Qendër Kulturore për Komunitete në vlerë prej 43 mijë e 200 euro në Mitrovicë

Në kuadër të investimeve në fushën e kulturës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës, me qëllim të përkrahjes financiare për “Ndërtimin e Qendrës Kulturore për Komunitete në Mitrovicë”, ku MKRS-ja investon 23 mijë e 200 euro.

Ndërkaq, përmes këtij Memorandumi, Komuna e Mitrovicës, merr përsipër të investojë mjete financiare në vlerë prej 20 mijë euro për realizimin e projektit në fjalë.

Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi, tha se ky investim kapital në bashkëpunim të ngushtë me komunën e Mitrovicës do të krijojë një hapësirë të re për komunitetet e Mitrovicës që ato të zhvillojnë aktivitetet e tyre kulturore dhe ndikojnë në pasurimin dhe rritjen e jetës kulturore e artistike të komuniteteve në Komunën e Mitrovicës.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, e falënderoi sekretarin Firzi, e përmes tij stafin e MKRS-së, për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën që ministria jep për komunat në projekte të ndryshme kapitale, dhe u shpreh se ky investim në Mitrovicë është tejet i rëndësishëm, sepse krijon kushte për banorët e komuniteteve që të zhvillojnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Kontrolloni gjithashtu

Kanë filluar konsultimet publike për Planin Zhvillimor Komunal të Ferizajt

Në kuadër të hartimit të Planit Zhvillimor të Komunës (PZHK), Komuna e Ferizajt ka filluar …