Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të audio-incizimeve ku shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe Sllavko Simiq dhe përmes tij edhe me kriminelin në kërkim, Millan Radojçiq. “Ofendimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i heroit Enver Zymberi – që ra në detyrë duke mbrojtur sovranitetin e shtetit, si dhe i kolegëve të mi të Partisë Demokratike të Kosovës nga eksponentja kryesore e pushtetit të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, është manifestimi më i hapur i mentalitetit tinëzar, mashtrues e pa dinjitet, që e ka kjo mazhorancë që sot e drejton vendin. Aq më shumë kur krejt këto paskan ndodhur gjatë serive të koordinimit me punëtorët e Milan Radojçiqit”, ka shkruar Krasniqi.
