qytetarët duhet të dinë se kontributet e tyre që i japin shtetit, po kthehen duke bërë punë të mira që ua përmirësojnë jetën në përgjithësi”, shtoj ndër të tjera drejtori Beka.