– Në Shqipëri thuajse nuk egzistojnë sindikatat që të organizohen punëtorët për të drejtat e tyre.
-1 Maj 1886-2024 sot 134-vjetori
Sot është Dita e punëtorëve. Në shumë vende të botës kjo ditë që quhet e shënuar përkujtohet më 1 Maj. Realisht kjo ditë ka dy emërtime: Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve. Sipas mënyrës se si ka ardhur kjo ditë në fakt nuk duhet të quhet Festë po Protestë. Kjo ditë, që festohet më 1 Maj të çdo viti, synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve. Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve, që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte në orarin e punës, në 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA). Festa e 1 Majit, apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886. “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”. Kjo ishte parrulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855 e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 Maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. Nga Kongresi i Internacionales së parë në Gjenevë, ku ishin mbledhur kryesisht socialistë dhe anarkistë, doli propozimi për ditën ligjore të punës prej 8 orësh, por ato që luftuan më tepër për realizimin e kësaj aspirate qenë pa dyshim organizatat e punëtorëve amerikanë.
Ligji 8 orë punë
Në vitin 1866, shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh. Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane. Në tetorin e vitit 1884 Federata e Sindikatave të organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-ës si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë. 1 maji i vitit 1886 ra ditë e shtunë, atëherë ditë pune, por në 12 mijë fabrika të SHBA-ve, rreth 400 mijë punëtorë bënë grevë. Vetëm në Çikago numri arriti 80 mijë vetë. Fillimisht manifestimet u zhvilluan paqësisht, por të hënën policia hapi zjarr, duke shkaktuar katër viktima. Një protestë tjetër e punëtorëve u lajmërua për të nesërmen,- 4 maj. Policia hodhi një bombë kundër oratorëve, duke shkaktuar 8 të vdekur e shumë të plagosur. Të nesërmen, në Miluoki, policët qëlluan sërish kundër manifestuesve (punëtorë polakë), duke vrarë 9 prej tyre. Vala represive goditi ashpër organizatat sindikaliste dhe politike të punëtorëve. Selitë e tyre u mbyllën e drejtuesit u arrestuan. Për ngjarjet e Çikagos u dënuan me vdekje pa asnjë provë tetë eksponentë anarkikë. Dy vetëve dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm, njëri prej tyre u gjet i vdekur në qeli, të tjerët u varën në burg më 11 nëntor 1887. Kështu 1 Maji, i caktuar që më parë si ditë për punëtorët, mori një kuptim të ri dhe u bë simbol i luftës për 8 orëshin e punës. Më 20 korrik 1889 kongresi themelues i Internacionales së Dytë, i mbledhur në Paris, vendosi të organizojë pikërisht më 1 Majin e 1890-ës manifestimin e parë botëror të punëtorëve. Ishte hera e parë që kjo ditë kremtohej njëkohësisht në të gjithë botën, por vazhdoi të shoqërohej me përleshje e viktima. Vetëm në gusht të vitit 1891, kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”.
Historia e 1 Majit në Shqipëri
Për herë të parë 1 Maji është kremtuar në Shqipëri në vitin 1905, kohë kur Shqipëria ende ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane. Të paktën kjo shkruhet në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri” të autorit Stilian Adhami, publikuar në vitin 1969. Autori shkruan se më 1 Maj të vitit 1905, një grup të rinjsh e punëtorësh organizuan një manifestim nëpër rrugë dhe një piknik jashtë qytetit të Shkodrës, në urën e Mesit.
1 Maji në sistemin monist
Në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, 1 Maji ose “Dita e klasës punëtore” konsiderohej si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Me rastin e saj organizoheshin aktivitete dhe manifestime në të gjithë vendin. Një manifestim i madh zhvillohej në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit, ndërsa në tribunën kryesore të vendosur para Hotel Dajtit dilte udhëheqja e PPSH për të përshëndetur klasën punëtore. Paradat që organizoheshin në formën e kuadrateve (kuadratet e nxënësve të shkollave, kuadratet e studentëve, kuadratet e klasës punëtore nga ndërmarrje të ndryshme të vendit, kuadratet ushtarake), përshëndesnin udhëheqësit e lartë të Partisë. Kjo festë shfrytëzohej për të treguar se Partia dhe udhëheqësi i saj ishin të pagabueshëm dhe po e udhëhiqnin vendin drejt lulëzimit ekonomik. Pasditja shoqërohej me aktivitete festive nëpër shkolla, në kooperativa, apo në ndërmarrje të ndryshme ku shpalleshin edhe punonjësit e dalluar të vitit. Edhe një herë, me këtë rast, klika e kohës gjente rast të reklamonte arritjet dhe madhështinë e “Partisë së Punës së Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën”. Festa e 1 Majit, nga një festë me origjinë manifestimin dhe protestën për lehtësimin e kushteve të punës së punëtorëve, u kthye në një festë ku Partia-Shtet reklamonte “zhvillimin e madh që kishte vendi”.
Në fakt duhet të jetë Protestë.
Megjithëse përmendet si Festë kjo ditë duhet të quhet protestë. Në këtë ditë gjithë punëtorët duhet të protestojnë për kushte më të mira, pune, për pagesë më të lartë, për respektimin e pagesës jashtë orarit, për vlerësimin sipas aftësive etj…në Shqipëri thuajse nuk egzistojnë sindikatat që të organizohen punëtorët për të drejtat e tyre.
ReplyReply AllForwardEdit as new