Adil Fetahu

ADIL FETAHU: REZOLUTA FAMËKEQE QË U MBAJT NË PRZREN, MË 8 9 e 10 KORRIK TË VITIT 1945 III

Rezoluta e bashkimit të Kosovës në Serbinë federale

Pas terrorit të ushtruar në kohën e regjimit ushtarak, propagandës për vëllazërimin e bashkimin e popujve, për liritë dhe të drejtat nacionale në Jugosllavinë e re demokratike, strukturat e caktuara të PKJ, të OZN-ës dhe UDB-ës, organizuan të ashtuquajturin “Sesioni i parë i rregullt i Legjislaturës së parë të Këshillit Populluer Krahinuer të Krahinës Autonme të Kosovës e Metohisë”, që u mbajt në Prizren më 8, 9 e 10 korrik 1945. Asaj mbledhje iu dha karakteri i kuvendit të përfaqësuesve të popujve të Kosovës e Metohisë: Shqiptarë, Serbë e Malazezë. Në rendin e ditës së atij farë “kuvendi” famëkeq, të cilin formalisht e ka kryesuar Mehmet Hoxha, ndër 12 pikat e rendit të ditës, në pikën 6, ishte Projekt-rezoluta për aneksimin e Kosovë-Metohis Serbisë Federale. Me qenë se mbledhja zgjati tri ditë, miratimi i Rezolutës për aneksimin e Kosovës-Metohisë Serbisë Federale u bë ditën e tretë, dmth. më 10 korrik (në shumë shkrime të publikuara thuhet se ajo u miratua më 9 korrik, por nga Procesverbali i mbledhjes del se është miratua më 10 korrik,v.j.).

Natyrisht, për të ardhur deri te miratimi i Rezolutës për aneksimin e Kosovës Serbisë federale, paraprakisht në mbledhje është shqyrtuar “Raporti i Këshillit Ekzekutiv Krahinuer” (pika 2 e rendit të ditës) dhe “Referati për situatën politike” (pika 4). Për të dyja këto u zhvilluan diskutime të gjata. Raportin e punës së Këshillit Ekzekutiv Krahinuer e ka paraqitur Pavle Joviçeviqi, i cili në Konferencën e Bujanit ishte zgjedhur nënkryetar i atij Këshilli! Ndërkaq, raportin për situatën politike e ka paraqitur Xhavid Nimani (në ndonjë shkrim më vonë unë do ta publikoj të plotë atë raport, për ta njohtuar opinionin me përmbajtjen e tij, a.f.).

Dhe pas diskutimit e miratimit të raportit për situatën politike, e kishte radhën miratimi i projektit të  Rezolutës për aneksimin e Kosovës Serbisë Federale, që u miratua me aklamacion. Përmbajtja origjinale e Rezolutë (nxjerrë nga Procesverbali i atij Kuvendi) është si vijon:

R E Z O L U T Ë  E KUVENDIT POPULLUER RAHINUER TË KOSOVËS E METOHISË

Kuvendi populluer krahinuer i Kosovës e Metohis konstaton faktin e gëzueshëm se kushtet në Krahinë janë rregullue e normalizue n’atë masë, sa ka mujtë me u zhvillue puna e favorshëme në lamit e ndryshëme të jetës shoqnore, ekonomike e kulturore. Ky fakt shihet edhe në ngritjen e të gjitha organeve të pshtetit populluer në zgjedhjen e këshillave popullore të vendeve, këshillave popullore të rretheve e të Kuvendit,si dhe në mbledhjen e këtij kuvendi krahinuer, n’organizimin e gjyqeve e t’organeve tjera të pushtetit civil, të cilët kanë marrë në duer të gjitha punët në Krahinë mbas suprimimit t’administratës ushtarake. Banorët e kësaj Krahine gëzojnë sod begatit e veta të Demokracis jugosllave dhe të pushtetit të vërtetë populluer, i cili ka lindë nga lufta shumvjeçare e të gjithë ppoujve të Jugosllavis kundra okupatorit fashist. Me qenë se puna në konsolidimin e zhvillimin e matejshëm t’organeve të tashëme  tëpushtetit populluer dhe puna në lidhjen e tyre me masat e gjana popullore asht kusht për mprojtjen e konsolidimin e fitoreve të Luftës nacjonal-shlirimtare, me qenë se të gjitha këto janë ndihma e jonë për Jugosllavin Fedrative demokratike, atëherë asht detyrë e çdo qytetari me i ndihmue këshillat popullore dhe me i kotnrollue në punë.

                Fakti ma i shëndrishëm në jetën e sodshëme të kësaj Krahine asht ndryshimi themeluer i cili, në saje të lëvizjes nacjonal-shlirimtare, të politikës së saj dhe të barazis e vllaznmiit në mes të të gjithë popujve të Jugosllavis, asth ba në marrëdhënjet në mes të banorëve të kombsis shqiptar e Serbëve e Malzezëve. I asht dhanë fund njiherë e përgjithmonë politikës së zhvillimit të përçamjes reciproke dhe të luftës ndërmjet Serbëve e Shqiptarëve, të cilën e përkrahshin dhe e nxitshin në dam edhe të njanit edhe të tjetrit popull, të gjitha regjimet e përarshëme antipopullore, si në Perandorin e dikurshëme turke, ashtu edhe në Jugosllavin e vjetër, e poashtu edhe pushteti i okupatorit gjatë vjetëve të fundit. Për këtë arsye zhvillimi i matejshëm, thellimi e konsolidimi i vllaznimit e bashkimit tashma të korrun, asht detyrë e shejtë e çdo qytetari të Kosovës e Metohis, pa u bazue në përkatësin fetare e nacjonale – parimi udhëheqës në punën e të gjitha organve të pushtetit populluer te na.

                Sod banorët shqiparë gëzojnë barazi të vërtetë dhe kanë të gjitha mundësit që, në bashkëpunim të ngushtë me banorët serbë e malazezë, dhe me ndihmën e Serbis demokratike dhe të mbarë Jugosllavis Federative Demokratike, të përkushtojnë të gjitha fuqit e veta për zhvillimin e përshtatshëm kulturuer dhe përparimin ekonomik e shoqnuer. Sod banorët shqiptarë kanë organizatën e tyne politike nacjonale – Komietin shqiptar, i cili asht pjesë përbase e FUNSH në Krahinë, nji nga faktet ma të randësishëme, të cilin e gëzojnë Shqiptarët në Jugosllavi asht barazija e gjuhës shqipe n’administratën shtetnore dhe shkollat në gjuhën shqipe. Të vetëdijshëm për këtë pozitë kështu të barabartë, banorët shqiptarë kanë dhanë me mija bij të vetët n’Armatën e tyne të lavdishëme jugosllave, e shum Shqiptarë, të cilët kanë qenë tërhjekë nga reakcjonarët në shërbim t’okupatorit, janë shlirue nga ndikimi i damshëmi i reaksjonarëve dhe sod bashkëpunojnë me gjith zemër në ndërtimin e jetës së re të Krahinës s’onë. Nga kjo rrjedh se puna në ndërtimin, në ngritjen e forcimin ekonomik asht vijim i pakëputun i luftës shlirimtare, kusht për krijimin e jetës ma të mirë e ma të lumtun, dhe pra të gjithë qytetaët e krahinës s’onë e kanë për detyrë me marrë pjesë në të.

                Për shkak të kushteve të vështira që kanë mbretnue para nji vjeti e gjysëm në Krahinën t’onë, banorët e kësaj Krahinen uk kanë pasë mudnësin me qenë të përfaqësuem në Mbledhjen e dytë të Këshillit antifashist të shlirimit kombtar të Jugosllavis në Jajce në nanduer të vjetit 1943. Për këtë arsye populli i kësaj Krahine, me anën e kuvendit të vet krahinuer të zgjedhun lirisht, mundet qysh tash me shprehë në mënyrë të lirë pëlqimin e vet të plotë me vendimet historike t’AVNOJ-it m etë cilat i kanë qenë vu themele të forta Jugosllavis së re Federative Demokratike dhe liris e barazis së popujve të saj e pakicave najonale.

                Kuvendi populluer krahinuer i Kosovës e Metohis deklaron njizanit se banorët e kësaj krahine, po ashtu sikurse edhe të gjithë popujt e Jugosllavis, nuk kanë pranue kurrë copëtimin e Krahinës së vet, që e ka ba okupatori, as coptimin e Jugosllavis, dhe pra shpreh dëshirën e tanë banorëve të Krahinës që kjo të bashkohet me Serbinë fedrale, si pjesë përbase e saj.(theksimi dallues i kësaj pjese të fjalsisë është imi, a.f.). Populli i kësaj krahine asht i bindun se do ta ketë mprojtjen e plotë të Qeveris popullore të Serbis, dhe se nga pushteti populluer i mbarë Jugoslavis do të ndihmohet në ngritjen e tij politike, nacjonale, ekonomike e kulturore, e përfaqsuesat e Krahnës në Kuvendin populluer të Serbisë e n’AVNOJ do të kontribuojnë me të gjitha fuqit në ndërtimin e Serbis demokratike dhe të Jugosllavis Fedrative Demokratike”.

                                                                                *

Kjo ishte rezoluta famëkeqe që e “qoi cjapin te kasapi”, e futi Kosovën në Serbinë jo demokratike, siç e cilëson rezoluta, por  në Serbinë klerofashiste.

Përveç presionit politik dhe ushtarak, veçmas të OZN—ës e UDB-s për të miratuar rezolutën për aneksimin e Kosovës në Serbi, ishte krijuar edhe një doktrinë e realizimit socialist për vllazërimin e bashkimin, e cila ishte ngulitur në gjuhën e përfaqësuesve të “pushtetit populluer”, ndërkaq në kokat dhe në mendjet e tyre vërtitej nacionalizmi më i egër dhe urrejtja e skajshme ndaj njëri-tjetrit. Kjo u pa në zhvillimet e mëvonshme plot 44 vjeçare, deri në vitin 1999, kur Kosova u çlirua në saje të përpjekjeve të vazhdueshme dhe së fundi  në saje të Luftës së UÇK, me ndihmën vendimtare të Aleancës së NATO-s.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Gryka e Shpëtimit do ta mbijetojë luftën falë organizimit dhe heroizmit të luftëtarëve të lirisë (E martë 11 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Gryka e Shpëtimit do ta mbijetojë luftën falë organizimit dhe heroizmit të luftëtarëve të lirisë (E martë 11 maj, 1999)

Ashtu sikurse jam marrë vesh paraprakisht me Nezir Myrtjan, sot nuk kam shkuar në Berishë. …